Rruga e vetme, rrëzimi i qeverisë

Rrëzimi i qeverisë është rruga e vetme për nxjerrjen e vendit nga gremina ku është fundosur sot. Ish kryeministri u bëri thirrje dje qytetarëve të ngrihen për të rrëzuar qeverinë e shndërruar në një organizatë kriminale. “Ju bëj thirrje qytetarë të Tiranës, të dëshmoni lartësinë e përgjegjësisë qytetare që keni para vetes, para familjes, por dhe para gjithë shqiptarëve si banorë të kryeqytetit, që është zemra dhe truri i kombit, t’i japim duart kësaj organizate kriminale, ta rrëzojmë sa më parë sepse kjo është rruga e vetme që qytetarët shqiptarë, demokratë, socialistë dhe të çfarëdolloj bindjeje të votojë me dinjitet të plotë si qytetar evropian, ta rrëzojmë këtë qeveri, e cila po vjedh në mënyrë monstruoze pasuritë tuaja dhe po i shndërron në pasuri të veta, e cila po rrethon Shqipërinë në një izolim të ri, ta rrëzojmë sepse ne dhe vetëm ne, nga ne presin shqiptarët kudo që janë përndryshe ju, fëmijëve tuaj, miqve tuaj ju pret ose eksodi ose droga. Unë kam besim të madh se koha jote Edvin Shullazi, ka marrë fund” tha Berisha.
Berisha tha se Shqipëria është në momentin më kritik të saj ndërsa theksoi se makineria kriminale e qeverisë vazhdoi me të gjithë instrumentet e saj për të mos lejuar një krahinë (Dibrën), një rreth të votojë me vullnetin e tij. “Po ky është një krim i shëmtuar. Unë edhe dje e theksova, por edhe sot e theksoj, për opozitën dhe qytetarët shqiptarë, por në radhë të parë për qytetarët e Tiranës, se Shqipëria është në momentin më kritik të saj, kurrë ndonjëherë ajo nuk ka qenë në një situatë të tillë kritike. Vendin e ka mbuluar një vello e zezë, velloja e krimit dhe e kanabisit. Ka një debat që pse të mos lejohet kanabisi, të marrim dhe ne ca para dhe të fitojmë zgjedhjet. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. I bëj thirrje popullit opozitar; kurrë mos pranoni një gjë të tillë, sepse me këtë gjë i bëni gjëmën fëmijëve në radhë të parë, me këtë pikëpamje, ai mund të shohë fëmijët e tij nesër përdorues droge të përmbajtur, me këtë pikëpamje ai humbet dhe bie në varësi të krimit, të monopolistëve të kanabisit dhe kryemonopolistit Edi Rama. Kurrë mos e pranoni. Pavarësisht se kanabisi prodhon male me para për kriminelët, por ne kjo duhet të na bëjë shumë herë më të vetëdijshëm se, problemi i saj nuk zgjidhet as në Peshkopi, as në Kurvelesh, as në Dukagjin. Problemi i saj zgjidhet vetëm në Tiranë” tha ish kryeministri.
Nga ana tjetër, Berisha tha se Rama nuk do të mund të mbulojë dot aferat, lidhjet me krimin e drogën si dhe skandalet e tij, duke u fshehur pas mashtrimeve dhe recitimeve. “Ndërkohë nuk tha një fjalë për kryeartikujt e “New York Times”, “Uashington Post” për paraqitjen e tij si Bilal hanëm. U regjistrua vetë dhe dha 80 mijë dollarë për t’u regjistruar si hanëmi i Bilalit dhe e bëri për modernitet se mendonte që kur të shkonte te Obama si çift gay do të mendonte Obama që ja dhe në Shqipëri e paskemi një kryetar partie gay. Por në fakt doli me këpucë të kuqe, opingat e Sheros janë lule para këpucëve të kuqe. Në Konventë nuk u pranua, nuk guxoi të shkonte, por pret 3 tetorin dhe dridhet, gjyqin e bashkëshortit të tij Bilal. Dielli me shoshë nuk mbulohet. Foli e foli kaq gjatë dhe në cilën ditë? Ditën e Riformatos nr. 2. A e dini që një Riformato bis është në Ishëm dhe se kishte ardhur të merrte drogën e qeveritarëve? A e dini që ai Riformato bis ka kohë që fluturon dy herë në javë në Ishëm? Atëherë çfarë mbetet këtu për të thënë për Dibrën. Unë fola pak qëparë, e thashë se është një varrezë tjetër e votës së lirë, por me asgjë s’mund të mbulojë implikimin e tij kokë e këmbë në krim. Meqë jemi te kanabisi, ju dilni këtu me raporte, dilni me vjersha, me recitime, por e vërteta është se vetëm sa bëheni më kanabistë se ç’jeni”, u shpreh Berisha ndër të tjera.

A.Shahini