Rreziku për 15 mijë studentë

241

Myqerem TAFAJ

Rreth 15 mijë studentë rrezikojnë pranimin në studimet “Master i Shkencave” për shkak të gjuhës së huaj. Zbatimi i kriterit të gjuhës së huaj në pranim duhet shtyrë për dy vjet.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë, është parashikuar si kusht, për pranimin në studimet e ciklit të dytë “Master i Shkencave”, njohja e një prej pesë gjuhëve të huaja, përkatësisht anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Neni 76, pika 4, thotë: “4. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i Shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjish. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Niveli i njohjes së gjuhës së huaj, përcaktohet me akt nënligjor të Ministrisë përgjegjëse të Arsimit të Lartë”.
Udhëzimi i MAS ka përcaktuar si nivel të njohjes së gjuhës së huaj atë “C1”, i cili është një nivel i lartë i zotërimit të një gjuhe të huaj.
Ky kusht pranimi është jo vetëm i pa zbatueshëm, por edhe i papranueshëm nga këndvështrimi i praktikave normale të hyrjes në fuqi dhe zbatimit të ligjeve të reja. Si i tillë, ai do të penalizoj këtë vit rreth 15 mijë studentë të universiteteve publike dhe private, të cilët, për pamundësi të dhënies së provimit të gjuhës së huaj në një nivel kaq të lartë, nuk mund të fillojnë studimet e ciklit të dytë “Master i Shkencave” në këtë vit akademik, edhe po të kenë përfunduar shkëlqyer studimet e ciklit të parë.
Ligji ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2015, kur studentët e nivelit të parë ishin në vitin e fundit të studimeve.
Sipas praktikave normale ligjore, ndryshime të tilla hyjnë në fuqi për studentët që fillojnë studimet universitare të ciklit të parë, mbi bazën e të cilit ndërtohet cikli i dytë i studimeve. Përse e them këtë? Sepse, jo vetëm studentët, por edhe universitetet duhet të kenë kohë të mjaftueshme për të përgatitur studentët, për përmbushjen e këtij kriteri të ri jo të lehtë. Pra, ky nen mund të hynte në fuqi vetëm për studentët që filluan studimet e ciklit të parë në vitin e kaluar akademik, të cilëve u takon të fillojnë studimet “Master i Shkencave” në vitin akademik 2018/19.
Të pretendosh që ky kriter të zbatohet që këtë vit akademik është arrogancë e pastër që tregon qeveria ndaj të rinjve. Ne nuk e kemi votuar këtë ligj, por dhënia e kohës së nevojshme për hyrjen në fuqi të këtij neni ka qenë një nga ndryshimet që kemi propozuar në Komision, i cili, si shumë e shumë të tjera, u hodh poshtë me arrogancë nga mazhoranca.
Habitem që universitetet nuk po e shtrojnë këtë shqetësim, i cili dëmton mbi 15 mijë studentë. Universitetet nuk mund të jenë indiferentë ndaj kritereve të tilla jo realiste dhe arrogante të qeverisë.
Eshtë plotësisht e mundur dhe e bazuar juridikisht që ky kriter të fillojë të zbatohet pas dy vitesh dhe studentët të vazhdojnë të japin provimin e gjuhës së huaj, sipas standardeve internacionale, përpara diplomimit në studimet Master.
Madje, vetë ligji është jo logjik. Ky kriter nuk zbatohet për Studimet e Integruara të Nivelit të Dytë (DIND) në fushën e Mjekësisë, Veterinarisë, Arkitekturës, etj. Eshtë diplomë krejtësisht e njëjtë me Master i Shkencave dhe kështu quhet edhe në titull. Përse dy standarde të ndryshme?
MAS duhet të tërhiqet nga ky kriter dhe të ndryshojë nenet 76 dhe 135 të Ligjit, për të respektuar të drejtat e studentëve. Ka raste konkrete kur MAS nuk ka zbatuar kritere të ngjashme. P.sh. nuk e zbatoi kërkesën e Ligjit të Arsimit Parauniversitar për dhënine e gjuhës së huaj si provim i detyruar në Maturën 2015, por e shtyu me një vit.
Nëse MAS nuk tërhiqet, atëherë ne si opozitë do të prozojmë një amendament ligjor, dhe  mazhoranca le ta hedhë poshtë, nëse do të shkelë mbi të drejtat e mbi 15 mijë studentëve.