Shëndetësia falas, vdekje e sigurtë!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë mëngjesin e djeshëm, ku një grua 35-vjeçare nënë edhe e dy fëmijëve të tjerë ka humbur jetën gjatë lindjes bashkë me foshnjën. Bëhet e ditur se, Aida Cajka, 35 vjeçe nga Paskuqani, ka ndërruar jetë bashkë me foshnjën për shkak se mjekët ngatërruan diagnozën.
Gruaja kishte shkuar mbrëmjen e së enjtes rreth orës 21:00 me dhimbje, por urgjenca e maternitetit ka qenë e mbyllur me kyç dhe ajo është sorollatur nga mjekët. Pas një ore është hapur urgjenca dhe mjekët e maternitetit nuk kanë arritur të zbulojnë sëmundjen e saj dhe e kanë nisur për në QSUT, pasi dyshonin për sëmundje kardiake. Por mjekët e QSUT kanë dyshuar se, gruaja shtatzënë kishte ftohje dhe e kanë nisur për në Sanatorium. Kanë qenë mjekët e këtij spitali që përcaktuan hemoragjinë dhe e kanë nisur sërish për në maternitet, po ekipi i mjekëve të maternitetit, sipas familjarëve, sërish u vonuan në ndërhyrje.
Familjarët deklaruan për mediat se, mjekët i kanë sorollatur gjithë natën sa në urgjencën e QSUT e sa në Sanatorium, derisa gruaja shtatzënë nuk ka mundur më të rezistojë. Fillimisht ka vdekur foshnja rreth orës 5:00 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa në oranë 6;00 mjekët kanë njoftuar familjarët se ka ndërruar jetë edhe nëna e foshnjës. Familjarët deklaruan se, 35-vjeçares në maternitet nuk ju kryen as analiza dhe as ekografi dhe e dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe prej andej në Sanatorium dhe prej këtu, familjarët u detyruran ta kthenin sërish gruan shtatzënë në pritje të fëmijës së tretë në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku edhe gjeti vdekjen bashkë me foshnjën e porsalindur.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet për këtë çështje. Dy oficerë të Prokurorisë kanë mbërritur në maternitetin “Kiço Glozheni” në Tiranë dhe kanë nisur hetimin për vdekjen e gruas 35 vjeçe dhe foshnjes së saj në muajin e 9 të shtatzënisë. Oficerët kanë kërkuar librin e mjekëve që duhej të ishin në turn dhe protokollin e ndjekur.

Urgjenca e mbyllur me kyç, pa mjekë dhe pa oksigjen

Familjarët e 35-vjeçares nga Paskuqani me mbiemër Çajka kanë akuzuar mjekët e maternitetit për vdekjen e saj, sepse mbyllja e Urgjencës, sorollatjet e tyre dhe mungesa e oksigjenit kanë shkaktuar vdekjen e 35-vjeçares, e cila ka dhe dy fëmijë të tjerë, një vajzë dhe një djalë.
Kunati i viktimës, Çajka tregon: Pati komplikacione në shtëpi dhe e sollëm në maternitet në gjendje të rënduar. As 10 minuta nuk mbajti rruga. E sollëm, por Urgjenca ishte e mbyllur me kyç. Pritëm 20 minuta që të hapej. Kunata ime ishte aty dhe nuk kishte as ku të ulej, s’kishte as stol. Nisi të villte.
Infermierja erdhi dhe mori një mjeke në telefon dhe i tha: “Eja se kam një paciente me të vjella dhe nuk i duroj dot të vjellat”. Erdhën mjeku dhe mjekja pas gjysëm ore. E mbajtën brenda nja 10 minuta dhe e pyetën ku të dhemb. Ajo dhe as nuk e dinte tamam. Kunata mund të fliste.
E çuam në QSUT dhe i bëmë të gjithë analizat, gjysmat tek Spitali Amerikan për shpejtësi. Tensionin e kishte 5 me 3, ishte nxirë. Doli e pastër nga zemra. Shkuam në Senatorium dhe aty doli e pastër. Mbërritëm në maternitet në orën 2:00 se nuk jemi vonuar. Kemi ardhur me ambulancë me oksigjen dhe doktoreshën me vete. Kemi ardhur me ambulancë me dyer të hapura, se nuk kishte oksigjen autoambulanca. E kishin lart dhe për ta marrë u duhej 20 minuta! Erdhi mjeku kirurg më vonë dhe në orën 5:00 të mëngjesit na dhanë këtë shpjegim: Fëmija është i vdekur, të ndërhyjmë të shpëtojmë të madhen. Por edhe nëna e foshnjes vdiq”, tregon ai.
Rrëfimi tronditës i kunatit të viktimës është një akuzë e rëndë jo vetëm për mjekët përgjegjës, por për të gjithë sistemin shëndetësor. Është një këmbanë e fortë alarmi. Kjo vdekje tragjike e një nëne me fëmijën e saj në bark është dëshmi se si funksionon shëndetësia në Shqipëri. Ajo i heq llumin e makiazhit që i bën propaganda qeveritare këtij sistemi. Tregon se urgjencat janë të gatshme vetëm për të organizuar ceremoni për pritjet e ministrit Beqaj apo kryeministrit Rama kur u duhet të justifikojnë milionat e harxhuara për bojatisje ndërtesash apo tendera prej nga vidhen miliona e miliona lekë. Kur qytetarët u bien dyerve të tyre për të shpëtuar jetën, i gjejnë të mbyllura, pa mjete, pa oksigjen, pa mjekë.
Ky nuk është rasti i vetëm kur mjekë dhe sistemi shëndetësor janë nën akuzë. Dhe akuza kësaj here nuk është individuale, për ndonjë mjek të veçantë që është treguar i paaftë. Ajo nxjerr lakuriq maskaradën me shëndetësinë dhe miliardat e lekëve të harxhuara për të mbushur xhepat e ndokujt që i shërben qeverisë dhe propagandës së saj.

Familjarët: Na sorollatën gjithë natën, doktorët nuk e prekën me dorë

Kunati i 35-vjeçares Aida Cajka rrëfen gjithë “odisenë” e vuajtjes së saj para se të ndahej nga jeta në orët e para të mëngjesit. Ai dëshmon se mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” nuk i kanë bërë asnjë analizë dhe asnjë eko, por e kanë çuar në QSUT dhe Sanatorium për zemrën dhe mushkëritë.
-Në çfarë gjendje e sollët kunatën në maternitet?
Mbrëmë ka shfaqur komplikacione, tension dhe këputje dhe dhimbje. Pati komplikacione në shtëpi. E morëm me makinë e sollëm me urgjencë, as 10 minuta nuk mbajti rruga. As semaforët nuk i kemi respektuar. E zbritëm nga makina dhe e çuam në urgjencë. Ishte e mbyllur me kyç, pritëm 20 minuta për t’u hapur. Kunata ime nuk kishte as ku të ulej, s’kishte as stol, kishte të vjella. Infermierja merr doktoreshën dhe i thotë, hajde se kam një paciente dhe nuk i duroj dot të vjellat. Pas 30 min vjen mjekja dhe një doktor. E fusin brenda e pyesin. I thotë që kishte dhimbje në krahun e majtë. Thanë që është për QSUT.
-A i bënë analiza apo ekzaminime?
Nuk i bënë asnjë lloj ekzaminimi, asnjë analizë. Mua më nxorën jashtë. E pyeta, çfarë të bënë. E pyeta doktoreshën si është puna e bebit, më thanë është fare normal. Shkuam tek zemra, i bëmë analizat dhe atje doli mirë. 5 me 3 tensionin vetëm zverdhej dhe nxihej. Thanë mos ishte e ftohur na çuan tek Sanatoriumi dhe atje i bënë analizat, por nuk doli asgjë.
-Kur u kthyet në maternitet?
Vijmë sërish tek materniteti rreth orës 2:00 të mëngjesit. Kemi ardhur këtu me ambulancë, me oksigjen dhe me shoqërues doktoresha e Sanatoriumit. Kemi ndenjur 20 minuta me ambulancë me dyer të hapura, sepse nuk kishte barelë, nuk kishte njerëz, nuk kishte spitali oksigjen. Thoshin e kemi lart dhe për të marrë oksigjenin i duhej 20 minuta. E futëm brenda, pas 2 orëve ka ardhur kirurgu.
-Infermieren e njihni ose mjekët?
Vetëm me fytyrë jo me emra.
-Kur është futur në sallë të operacionit?
Është futur në 5:00 të mëngjesit. Mjekët na thonë se fëmija është i vdekur, të shpëtojmë nënën. Bënë dhe ekon, pas 8 orësh dhe zbuluan se fëmija kishte vdekur dhe thanë të shpëtojmë të madhen. Është futur në 5:00 në sallë dhe në 5:20 ajo ka vdekur ndoshta pa e prekur doktorët me operacion. Doktorët na e komunikuan në 6 e ca kur ajo kishte 1 orë që kishte vdekur.

Vëllai: Më vdiqën motrën dhe mbesën, mjekët më çuan në polici

35-vjeçarja që humbi jetën mëngjesin e sotëm, bashkë me foshnjën e saj, në Maternitetin “Koço Gliozheni”, la dy fëmijë pa nënë. Vëllai i nënës fatkeqe, Aida Cajka deklaroi për “News24” se policia e shoqëroi pas vdekjes së motrës, pasi ai kërkonte informacion nga mjekët dhe askush nuk i jepte shpjegime. “U them mjekëve çfarë po ndodh më thanë pyet vetë. Në atë moment i rashë xhamit, ndoshta pak më fortë seç duhet dhe xhami u thye. Në këtë moment, kanë lajmëruar policinë dhe më kanë shoqëruar”, deklaroi Fatjon Toska.
Vëllai i viktimës pretendon se mjekët dhe drejtoresha e Spitalit kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me vdekjen e foshnjës. “E fusim brenda, mjeku thotë po marr kolegët e mi. Tha fëmija ishte i gjallë. Në dokumentacion nuk vërteton se është bërë një ekografi që fëmija është gjallë. Më thanë na jep konsensusin që të bëjmë operacionin, sepse bashkëshorti i saj nuk ishte këtu, dhe në një moment mjekët largohen dhe vetëm njëri prej tyre i bënte një masazh kardiak. Unë ende nuk e di shkakun e vdekjes së motrës dhe mbesës. Drejtoresha e Spitalit më tha se, në momentin që erdhi motra foshnja ka qenë e vdekur, ndërsa mjekët më thanë që foshnja ishte gjallë”, deklaroi vëllai i 35-vjeçares, Fatjon Toska, i cili kërkon drejtësi për zbardhjen e ngjarjes.
Mësohet se bashkëshorti i 35-vjeçares Aida Cajka është emigrant në Itali dhe është nisur menjëherë drejt Tiranës, sapo ka marrë vesh për fatin tragjik të gruas dhe foshnjës së tij.

Reagon PD: Shëndetësia e Ramës dhe Beqës të merr jetën!

Partia Demokratike ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet, ku një nënë 35-vjeçare dhe foshnja e saj humbën jetën. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, thotë se shëndetësia në vend nuk funksionon dhe si pasojë ajo të merr jetën.
Zhupa tha se as kryeministri Edi Rama, dhe as ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, nuk kanë reaguar për këtë ngjarje, duke u shprehur se “Të dy janë fajtorët për gjendjen katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, që si çdo ditë edhe në rastin më të fundit, të tragjedisë së sotme, s’kishte mjetet e instrumentet bazike, si oksigjeni”.
“Partia Demokratike është e tronditur nga humbja e jetës së nënës së re Aida Cajka dhe foshnjes së saj, në dyert e shëndetësisë së Edi Ramës dhe Ilir Beqës. Ne gjendemi sot në krah të familjarëve për humbjen e thellë që kanë pësuar, por duam po ashtu të ndajmë shqetësimin e mbarë shoqërisë se shëndetësia e Edi Ramës dhe Ilir Beqës, nuk funksionon, por të merr jetën”, u shpreh zëdhënësja e PD, Ina Zhupa.
Ajo tha më tej se, Partia Demokratike ka pritur sot që Ilir Beqja të shfaqej, të nxirrte krye, sepse humbja e dy jetëve është nga ngjarjet më të rënda.
Po kjo nuk ndodhi, pasi me siguri, Beqja është duke kalkuluar diku në përfitimet e ndonjë tenderi apo koncesioni. As Edi Rama nuk reagon, hesht.
Të dy janë fajtorët për gjendjen katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, që si çdo ditë edhe në rastin më të fundit, të tragjedisë së sotme, s’kishte mjetet e instrumentat bazike, si oksigjeni.
Ndërkohë që Ilir Beqja dhe Edi Rama kanë ndarë me miq e klientë mbi 300 milionë euro koncesione në shëndetësi, urgjenca gjendet e mbyllur, dhe siç dëshmojnë familjarët e Aidës, ambulanca vonon, është jashtë çdo standardi, dhe ata sorollaten sa nga njëri spital në tjetrin përgjatë gjithë natës”, deklaroi Zhupa.
Partia Demokratike inkurajon Prokurorinë të bëjë hetim për rastin, zbardhje të plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive. “Ndërsa shqiptarët duhet të ngrihen e të ndëshkojnë përgjegjësit e dramës së madhe të shëndetësisë, që nuk i shërben qytetarëve, por pasurimit të Ilir Beqës, Edi Ramës e klientelës së tyre”, përfundoi zëdhënësja e PD.

R.POLISI