Remitancat në pikiatë,154 milionë euro më pak në tremujorin e dytë 2016

Shqiptarët që punojnë jashtë vendit po sjellin në vend gjithmonë e më pak dërgesa në valutë për familjet e tyre. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, remitancat për tremujorin e dytë të këtij viti kanë pësuar një rënie me 5% ose 154 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rënia e dërgesave shpjegohet me krizën ekonomike që ka prekur vendet fqinje. Dërgesat e emigrantëve në Shqipëri vijojnë të pësojnë  rënie të vazhdueshme. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tre muajt e dytë të 2016, remitancat kanë rënë me 5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, hyrjet në formën e dërgesave të emigrantëve gjatë kësaj periudhe ishin 154 milionë euro më pak. Ndikimi kryesor në rënien e remitancave ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë dy vendet fqinje, Italinë dhe Greqinë, çka ka ulur ndjeshëm fitimet e emigrantëve shqiptarë. Ekspertët vlerësojnë se, rënia e dërgesave të emigrantëve do të ndikojë në përkeqësimin e konsumit në vend, pasi një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare mbulonin shpenzimet e përditshme pikërisht nga këto të ardhura.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti remitancat arritën në 128 milionë euro, me rënie vjetore 13.8 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kundrejt fundit të vitit 2015, rënia vlerësohet në 25.9 milionë euro. Ekspertët argumentojnë se pakësimi i këtij fluksi valute ishte i pritshëm dhe duhet të ishin marrë masa, me qëllim që efektet të mos ndiheshin në ekonomi dhe sidomos te konsumi i familjeve shqiptare.
Emigrantët në Itali, Greqi e vende të tjera u kanë dërguar të afërmve të tyre në Shqipëri 290 milionë euro në 6 muajt e parë të vitit 2016. Kjo shumë është 4.6% më e ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, megjithatë vijon të mbetet më e lartë se periudha përkatëse 2013-2014. Megjithatë në tremujorin e dytë, ritmi i rënies së remitancave është ngadalësuar, teksa për periudhën janar-mars ato ranë me 10%. Pasi remitancat shënuan rënie të vazhdueshme pas kulmit të arritur në vitin 2007, rrjedhojë e tendencës ciklike dhe krizës globale, në 2015-ën, ato nisën sërish rritjen. Kjo dukuri u shpjegua nga ekspertët me rigjallërimin e emigracionit. Në gjysmën e parë të 2015-ës, remitancat u rritën me rreth 18%. Por, gjysma e dytë shënoi sërish rënie, ku efektin kryesor e dha kriza në Greqi, teksa shteti helen rrezikoi deri daljen nga euro dhe mbylli bankat e ndaloi transfertat në korrik.
Në tremujorin e tretë, paratë që emigrantët dërguan në shtëpitë e tyre ranë me 18%, tendencë që vijoi dhe në muajt e fundit, ndërsa për gjithë vitin, ato u rritën me 1%. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada, ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar 10 mijë. Sipas censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Rigjallërimi i emigracionit vitin e fundit (pavarësisht kthimeve të larta një pjesë do të arrijnë të integrohen) pritet të zgjasë më tej ciklimin e remitancave në vend.