PPE: Kthesë më 2017, në krye të vendit një njeri si Lulzim Basha

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PPE, Patrick Voller, shprehu bindjen dje se me zgjedhjet e vitit 2017 vendi do të përjetojë një kthesë të rëndësishme me Lulzim Bashën kryeministër. I pranishëm në lançimin e Akademisë Politike, Voller shprehu vlerësimin e tij për rolin e Bashës në shumë procese të rëndësishme për vendin, rolin e opozitës sot në luftën kundër krimit, drogës, korrupsionit ndërsa theksoi se sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për vizionin dhe modelin e Lulzim Bashës.
Në mesazhin e tij gjatë lançimit të Akademisë Politike, zyrtari i lartë i PPE u shpreh:
“Së pari, do të doja t’u falënderoja për ftesën për të qenë i pranishëm në krijimin e kësaj akademie dhe më duket një ide e mirë. Kur u nisa sot herët në mëngjes nga Brukseli për të shkuar në aeroport, po mendoja se kur kisha qenë për herë të fundit në Shqipëri. M’u rikthye në kujtesë që kanë kaluar më shumë se 7 vite. Kam qenë në vitin 2009 kur isha folës në Forumin e Kras Montana së bashku me Kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, me temën e hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe investimet e huaja.
Viti 2009 ka qenë një vit shumë i suksesshëm me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe gjithashtu, me nisjen e kandidimit të Shqipërisë në BE. E kam theksuar atëherë dhe e ritheksoj që në atë kohë, ka qenë Partia Demokratike me z. Berisha që e futi vendin në shinat e duhura dhe arriti suksese. Në atë panel ne diskutuam së bashku me z. Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Jashtëm, për tema të rëndësishme për vendin si, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, zhvillimi ekonomik dhe siguria. Dhe sot pas 7 vitesh pyes veten si kanë ndryshuar gjërat dhe jo gjithmonë pozitivisht dhe përgjegjësi për këtë mban mazhoranca e sotme. Në këtë pikë, bëhet shumë i rëndësishëm roli i PD për të plotësuar dhe rregulluar ato gabime, sidomos për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe lëndëve narkotike dhe gjithashtu për t’i dhënë fund keqmenaxhimit. Një rol të rëndësishëm këtu luan rinia e partisë, por kësaj pike do i kthehem më vonë.
Në vitin 2014, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa në fund të 2015, u arrit që të miratohej edhe ligji i dekriminalizimit dhe mund të themi me plot gojën që ligji erdhi pas përpjekjeve shumë të mëdha të z. Lulzim Basha dhe mund të quhet si foshnja e tij. Mirëpo, kjo foshnjë ka nevojë të rritet, të ushqehet dhe të edukohet dhe pikërisht kjo është arsyeja që ne jemi këtu që të mos ngelet në letër, por të implementohet. Më kujtohen akoma me hollësi debatet që janë zhvilluar në verë për reformën në drejtësi dhe për të mbetur në gjuhën e metaforave, do të thoja që edhe kjo reformë është një foshnjë dhe shpresojmë që ajo të mos vinte në jetë me anë të një lindjeje të vështirë. Në deklaratën për shtyp, që presidenti i PPE, Jozef Daul bëri së fundmi, vlerësoi rolin e luajtur nga Partia Demokratike dhe veçanërisht nga kryetari i saj, Lulzim Basha. Sërish, falë bashkëpunimit konstruktiv të opozitës vendi arriti të bëjë një hap përpara. Dhe ne si PPE e vlerësojmë gjithnjë e më tepër që kjo reformë do të vihet në jetë vetëm me mbështetjen e opozitës dhe kjo është pikërisht ajo që presin qytetarët. Ajo që them është një apel për Partinë Demokratike që këtë proces ta ndjekë në vijimësi. Vetëm kur këto reforma të implementohen, skuadra e Lulzimit dhe ne të gjithë bashkë, do të arrijmë ato suksese që duam. Siç e thotë edhe kryetari ynë z. Daul, i cili e thekson këtë që: Shqipëria do të ecë përpara vetëm nëse luftohet më mirë korrupsioni, vetëm nëse ngrihet një sistem drejtësie i pavarur dhe vetëm nëse punohet vetëm për shtetin e së drejtës. Mirëpo, në këto drejtime ne shohim shumë mangësi nga qeveria aktuale dhe shpresojmë që me zgjedhjet e 2017 do të kemi kthesën e nevojshme, dhe të kemi në krye të vendit dhe qeverisë një njeri si z. Lulzim Basha. Vetëm nëse përmbushen këto kritere do të kemi një të ardhme më të mirë dhe vetëm në këtë drejtim rinia do të kërkojë të qëndrojë në vendin e saj dhe në këtë mënyrë ne do të arrijmë pritshmëritë që të kemi edhe punë më të mira. Mirëpo, derisa të arrijmë atje duhet të punojmë shumë dhe puna duhet të fillojë sot në këtë moment.
Për këtë arsye, i jemi mirënjohës Fonacionit Konrad Adenauer, i cili e ka mbështetur në mënyrë aktive këtë proces. Reforma Zgjedhore është një element shumë i rëndësishëm me qëllim që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk duam të kemi më kriminelë në lista dhe në këtë drejtim është pikërisht qeveria aktuale që duhet të bëjë punën më të madhe për ta ndrequr. E përsëris edhe një herë, është detyra e qeverisë që të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta në vitin e ardhshëm. Por edhe brenda partisë tonë ne duhet të punojmë shumë, të gjejmë energji të reja, të gjejmë gabimet tona nga zgjedhjet e kaluara, duhet të japim shtysë për rritje brenda partisë me qëllim që të shkojmë me sa më shumë energji drejt zgjedhjeve. Pikërisht, për këtë arsye ne jemi sot këtu dhe kjo është ajo që duhet të arrijmë, të forcojmë sa më shumë strukturat e partisë dhe të ndërtojmë një parti që të jemi të gatshëm për të shkuar me sukses në zgjedhjet e vitit 2017.
Mbi 90% e popullsisë dëshiron që të ketë rezultate dhe reforma konkrete dhe PD duhet të japë në këtë drejtim përgjigjet e duhura dhe të gjejë gjuhën e duhur. Nga ana tjetër, ato suksese të PD duhen përcjellë dhe komunikuar më tej. Në këtë pikë rinia luan një rol shumë të rëndësishëm.
Pas vendimit të Britanisë së Madhe për të dalë nga BE, normalisht situata brenda BE ishte e vështirë. Por nuk duhet që BE të mbetet në gjendje shoku, pas kësaj që ndodhi sepse, një nga detyrat është të vijojë të punojë për zgjerimin e BE dhe këtë ta bëjë për qëllime ekonomike, politike dhe të sigurisë. Dhe partia që angazhohet më tepër për zgjerimin e BE-së është pikërisht PPE dhe BE nuk duhet të plogështohet para procesit të zgjerimit. Për këtë, ne luftojmë gjithmonë, por nga ana tjetër edhe Shqipëria duhet të kryejë detyrat e saj. Tashmë patëm sinjale pozitive në samitin e Parisit në korrik, në kuadër të procesit të Berlinit dhe u krijua një qendër të rinjsh në Tiranë dhe kjo është një pikë e rëndësishme dhe jo simbolike dhe opozita duhet të luajë një rol shumë domethënës. Këto janë çështjet që duhet të diskutoj në vijim dhe kur e shoh programin që do të kemi për ditët në vijim, them që kemi vënë pikat mbi i. Faza parazgjedhore do të jetë e nxehtë dhe PD do të duhet të përgatitet për të shkuar me mendjeftohtësi dhe ta drejtojë me objektivitet këtë proces. Vetëm së bashku me të gjitha strukturat e partisë, me deputetët në Kuvend, me rininë, me angazhimin e grave në parti dhe me të gjitha organizatat bija, zgjedhjet mund të fitohen me sukses. Ajo që na duhet është kthesa brenda partisë dhe më gëzon fakti që dëgjoj që Lulzimi është duke vizituar qytetet në Shqipëri për të folur me bazën. Në këtë drejtim, më lejoni t’u përcjell përshëndetjet e përzemërta të PPE-së për anëtarin tonë, PD-në. I dashur Lulzim, Europa ka nevojë për ju dhe shpresoj që do të gjenden forcat e duhura. Ne jemi një skuadër dhe do t’u mbështesim gjithmonë. Jemi krenarë për ju dhe kemi nevojë për ju, por mbi të gjitha është populli shqiptar ai që ka nevojë për ju dhe i ka shpresat tek ju. Le të shfrytëzojmë edhe fuqinë dhe energjinë e freskët që sjell rinia. Vetëm së bashku do të jemi të fortë”.