Premier League thyen rekorde

Një merkato rekord në ligat më të mëdha europiane. Mbi të gjitha për Premier League, aty ku skuadrat kanë investuar plot 1 miliard e 400 milionë euro. Historike edhe shifra e arkëtimeve në Angli, me afro 800 milionë euro të ardhura nga shitja e lojtarëve. Një primat i ri, pasi gjatë verës së kaluar, Anglia kaloi për herë të parë në histori barrierën e 1 miliard eurove të shpenzuara në merkato. Dy skuadrat e Manchesterit, City i Pep Guardiolës dhe United, i Jose Mourinhos ishin aktorët kryesorë të transferimeve.
Pasi largoi disa prej yjeve të ekipit, si Nasri, Mangala, Bony dhe portieri Hart, Guardiola shpenzoi 213 milionë euro në rindërtimin e “Citizens”. Nuk mbetet më mbrapa edhe rivali i madh i katalanit, me Mourinho që te Djajtë e Kuq shpenzoi 185 milionë euro, ku me transferimin prej 105 milionë eurosh, Paul Pogba u shndërrua në lojtarin më të kushtueshëm në historinë e futbollit.
Chelsea i Antonio Contes shpenzoi afro 135 milionë euro në merkato, me goditjen më të shtrenjtë që ishte ajo për David Luiz, i cili u rikthye në “Stamford Bridge” për 40 milionë euro. Të tjera afrime të bluve ishin Batshuayi nga Marseille, N’Golo Kanté nga Leicester City dhe Marcos Alonso nga Fiorentina. Arsenali investoi mbi 113 milionë euro, ku goditjet më të mëdha ishin ato të dy lojtarëve shqiptarë, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi, të paguar nga 45 milionë euro secili.
Kampionët e Leicester City thyen tre herë rekordin e transferimeve të klubit, fillimisht me Nampalys Mendy për 15,3 milionë euro, më pas me Ahmed Musa me 19 milionë euro dhe në fund afruan Islam Slimani për 35,5 milionë euro nga Sportingu i Lisbonës. Në total, Claudio Ranieri shpenzoi 78,5 milionë euro te kampionët e Anglisë, nivele në të cilat ishin edhe investimet e Jurgen Klopp te Liverpool. Nga 20 skuadra të Premier League-s, plot 13 prej tyre thyen rekordet historike të klubeve për transferime gjatë kësaj vere.
Merkato e verës riktheu fuqishëm edhe Serinë A, që shpenzoi plot 705 milionë euro. Shifra përbën një rekord për futbollin italian. Juventusi dominoi me 162,5 milionë euro, ku me 90 milionë euro Gonzalo Higuain ishte blerja më e shtrenjtë. Bardhezinjtë afruan edhe emra si Pjanic, Dani Alves, Pjaca e Benatia. Në vendin e dytë, qëndron Interi me afro 109 milionë euro të shpenzuara, me rekordin që mbahet nga Joao Mario për 40 milionë euro. Zikaltërit paguan 28 milionë euro për Gabigol dhe 22 për Candrevan. Roma renditet e treta me 98 milionë euro, ndërsa Napoli i katërti me 73,5 milionë euro, ku 30 milionë u paguan për blerjen e Milik. Mjaft larg Milani, që pavarësisht ndryshimit të bujshëm të pronësisë, investoi vetëm 26 milionë euro në merkato.
Rekord transferimesh u vendos edhe në Bundesligën gjermane, me 543 milionë euro të shpenzuara. Borussia e Dortmundit ishte mbretëresha e merkatos, me 110 milionë euro, ku u rikthye Mario Gotze dhe u paguan 30 milionë euro për Andre Schürrle. Bayern Munchen shpenzoi 70 milionë euro vetëm për dy blerje: Mats Hummels nga Dortmund dhe Renato Sanchez nga Benfica, me Ancelotti-n që pagoi nga 35 milionë euro për secilin. Surpriza në Bundesligë ishte Leipzig, që me 46,5 milionë euro renditet e katërta, pas Wolfsburg-ut, me debutuesit që lanë pas vetes Bayer Leverkusen.
Me Barcelonën dhe Real Madrid që u përmbajtën disi, shpenzimet e përgjithshme në La Liga spanjolle ishin në kuotën e 492 milionë eurove. Katalanët investuan 157 milionë euro, me goditjen më të madhe që ishte Andre Gomes për 35 milionë. Atletico e Madridit pozicionohet e dyta me 81 milionë euro, nga të cilat 30 milionë për Kevin Gameiro. Në hije Reali i Madridit, që si asnjëherë renditet i pesti, i lënë pas edhe nga Sevilla e Villarreal. Edhe pse me 30 milionë euro Alvaro Morata është lojtari i tretë më i kushtueshëm në Spanjë, sulmuesi ishte blerja e vetme e “Los Blancos”. Ligue 1 humbi shumë prej yjeve të saj, e megjithatë u shpenzuan në total 190 milionë euro. Në merkato, kampionatin francez u kalua edhe nga Championship, me klubet e kategorisë së dytë angleze që investuan 210 milionë euro.