Pse nuk e tradhëtova Bajernin për Realin

Diferenca mes profesionistëve të zakonshëm dhe punëtorëve të apasionuar është lidhja që krijohet në vendin e punës me kolegët dhe shefat. Shkëmbimi i ideve, përshtypjeve dhe emocioneve është vendimtar. Ançeloti është njëri prej atyre që i beson shumë frymës së grupit për të fituar, si brenda ashtu edhe jashtë fushe.
Dhe sot lojtarët më të mirë në botë e respektojnë jo vetëm si një trajner të madh, por edhe për raportet njerëzore që ai krijon me ta. Ata janë gati të luftojnë për të. Në këtë merkato të gjatë të kësaj vere pamë edhe tentativat e Realit për të transferuar Lewandowskin në Madrid.
“Pas 6 viteve në Gjermani është normale të shohësh përreth në kërkim të stimujve të rinj”, tha polaku, por që në fund qëndroi edhe për meritë të Ançelotit. “Për mua, besimi i Ançelotit ka vlerë të madhe”, shpjegon bomberi për “Sport Bild”. “Që një trajner kaq i rëndësishëm dhe i sapoardhur i thotë klubit që të mos më shesë ndaj asnjë çmimi, më bën krenar”. Për këtë arsye, flirti me Realin zgjati pak dhe nuk u bë kurrë diçka serioze.
“Nuk jam marrë kurrë me ofertën e tyre. Nuk kam pse dëgjoj të gjitha klubet e interesuara për mua. Veç të tjerash, Bajerni tha menjëherë se unë isha i pashitshëm, prandaj kjo temë u mbyll aty. Rinovimi? Kam edhe 3 vite kontratë, nuk kam presion. Skuadrës i kam thënë që jam gjithmonë gati për të folur. Jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje. Eksperienca e Ançelotit është e dukshme. Ai nuk bën shumë eksperimente, por më vendos aty ku kam pikat më të forta, në qendër të sulmit”.
Tripletë në turin e parë të kupës dhe tripletë edhe në debutimin në Bundesligë. Asgjë e re për bomberin 28-vjeçar, por që kur ai ka ardhur në Gjermani (2010) nuk kishte arritur kurrë të shënonte një dopietë në 4 ndeshjet e para të kampionatit: “Ishte një superfillim, loja sulmuese e skuadrës më pëlqen dhe po argëtohem, pasi kam shumë raste goli.
Por, edhe për mua dhe për skuadrën ka akoma punë për t’u përmirësuar. Mund të bëhem më i mirë, të shënoj më shumë. Është vetëm fillimi, do të na duhen dhe dy apo tri ndeshje të tjera për të arritur formën më të mirë dhe për të realizuar në fushë idetë e trajnerit”.