Të dhënat zyrtare, në Shqipëri u importuan 333 mijë ton plehra të rrezikshme edhe në vitin 2014

Më shumë se një muaj para miratimit të ligjit për importin e plehrave në Parlament, edhe qeveria është shprehur kritike. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara
Skandali thellohet edhe më tej pasi hyrja e plehrave ka ndodhur në kohën kur doganat shqiptare mbikëqyreshin nga kompania angleze “Crown Agents”, për të cilën qeveria pagoi miliona euro dhe më pas e largoi sepse misioni i saj dështoi
Ndërsa prej ditësh po zhvillohet një debat i fortë sa i përket ligjit për importin e mbetjeve, në Shqipëri janë importuar plehra edhe në vitin 2014, pavarësisht se mazhoranca e drejtuar nga Rama ndaloi me ligj importin në vitin 2013. “Lapsi.al” publikon të dhëna zyrtare nga Drejtoria e Doganave, të dhëna që tregojnë se vetëm gjatë vitit 2014 kanë hyrë në Shqipëri 333.553 tonë mbetje të ndryshme, që nga plastika e deri te mbetjet e gomave, të cilat shkaktojnë një nivel të lartë ndotje. Skandali thellohet edhe më tej pasi hyrja e plehrave ka ndodhur në kohën kur doganat shqiptare mbikëqyreshin nga kompania angleze “Crown Agents”, për të cilën qeveria pagoi miliona euro dhe më pas e largoi sepse misioni i saj dështoi. Ky fakt tregon edhe një herë pafuqinë e doganave shqiptare për të kontrolluar mbetjet që hyjnë në vend, edhe kur ligji e ndalonte importin e tyre në vitin 2014.  Mendoni pak se çfarë lloj-lloj mbetjesh do të futen në Shqipëri, tashmë që importi është i lejuar me ligj. Opozita kërkoi mbajtjen e një referendumi për këtë çështje, ndërsa shoqëria civile do të mblidhet të shtunën në një tjetër protestë.

Rezultatet sekrete të qeverisë për rrezikun e plehrave

Diçka më shumë se një muaj para miratimit të ligjit për importin e plehrave në Parlament, edhe qeveria është shprehur kritike. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara.
Vetëm pak javë para miratimit në Parlament, edhe Këshilli i Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillim-gushtit përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati i PS-së, si dhe Bujar Derveni i LSI-së.
Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mos respektimi i kontratave ka kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë.
Ja çfarë thotë Këshilli i Ministrave për këtë:
“Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e eksporteve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin miliona kg mbetje të importuara shtesë”.
Një nga arsyetimet përmes së cilave Kryeministri Rama ka mbrojtur rikthimin e importit të plehrave, të cilin 3 vjet më parë e ndali po vetë, ishte rreziku i falimentimit të industrisë së riciklimit. Shpesh herë Kryeministri theksoi se, investimet e kësaj industrie rrezikonin të shkonin dëm, pasi fabrikat po punon vetëm nga dy ditë në javë. Por vetë relacioni i Këshillit të Ministrave për çështje në fjalë e hedh poshtë këtë pretendim, duke nënvizuar se pjesa më e madhe e tregut të brendshëm të mbetjeve ende nuk ishte shfrytëzuar.
SINK “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386.728.650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”.
Këto objeksione të forta që vetë Këshilli i Ministrave shprehte ndaj ligjit për importin e plehrave i përkasin fillimit të muajit gusht. Pak javë më pas, më 22 shtator, shumica e majtë aprovoi këtë import, duke injoruar totalisht këto vërejtje që vinin nga qeveria. Si për ironi, një pjesë e ministrave, bashkë me Kryeministrin, dolën në mbrojtje të këtij importi, pa shpjeguar se çfarë kishte ndryshuar në diçka më shumë se një muaj. Asgjë, duket të jetë përgjigjja e një pyetjeje retorike.

Llojet e mbetjeve të rrezikshme që janë futur në 2014

Më poshtë sjellim listën me mbetjet e importuara gjatë vitit 2014 dhe sasinë përkatëse sipas dokumenteve zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Mbetje, mbeturina e kthime gome, po/jo në formë pluhuri apo granulati
Mbetje, kthime alumini
Mbetje, prerje dhe kthime prej plastike
Copa të vogla, ashkla, feta, mbetje bluarje, pluhur sharrimi dhe pluhur lemimi
Kthime dhe mbetje ferrike, lingota mbetjesh të rishkrirëshme prej gize dhe çeliku
Mbetje dhe kthime brumi letre apo kartoni
Mbetje tekstile