Protestuesit kërkojnë rikthimin e referendumit për kryeplehrën

Dhjetëra pjesëtarë të Shoqërisë Civile dhe aktivistë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) u mblodhën të hënën përpara Piramidës për të shprehur kundërshtimin e tyre për ligjin e importit të mbetjeve, rikthimin në axhendën parlamentare, të të cilit e quajtën një “rrufe në qiell të hapur”.
“Është për t’u habitur se si po rikthehen plehrat. Kryeministri që nga dita e parë në pushtet e ndaloi importin e plehrave në respekt të elektoratit të tij dhe 65 mijë votave kundër [të peticionit]”, tha në protestë një nga themeluesit e AKIP, Andi Tepelena.
“Ligji nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe pseudo dëgjesat e mbajtura nuk kanë përfshirë as Ministrinë e Bujqësisë apo atë të Turizmit… dhe as komunitetin e banorët e zonave”, shtoi ai.
Nga viti 2011 deri në vitin 2013, Shqipëria u përfshi nga një debat i gjerë kundër ligjit të importit të mbetjeve të riciklueshme, të cilën qeveria e drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha vendosi ta çojë për miratim në Parlament.
Pas nismës së udhëhequr nga Partia Socialiste për një referendum mbi këtë çështje, e cila mblodhi 64.000 firma, data e referendumit u caktua më 24 dhjetor 2013. Për shkak të presionit të madh qytetar, qeveria Berisha u tërhoq nga importi i mbetjeve në shtator 2013, duke shkaktuar anulimin e referendumit.
Megjithatë, aktivistët mjedisorë pretendojnë se rikthimi i ligjit në Parlament, u jep atyre të drejtën të rikthejnë automatikisht referendumin.
“Ata po riaktivizojnë objektivin [e referendumit] të vitit 2013 dhe ne do ta riaktivizojmë në këtë mënyrë referendumin”, u shpreh Tepelena.
Aktivistët shprehën gjithashtu skepticizëm për kapacitetet e Shqipërisë në riciklimin e mbetjeve nga jashtë, pa zgjidhur më parë problemin e mbetjeve urbane të vendit, ndërsa paralajmëruan se ky ligj mund t’i hapë rrugën importit të mbetjeve edhe më të rrezikshme si ato spitalore dhe kimike.
Ata gjithashtu e cilësuan biznesin e riciklimit të mbetjeve si një biznes “mafioz” dhe që do t’i sjellë përfitime një grupi të vogël njerëzisht, ndërsa do të varfërojë banorët e zonave dhe do të shkatërrojë mjedisin ku do të krijohen landfillet.
Rrahim Jata nga Lëvizja Ta Pastrojmë Shqipërinë, iu bashkua protestës së mjedisorëve, ku shprehu zhgënjimin e tij për riaktivizimin e ligjit, që sipas tij do të shkatërrojë përpjekjet e deritanishme të pastrimit vullnetar që synojnë futjen e Shqipërisë në hartën e turizmit për vizitorët e huaj.
“Jemi habitur të gjithë që nuk janë cituar ndikimet në mjedis apo nuk janë konsultuar grupet [e interesit]. Ne presim që qeveria të menaxhojë mbetjet që kemi dhe jo të krijojë ligj për importin e tyre”, tha Jata.
“Krimi mjedisor ka pasoja të mëdha te shtetet dhe në Shqipëri këto pasoja do të jenë edhe më katastrofale prej korrupsionit”, përfundoi aktivisti.
Një protestuese tjetër paralajmëroi se, rasti i Porto Romanos do të përsëritet nëpër të gjithë Shqipërinë, nëse nuk ndalohet ligji për importin e mbetjeve.
“Banorët e Porto Romanos gjatë verës nuk mund të hapin dritaret e shtëpive të tyre për shkak të djegies së plehrave. Ne jemi ngujuar në shtëpitë tona, ndërsa shohim sesi të njohurit tanë sëmuren çdo ditë nga kanceri”, tha në protestë një banore e kësaj zone.
“Nëse plehrat janë kushti që Shqipëria të hyjë në Europë, atëherë ne nuk duam të anëtarësohemi në BE”, përfundoi banorja e Porto Romanos.
Më pas, protestuesit marshuan më pas drejt selisë së Partisë Socialiste me thirrjet: “Nuk i duam plehrat” dhe “Jo plehrat në Shqipëri” dhe i kërkuan kryeministrit Rama të zbatojë Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut në vendimmarrje, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar.
Protestuesit paralajmëruan protestën e ardhshme të enjten përpara Parlamentit.

“BIRN”