Taksa e re e qeverisë për bizneset deri në 1 mijë euro Dhomës së Tregtisë

Kuvendi, në seancën e djeshme, pritet të miratojë projektligjin për anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas ndryshimeve që iu bënë këtij projektligji, i cili ka rreth një vit që diskutohet, kategoritë e ndryshme të bizneseve do të paguajnë kuota të ndryshme për anëtarësimin që do të jetë i detyrueshëm.
Kështu sipërmarrjet e reja ose ato startup do të paguajnë shifrën simbolike 1 dollar në vit, bizneset e vogla deri në 10 dollarë në vit, ndërsa bizneset e mëdha nga 30–1,000 dollarë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë do të ketë detyrë onorifike, ndërsa do të emërohet një drejtor ekzekutiv.
Gjithashtu, dhomat do të kenë detyrim të paraqesin në faqet e tyre zyrtare online pasqyrat financiare dhe buxhetet.
Në një numër të madh seancash dëgjimore që u organizuan, u dëgjuan komentet dhe sugjerimet e komunitetit të biznesit dhe të përfaqësuesve të grupeve të interesit. Konkretisht, Komisioni dëgjoi komentet dhe sugjerimet e shoqatave dypalëshe, përfaqësuese të bizneseve të huaja që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri, si Dhoma Amerikane, Dhoma Britanike, Italiane dhe ajo Gjermane, Dhoma Kombëtare e Veshjeve dhe Këpucëve, Shoqata e Investitorëve të Huaj, etj.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit në Komision, deputetët pasi u njohën me gjendjen aktuale të funksionimit të dhomave në RSH dhe me problematikat e parashtruara nga përfaqësuesit e dhomave dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, identifikuan nevojën e ndryshimeve rrënjësore në ligjin për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë dhe kërkuan nga përfaqësuesit e ministrisë ndërmarrjen e nismës ligjore për hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, me qëllim reformimin dhe fuqizimin e tyre, në mënyrë që të jenë përfaqësuese zyrtare të legjitimuara të biznesit dhe interesave të tij dhe bashkëbiseduese në dialogun me shtetin dhe me qeverinë në lidhje me politikat ekonomike e të tjera.
Por, deputetët argumentuan se, meqenëse situata në të cilën ndodhen aktualisht dhomat është e rëndë, për shkak se mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e këtij institucioni ka çuar në uljen plotësisht të rolit të tij, si dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë; për shkak se Dhomat dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjenden në pamundësi të plotë për të përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke krijuar jo vetëm një situatë paaftësie paguese të kuotizacioneve, por edhe duke rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa shoqata/organizata, siç janë Euro Chambers, Association of Ballkan Chambers etj., është e nevojshme që të miratohen ndryshimet e paraqitura në projektligjin e propozuar lidhur me rikthimin e anëtarësimit të detyrueshëm.
Iniciativa për rikthimin e anëtarësimit të detyrueshëm synon të fuqizojë Dhomat dhe Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve dhe promovimin me interes të përgjithshëm në dobi të anëtarëve të tyre, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Nevoja emergjente e fuqizimit institucional të dhomave dhe Bashkimit të Dhomave lidhet ngushtësisht me fuqizimin financiar të tyre.
Për të mundësuar fuqizimin financiar të dhomave është e nevojshme vendosja e detyrimit për t’u anëtarësuar në to duke paguar edhe kuotat përkatëse të anëtarësisë, por në asnjë mënyrë kjo pagesë nuk duhet të vendoset si një taksë e fshehtë për biznesin. Për këtë arsye, vendosja e detyrimit të anëtarësimit duhet të shoqërohet detyrimisht me: transparencë në përcaktimin e kuotave, duke parashikuar që caktimi i tyre të bëhet bazuar në kategorizimin e bizneseve, si dhe duke vendosur tarifa minimale dhe maksimale në përcaktimin e kuotave, bazuar në kategorizimin e bizneseve si person fizik apo person juridik; dhe transparencë në administrimin e të ardhurave që krijohen nga pagesat e kuotave, duke vendosur detyrimin për publikimin në faqen e internetit të dhomës të buxhetit të vitit aktual të miratuar nga Asambleja dhe të pasqyrës së realizimit faktik të buxhetit të vitit paraardhës.