Rei Manaj titullar ndaj Kievos

Trajneri i Peskarës, Masimo Odo, më në fund ka vendosur t’i japë shansin Rei Manajt për ta filluar si titullar një takim të Serisë A. Në konferencën e sotme për shtyp, ai ka konfirmuar se në takimin e nesërm ndaj Kievos, sulmuesi shqiptar do të jetë në fushë që nga fillimi.
“Manaj do të jetë titullar ndaj Kievos bashkë me Benalin dhe Kaprarin. Këto zgjedhje i kam bërë në bazë të karakteristikave të kundërshtarit, por për Manajn gjithashtu ka ndikuar forma e mirë që ai po kalon”, ka thënë Odo.
Rei Manaj ka shënuar 2 gola në 6 javë të Serisë A, ku është aktivizuar vetëm në 5 prej tyre dhe në të gjitha si zëvendësues. Javën që kaloi ai shënoi një gol shumë të rëndësishëm në transfertën e Xhenoas, duke barazuar rezultatin dhe siguruar 1 pikë për Peskarën.