Terror në Laç, breshëri plumbash në një lokal

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mesditën e djeshme pranë një lokali në qytetin e Laçit. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në afërsi të bankës së vjetër. Përplasja ka ndodhur pas një konflikti mes disa personave në një lokal. Bëhet e ditur se, ata kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti, por fatmirësisht nuk ka të plagosur. Breshëritë e plumbave kanë krijuar frikë dhe panik tek qytetarët, sidomos tek klientët që ndodheshin në lokal. Ende nuk dihen shkaqet e përplasjes me armë mes dy grupeve, por policia bën të ditur se, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Nuk kuptohet se përse policia lejon persona të armatosur të lëvizin me armë në mes të ditës?
Sipas njoftimit të policisë ka patur një konflikt të çastit për motive të dobëta mes shtetasit me inicialet N.B dhe 32-vjeçarit Alket Rrema. Ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit me inicialet N.B. Për pasojë u dëmtua automjeti i tij dhe nuk ka të lënduar. 32-vjeçari nga Kurbini po kërkohet nga policia. Pas një konflikti verbal të çastit për motive të dobëta, Rrema ka qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit të shtetasit N.B., i cili për fat të mirë nuk është lënduar. Pas atentatit autori ka mundur të largohet me autoveturë nga qyteti, duke i shpëtuar arrestimit të policisë.
Të shtënat me armë në qytetin e Laçit të kujtonin skenën e xhirimit të ndonjë filmi me mafioz, ndërsa i riu N.B vraponte për t’ju shpëtuar plumbave. Gjithçka ishte e vërtetë! I riu që udhëtonte me një automjet tip “Benz” në ngjyrë të kuqe, me targë AA 490 Jl, ishte shënjestra e shtetasit Alket Rrema, i cili nuk u ndal së qëlluari me pistoletë, ndonëse rrugët e Laçit ishin të mbushura plot me njerëz.
Krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin, ndërsa rendi ka dalë jashtë kontrollit të policisë. Njerëz të armatosur lëvizin lirshëm në të gjitha qytetet dhe vrasin dhe kërcënojnë qytetarët pa  patur asnjë problem nga policia.
Një ditë më parë, një i ri mbeti i plagosur me tre plumba në këmbë në një lokal në qendër të Tiranës përballë Parlamentit. Policia bëri të ditur se, i riu me inicialet R.M, 17 vjeç që ndodhej në një lokal loto sporti në rrugën “Xhorxh Bush” pranë Parlamentit, u vetë plagos me pistoletën që mbante pa leje. Ai ndodhej në lokal sëbashku me shokun e tij me inicialet M.Xh.
R.M mbeti i vetëplagosur nga arma, por shërbimet e policisë që mbërritën në vendngjarje të njoftuar nga qytetarët, nuk gjetën armën në lokal. Dyshimet e Policisë së Tiranës janë që armën ta ketë marrë shoku i të vetëplagosurit, M.Xh i cili është larguar, por më pas, ai është vetëdorëzuar në polici.
Po ashtu mbrëmjen e të premtes në Fier ka patur shkëmbim zjarri mes tre personash. Të shtënat me armë janë dëgjuar në Levan të Fierit. Burime nga policia thonë se, nuk ka të plagosur apo viktima, por vetëm panik tek qytetarët. Forca të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por në mënyrë zyrtare policia nuk pranon se në Levan pas një zënke ka pasur të shtëna me armë. Nga hetimet paraprake bëhet e ditur, se bëhet fjalë për një konflikt mes tre shtetasve në lagjen rome në Levan.
Para katër ditësh, një 18-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në Pogradec. Vrasja ka ndodhur në ambientet e një lokali në rrugën “Rinia”, duke shkaktuar frikë dhe panik tek qytetarët që kanë qenë në rrugë. Si pasojë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit, ka mbetur i vdekur 18-vjeçari Fabio Hila. Përditë ndodhin vrasje dhe plagosje me armë, ndërsa policia është e paralizuar përballë krimit.