Rama, drogim Europës me hashash, reagimi i KE

Komisioni Europian po monitoron nga afër situatën e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë në lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Nabila Msrali deklaron se Brukseli është në pritje të rezultateve të hetimeve për rrëzimin e avionit në Ishëm dhe se të dhënat e fundit për betejën e autoriteteve shqiptare kundër drogës dhe korrupsionit do të jenë pjesë e progres raportit për vendin tonë, që pritet të bëhet publik në muajin tetor.

– Rrëzimi i një avioni italian në fushën Ishëm, që raportohej se mbante drogë, është bërë objekt i një hetimi. Piloti italian (Guido Andrea Guidi) u tha prokurorëve shqiptarë që ai është paguar 20 mijë euro për transportimin e 200 kg kanabis nga Shqipëria në Itali. Sipas të përditshmes italiane “Corrierre della Sera” të 18 shtatorit, gjatë marrjes në pyetje, piloti italian ka dhënë disa emra lidhur me një organizatë të trafikut të drogës, e cila është tashmë nën mbikëqyrjen e Guardia di Finanzia për transportin e sasive të mëdha të drogës në Puglia. Duke qenë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prioritet, a po e monitoron Komisioni Evropian monitorimin e situatës në trafikun e drogës në Shqipëri?
Do ju referoja edhe një herë te deklarata e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini gjatë Këshillit të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri. Po e citoj: “Krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafiku i drogës janë çështje që Shqipëria duhet të trajtojë dhe t’i zgjidhë. Ajo që shoh është një angazhim i fortë i autoriteteve për t’u përballur me këto fenomene dhe shoh gjithashtu që puna është në vijim. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të përmirësuar situatën, kryesisht për qytetarët shqiptarë. Ata kanë të gjithë të drejtën që të jetojnë në një vend të çliruar nga këto fenomene që kanë rënduar shumë në të shkuarën”. Përveç kësaj, mund t’ju them, se Komisioni Evropian është duke monitoruar në mënyrë konstante situatën lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në Shqipëri. Ne jemi në dijeni të aksidentit që ka ndodhur javën e shkuar në Ishëm dhe ne presim që autoritetet kompetente të vijojnë me një trajtim gjyqësor të ndershëm dhe efektin ndaj kësaj çështjeje.

– Nuk është një rast i izoluar. Në mediat shqiptare rrëzimi i avionit është krahasuar me një tjetër rrëzim avioni në maj 2014. Përveç kësaj, sot (dje) në mëngjes, Guardia di Finanzia ka gjetur 1 ton kanabis në një gomone të braktisur që vinte nga Shqipëria në brigjet e Brindisit. Këto fakte pasojnë raportin e publikuar më 17 gusht në mediat shqiptare, që i referohen një ekzistence prej 363 zonash të plantacioneve të kanabisit në Shqipëri. A keni qenë të informuar nga delegacioni i BE-së në Tiranë për këto raste? A do të dërgoni një mision ekspertësh në Shqipëri për luftën e krimit të organizuar dhe trafikun e drogës dhe a do të përfshihen këto në progres raport?
Delegacioni i BE-së në Tiranë po ndjek çështjen dhe është i informuar. Komisioni Europian organizoi një mision vlerësimi për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në gusht në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së dhe me ekspertë të shteteve anëtare lidhur me forcimin e kapacitetit ligjor. Vlerësimet e marra janë përdorur gjatë hartimit të progres raportit për Shqipërinë që do të publikohet në tetor. Bashkimi Evropian ofron gjithashtu ekspertizë të specializuar teknike shtetit shqiptar, policisë dhe Prokurorisë shqiptare përmes programit PAMECA 4 për konsolidimin e kapacitetit të shtetit ligjor në vend.

Marrë nga “ABC News”