Shpërthen me tritol makina para Komisariatit të Policisë në Vlorë

Një automjet i parkuar përballë Komisariatit të Policisë në Vlorë ka shpërthyer mesditën e djeshme, duke krijuar frikë dhe panik tek qytetarët. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërsa bëhet e ditur se nuk ka patur të lënduar në njerëz. “Makina tip “Wolksvagen” ka pasur shpërthim, ndërsa ngjarja ka shkaktuar veç dëme materiale”, bënë të ditur burime nga vendi i ngjarjes. Dyshimet e para flasin për një sasi lënde të vogël eksplozivi që ka shpërthyer, ndërsa nuk janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim për këtë ngjarje, ndërsa nuk dihen shkaqet e shpërthimit të makinës dhe autorët e vënies së lëndës plasëse.
Ky nuk është rasti i parë që shpërthejnë makina me tritol në Vlorë. Para pak kohësh, një makinë shpërtheu në ecje e sipër, ku si pasojë mbetën të plagosur dy persona. Policia bëri të ditur fillimisht se dyshoi për një shpërthim me eksploziv, por pas verifikimeve nuk janë gjetur gjurmë eksplozivi, çka hodhi poshtë këtë pistë. Policia e Vlorës bëri të ditur atëherë se nuk dihen ende rrethanat e këtij shpërthimi, ndërkohë që policia tha se ka dyshime për aksident dhe jo shpërthim me tritol. Megjithatë ende nuk ka një përgjigje nga ekspertiza për këtë ngjarje, megjithëse, policia tha se, mbetet përgjigja e ekspertizës, ajo që do të peërcaktojë saktë shkakun e ngjarjes.