Rama nuk tërhiqet nga kapja e drejtësisë, përmbyset Kushtetuta me ligje

Bylykbashi: “Mazhoranca kërkon që me ligj të zhbëjë Kushtetutën e miratuar më 22 korrik të këtij viti. Me ligj të kthejë, të fusë në proces ato që konsensusi politik i hoqi filtrat që do të kapnin politikisht kandidatët që i vijnë Kuvendit për t’u votuar si anëtarë jo gjyqtarë apo jo prokurorë në KLGj dhe KLP”
Rama i rikthehet përpjekjeve për kapjen e drejtësisë duke u përpjekur që të rrëzojë marrëveshjen e arritur me miratimin e ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik, posaçërisht në lidhje me pikën më delikate të kësaj reforme e që ka të bëjë me emërimet në KLP dhe KLGJ (Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor). Konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës mbi paketën ligjore për reformën në drejtësi është thyer përfundimisht me ligjin për organet e qeverisjes të sistemit gjyqësor. Pas rreth 6 orë debatesh dhe diskutimesh opozita ka braktisur mbledhjen, pasi mazhoranca ka miratuar e vetme nenin 3 të ligjit që flet për përbërjen dhe mandatet e anëtarëve të KLGJ dhe që PD i vlerëson si antikushtetues.
Në një prononcim për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi bëri të ditur se mazhoranca po kërkon që të zhbëjë ndryshimet kushtetuese të miratuara në seancën e 22 korrikut me synimin që të heqë pengesat e vendosura në Kushtetutë për moskapjen e drejtësisë nga politika. “Dolëm nga mbledhja e komisionit ku shqyrtohet ky ligj shumë i rëndësishëm. Sot debati ishte i gjatë, thelbësor.
Ajo që sapo bëri me nenin e parë, mazhoranca ishte që me votim kërkon që me ligj të zhbëjë Kushtetutën e miratuar më 22 korrik të këtij viti. Me ligj të kthejë, të fusë në proces ato që konsensusi politik i hoqi filtrat që do të kapnin politikisht kandidatët që i vijnë Kuvendit për t’u votuar si anëtarë jo gjyqtarë apo jo prokurorë në KLGj dhe KLP. Pra, duan që me ligj, që me mazhorancën e tyre të zhbëjnë jo vetëm konsensusin politik, por germën dhe frymën e nenit kushtetues, në mënyrë të veçantë nenit 147. Kërkojnë që nëpërmjet instrumenteve të tyre të dërgojnë emra të caktuar dhe Kuvendi të jetë vetëm një votues i këtij vullneti politik të kontrolluar, atë që deshën të bënin dikur dhe e rrëzoi marrëveshja politike, atë kërkojnë që të bëjnë sot. E miratuan, ne e votuam kundër dhe për rrjedhojë dolëm nga komisioni”, thekson Bylykbashi.
Bylykbashi tha se me ligj mazhoranca po rrëzon ndryshimet kushtetuese, ndërsa po fut në sistem institucione që nuk parashikon ligji themeltar. “Me këtë votim sot është e kotë çdo lloj debati përsa kohë thyejnë konsensusin dhe Kushtetutën haptazi. Kushtetuta përcakton organet dhe procedurën për zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë, i famshmi paragrafi 88. Debatin e gjatë dhe ndërhyrjen ndërkombëtare për këtë çështje. Nëpërmjet procedurës së sotme po futin organe që nuk ekzistojnë në Kushtetutë. I shesin për procedurë, por nuk mund të jenë procedurë mbledhja e drejtuesve të fakulteteve të Drejtësisë apo bordi i Dhomës së Avokatisë.
Përpiqen t’i shesin si procedurë për t’u shtuar me ligj, por në fakt po shtojnë organe jo kushtetuese që do të filtrojnë vullnetin e Kuvendit. Kjo është haptazi në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe rrënon në themel konsensusin që çoi në miratimin e Kushtetutës më 22 korrik. Sigurisht nëse do të ishte respektuar marrëveshja kjo maskaradë nuk do të kishte ndodhur. E bënë të qëllimshme pikërisht për këtë: që me 84 vota apo sado që të kenë të ndryshojnë atë që u arrit më 22 korrik”, tha Bylykbashi.
Opozita ka shprehur rezervat e saj edhe në lidhje me ligjin për organizimin e Prokurorisë, ndërsa ka shprehur shqetësimin mbi ngërçet që krijon ky ligj në funksionimin e organit të akuzës, si dhe dobësimin e rolit të prokurorit të Përgjithshëm. Janë 6 çështje thelbësore që ekspertët demokratë propozuan për ligjin që sipas tyre nuk u morën parasysh nga mazhoranca. Nënkryetari i Komisionit të Reformës të Drejtësisë, Oerd Bylykbashi foli pak ditë më parë për përkeqësim të ligjit për Prokurorinë.
“Ligji shkon dhe përkeqëson rolin e prokurorit të Përgjithshëm, duke dobësuar dhe çuar gravitetin tek drejtuesit e prokurorive të rretheve, gjë që nuk është parashikuar nga Kushtetuta. U përpoqëm që të përmirësojmë maksimalisht defektet që ka drafti i paraqitur në Komision. Ligji shkon dhe përkeqëson rolin e prokurorit të Përgjithshëm duke dobësuar, çuar gravitetin tek prokurorët e prokurorive në rrethe. Kjo nuk është parashikuar në Kushtetutë. Mazhoranca refuzoi që të bënte atë që bëri dje në lidhje me ligjin për SPAK që të kishte një dispozitë transitore që do të rregullonte vazhdimin e prokurorit të Përgjithshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me pretendimin se ky tranzicion do të ishte antikushtetues, kjo bie ndesh me atë që bëmë dje”, tha Bylykbashi.

A.Shahini