PSG kthen ultrasit pas 5 vitesh

Vendi i katërt në klasifikim, katër pikë larg Nice. Kritikat për një ndryshim në stol që nuk është vlerësuar pozitivisht nga senatorët në dhomat e zhveshjes, loja që nuk bind me stilin e ri të propozuar nga Unay Emery. Janë të gjitha indiciet për një PSG që ka shumë nevojë për mbështetje, edhe në tribunat e stadiumit. Ndaj dhe këtë të shtunë, për ndeshjen kundër Bordeaux, në shkallët e “Parc des Princes” do të kthehen dhe ultrasit. Është një revolucion i vërtetë për një klub që e kishte përjashtuar kategorinë e tifozëve më të nxehtë prej 5 vitesh. Pas konflikteve, kontestimeve dhe protestave, tani presidenti Al Khelaifi ka vendosur t’i japë një shans të ri atyre tifozëve që në të kaluarën ishin akuzuar për episode dhune në “Parc des Princes”.
Në vitin e fundit, ultrasit parisienë janë riorganizuar në një shoqatë më të denjë, me rregulla të qarta kundër dhunës, kundër racizmit dhe me të vetmin objektiv, “nxehjen” e tribunave të stadiumit që kishte humbur euforinë që nga 2011 me “Parc des Princies” në një lloj teatri me tifozë që shpesh mendonin më tepër për të vërshëllyer idhujt e tyre, çka solli dhe episode pakënaqësie me Zlatan Ibrahimoviç apo me kapitenin e tanishëm Thiago Silva, që kishin kërkuar shpesh një mbështetje më të fortë.
Episodet e dhunës të viteve më parë që i praprinë shitjes së klubit, çuan në një zgjidhje drastike të problemit ultras me lista personash që u përjashtuan nga stadiumi. Që nga kjo e shtunë anëtarët e “Ultras Paris”, mund të rikthehen në stadium, për t’i dhënë jetë tifozerisë së vërtetë, duke hyrë kështu në një fazë prove gjatë së cilës nuk do të tolerohen incidentet që mund të sjellin sërish ndalimin e ultrasve për të hyrë në stadium.