Rinovim për Dybala

Në këtë fillim sezoni mund të ishin të shumtë ata që kishin dyshime se çfarë Napoli do të ishte pas largimit të Gonzalo Higuain, por skuadra e Sarrit i ka dhënë një përgjigje të mirë tifozëve të saj. 4 golat e shënuar ndaj Benfikës janë një motiv më shumë për të besuar te efikasiteti i të kaltërve dhe fakti që erdhën të nesërmen e fitores 4-0 të Juventusit në Zagreb janë një përgjigje e mirë ndaj rivalëve bardhezinj.
Gonzalo Higuain po shkëlqen te Juve, por për momentin askush në “San Paolo” nuk ndien efektin e largimit të bomberit. Në 8 ndeshjet e para të sezonit të kaluar, Napoli shënoi 19 gola, këtë vit ka arritur në kuotën e 20 golave. Teorikisht Sarri është i avantazhuar pasi punon me një grup tanimë të kolauduar dhe e njeh më mirë ambientin ashtu siç vlen të kujtohet se vjet në këtë kohë luante në Europa League, ndërsa tani në Champions.
Pa Higuain ishte e pritshme që nderi i golit të shpërndahej mes shokëve të skuadrës, me zëvendësuesin e tij Milik që ka arritur në kuotën e 7 golave, Higuain kishte shënuar 6 deri në këtë fazë, ndërsa Callejon ka arritur në kuotën e 5 golave, Mertens 4 dhe Hamsik 3. Ka nisur të japë kontributin e tij dhe Gabbiadini që zhbllokoi rezultatin të shtunën ndaj Chievos. Napoli në verë humbi kryegolashënuesin e Serisë A Higuain që shënoi 36 gola në 35 ndeshje, por megjithatë sot ka sulmin më të mirë të Serisë A bashkë me Romën në kuotën e 14 golave në kampionat. Loja e skuadrës frymëzon kualitetin e individëve, në Champions është me pikë të plota si vetëm dy skuadra të tjera për momentin, Barcelona dhe Atletiko e Madridit, pa dyshim ndoshta është shpejt për t’u ndier në nivelin e tyre, por mjafton për t’u konsideruar një skuadër e madhe.
Juventusi tenton të blindojë Paolo Dybala. Drejtori sportiv i bardhezinjve Beppe Marotta ka nisur bisedimet me menaxherin e sulmuesit, në lidhje me rinovimin e kontratës të yllit argjentinas. Në rast se arrihet marrëveshja, sulmuesi 22-vjeçar, do të qëndrojë me klubin bardhezi deri në vitin 2021. Gjatë merkatos së verës Barcelona tentoni ta trasnferonte sulmuesin, por në fund nuk ia doli. Nisur nga kjo drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i ofrojnë argjentinasit përveç rinovimit të kontratës dhe rritje page, e gjitha kjo për të shmangur rrezikun e largimit të futbollistit. La “Joya” momentalisht përfiton 3 milionë euro dhe nëse arrihet marrëveshja pritet që kjo shumë të shkojë në 4.5 milionë euro.
Largimi i Pol Pogba gjatë merkatos së verës në drejtim të Man.United ka bërë që kampionët e Italisë të vihen në lëvizje, në mënyrë që të mos lejojnë të humbasin dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm siç është Dybala. Gjithashtu pritet që sulmuesit t’i ofrohet dhe numri 10-të, për t’i dhënë akoma dhe më shumë peshë në radhët e skuadrës talentit argjentinas. Sulmuesi, ka bërë dhe debutimin e tij me kombëtaren argjentinase, në takimin kundër Paraguajit, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018”. Kështu, Juventusi me anë të kësaj lëvizjeje i bën të qartë të gjitha klubeve që janë të interesuara për 22-vjeçarin se, e ardhmja e tij është e lidhur me fanellën e kampionëve të Italisë.