Sekreti i superjahtit St. Princeshë Olga

388

Në vitin 2013, Oceanco, një nga ndërtuesit kryesorë të jahteve në Holandë, lançoi një krijim të ri luksoz, një superjaht 85 metra me emërtimin Y708.
Brendësia luksoze e jahtit u projektua nga firma e Alberto Pintos dhe pjesa e jashtme nga dizajneri rus, Igor Lobanov. Jahti ka çdo komoditet të mundshëm: Y708 mund të akomodojë deri në 14 të ftuar në shtatë suita, ka një kabinë VIP dhe tri kabina dyshe.
Nga brenda jahti është pajisur me një palestër, një spa dhe ashensor. Një pishinë në kuvertën e anijes mund të transformohet, nëse është e nevojshme në vend për t’u ulur një helikopter. Pjesa e sipërme e kuvertës ka një xhakuzi të rrethuar nga divanë të bardhë ku të ftuarit mund të shtrihen për t’u qetësuar. Pasi Y708 u transportua te pronari i ri, identiteti i të cilit rrethohej nga misteri, emri i jahtit u ndryshua në St. Princeshë Olga.
Sot St. Princeshë Olga renditet në vendin e 72 të listës së jahteve më të mëdha të botës, sipas uebsajtit të superjahteve.
Emri i pronarit mbeti sekret për disa vite. Por gazetarët e Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar (OCCRP) dhe “Novaya Gazeta”, duke ndjekur udhëtimet e jahtit dhe duke i lidhur ato me postime në rrjetet sociale, besojnë se kanë identifikuar një pronar të mundshëm të mjetit lundrues.

Darth Vader i politikës ruse
Igor Sechin, 55 vjeç, konsiderohet si një nga burrat më të fuqishëm në Rusi, pas mikut të tij të vjetër dhe bosit, presidentit të federatës ruse, Vladimir Putin. Për shkak të karakterit të tij të ashpër dhe lidhjeve të ngushta me shërbimet sekrete, Sechin ndonjëherë i referohen mediat ruse dhe ato ndërkombëtare si Darth Vader.
Sechin ka punuar me Putin që prej fillimit të viteve 1990. Kur Putin u bë kreu i Komitetit për Çështjet me Jashtë në Zyrën e Kryebashkiakut të Shën Petersburgut më 1991, Sechin u caktua si shefi i stafit të tij. Ata u afruan.
“Kur u transferova në Moskë, (Sechin) më kërkoi ta merrja me vete. Dhe unë e mora”, shkroi Putin në autobiografinë e tij, “First Person”.
Ishte e para e serive të lëvizjeve të koordinuara të karrierës, ku Sechin e ndoqi gjithnjë shefin. Nga 2004 më 2008, Sechin punoi si zëvendësshef i administratës së Putin. Kur Putin drejtoi qeverinë më 2008, Sechin u caktua zv.kryeministër.
Që nga viti 2002, Sechin ka qenë kryeoficeri ekzekutiv i Rosneft, gjigantit shtetëror rus të energjisë.

Princeshë Olga
Princeshë Olga mund të mos jetë vetëm një emër i zakonshëm.
Kur Sechin u divorcua nga gruaja e parë, Marina, emri i gruas së tij të re u mbajt një sekret i madh. Por në qershor 2016, agjencia ruse e lajmeve “life.ru” – që konsiderohet e afërt me Kremlinin – publikoi një video nga një festë private e mbajtur pas Forumit Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg (SPIEF). Në atë festë, Sechin shoqërohej nga një grua e re dhe tërheqëse bionde.
Duke krahasuar fytyrën e gruas në video me llogaritë në median sociale, “OCCRP” gjeti profile të Olga Rozhkovas në Facebook dhe Instagram. “Novaya Gazeta” më vonë siguroi dokumente që provojë se në vitin 2011, Rozhkova ndryshoi mbiemrin në Sechina.
Sipas fotove nga rrjetet sociale, Olga Sechina e kalon shumicën e kohës së saj jashtë shtetit.
Që nga fillimi i vitit 2016, ajo ka vizituar Maldivet, Italinë, Vietnamin, Indinë, Gjermaninë dhe Francën. Por duket se vendet e saj të preferuara janë Italia dhe Franca, veçanërisht resortet luksoze në Sardenjë dhe Korsikë.
Në shumë nga këto foto, Sechina është në një jaht. Për shembull, më 27 gusht 2014, Sechina publikoi një foto në llogarinë e saj në Instagram nga një jaht, ku ajo shihet e ulur me mikeshën e saj në divane të bardhë pranë një xhakuzi.
Më 5 korrik 2015 Sechina publikoi një tjetër foto në Instagramin e saj ku shfaqet e ulur në një kuvertë pranë një pishine.
Më 1 gusht 2015, ajo publikoi një foto nga i njëjta kuvertë pranë të njëjtës pishinë.
Detajet e para në tri fotot – kuverta, pishina, xhakuzi, divanet dhe shezlongët – korrespondojnë me ato të para në jahtin St. Princeshë Olga.
Foto të tjera të postuara në rrjetet sociale të Sechinës tregojnë se jahti që ajo përdor është i regjistruar në ishujt Kajman, bazuar nga flamuri. Jahti St. Princeshë Olga gjithashtu i përket një kompanie nga ishujt Kajman, Serlio Shipping Ltd.

Përputhja e itinerareve
Ngjashmëritë në detaje strukture dhe arredimi nuk janë të vetmet prova se St. Princeshë Olga është përdorur thuajse ekskluzivisht nga gruaja e Sechin. Duke krahasuar itineraret e jahtit me fotot e llogarive të Sechina dhe përdoruesve të tjerë, “OCCRP” dhe “Novaya Gazeta” gjeti shumë lidhje.
Për shembull, më 13 korrik, Sechina publikoi një foto të sajën me një mjet lundrues në Ibiza të Spanjës.
Tre ditë më herët, më 10 korrik, kompania “Superior Design” publikoi në faqen e vet të Facebook një foto të St. Princeshë Olga në Port Adriano, në ishujt Belarik pranë Ibizës.
Më 14 korrik, përdoruesja e Instagramit @carolfeith publikoi videon e të njëjtit jaht pranë ishujve belarikë.
Vetëm një vit më parë, më 19 korrik 2015, Sechina publikoi një foto në Instagramin e saj nga Venecia e Italisë. Sistemet e gjurmimit të anijeve tregojnë se në të njëjtën datë, St. Princeshë Olga ishte në Venecia.
Shembujt shtrihen për disa vite. Më 4 maj 2015, Sechina publikoi një foto në Instagram nga Kapri, Itali. Edhe një herë, St. Princeshë Olga u gjurmua pranë ishullit të Kaprit në të njëjtën ditë. E njëjta gjë vlen edhe për Korsikën më 14 qershor 2014.
Gazetarët nga “OCCRP” dhe “Novaya Gazeta” kanë zbuluar gjashtë përputhje mes vitit 2014 dhe 2016 kur itineraret e jahtit korrespondonin me udhëtimet e dokumentuara të Sechinas. Numri i fotove të jahtit të dukshme në postimet e Sechinës në rrjetet sociale gjatë asaj periudhe tregon se ajo po përdorte vazhdimisht St. Princeshë Olga.

Sa mund të kushtojë
Çmimi i saktë i St. Princeshë Olga nuk mund të përcaktohet. Çmimi i një jahti luksoz varet nga shumë gjëra, si për shembull nga mënyra sesi pjesa e jashtme e mjetit lundrues është ndërtuar apo se si janë dizenjuar pjesët e brendshme dhe mobiliet. Por anijet e gjatësisë dhe dizajnit të ngjashëm shiten për 190 milionë dollarë.
Vënia në punë e një superjahti është aq e shtrenjtë saqë e bën atë luks vetëm për më të pasurit e botës. Sipas Towergate Insurance, kostot mesatare të një jahti përfshijnë rrogat e ekuipazhit, mirëmbajtjen, sigurimin dhe tarifat portale. Kostoja e karburantit shkon rreth 500 litra në orë ose thuajse 2000 dollarë/ora. Studimi i Towergate thotë se pronarët mund të paguajnë deri në 10 për qind të kostos fillestare të jahtit si kosto operacionale në vit. Sipas këtij vlerësimi, Princeshë Olga do të kushtonte plot 19 milionë dollarë në vit për të funksionuar.
Bashkëshorti i Sechinës, Igor është një nga menaxherët më të paguar në kompanitë shtetërore në Rusi. Vitin e shkuar “BBC” raportoi se bordi i drejtorëve të Rosneft miratoi një rrogë për Sechin që arrin deri në 11.8 milionë dollarë (përfshirë bonuset). Ai nuk i ka raportuar të ardhurat dhe pasuria e tij nuk njihet.
Është e pamundur të përcaktosh plotësisht nëse Sechin i ka paratë për të blerë dhe vënë në punës St. Princeshë Olga, por ka pak gjasa që të mbështetet veçanërisht në rrogat e tij të raportuar në “BBC”.
Është teorikisht e mundur të marrësh me qira vazhdimisht një jaht, megjithëse qiratë e superjahteve të gjatësive të ngjashme të pajisura si St. Princeshë Olga fillojnë nga 1 milion dollarë java.
Në një letër për “Novaya Gazeta”, një përfaqësues i Rosnef tha se kompania “nuk beson se është e mundur t’i përgjigjet pyetjeve për jetën dhe pronën private të punonjësve të saj”.
Përfaqësuesi gjithashtu paralajmëroi se ata që ishin të përfshirë në “mbledhjen dhe përdorimin e paligjshëm të informacionit të paverifikuar mund të mbajnë përgjegjësi ligjore”.
“OCCRP” dhe “Novaya Gazeta” mblodhën informacion nga profilet e hapura për publikun në rrjetet sociale që u fshinë pasi gazetarët pyetën rreth përmbajtjes së tyre.
Përfaqësuesi gjithashtu tha se, sipas tij, “Novaya Gazeta” dhe “OCCRP” janë pjesë e një fushate denigruese kundrejt kompanisë, por nuk u shpreh se nga kush apo pse.