Sadiku spektakolar ndaj Villarealit

Armando Sadiku është njeriu i momentit, te kuqezinjtë, por dhe te klubi i tij i Zyrihut. Goli i shënuar ndaj Villarealit, që në minutën e 2-të të sfidës ishte një perlë e vërtetë, pavarësisht se nuk e ndihmoi ekipin e tij zviceran që të merrte një rezultat pozitiv në “El Madrigal”, ku nëndetësja e verdhë arriti të fitojë në fund 2-1. Sulmuesi shqiptar në një lidhje telefonike për mediat u shfaq mjaft i kënaqur për golin e realizuar, ndërsa foli dhe për merkaton. “Jam shumë i kënaqur për golin e realizuar dhe pse i keqardhur që në fund nuk arritëm të fitonim. Po kaloj një moment mjaft të mirë dhe besoj se ky gol i shënuar është dhe pasojë e këtij fakti. Sa i përket merkatos, tani ajo është e mbyllur, kështu që nuk mendoj më për këtë fakt”, u shpreh Sadiku.
Në intervistën e tij telefonike, Sadiku shpjegoi dhe të gjithë dinamikën e golit të shënuar ndaj Villarealit. “Kur mora topin kisha një kundërshtar përballë dhe bëra një finte duke arritur të lirohem. Në fillim doja të pasoja te kolegu im i skuadrës që gjendej në krahun e djathtë timin pasi m’u duk i lirë, por më pas ai avancoi pak më tepër dhe mendova të godas portën duke qenë se kisha hapësirën e nevojshme. Jam shumë i kënaqur që gjithçka shkoi mirë dhe pse në fund nuk arritëm të fitonim”, tha ai.
Deri në këto momente gjatë këtij sezoni, Sadiku ka mundur të shënojë në total pesë gola me Zurihun, në 7 ndeshje, katër prej të cilëve në kategorinë e dytë zvicerane.