Plumba në qendër të Tiranës e në Fier, rendi jashtë kontrollit

Një i ri mbeti i plagosur me tre plumba në këmbë një lokal në qendër të Tiranës përballë Parlamentit paraditen e djeshme, ndërsa në Fier ka patur shkëmbim zjarri mes tre personash dje në mbrëmje. Policia bëri të ditur se, i riu me inicialet R.M, 17 vjeç që ndodhej në një lokal loto sporti në rrugën “Xhorxh Bush” pranë Parlamentit, u vetë plagos me pistoletën që mbante pa leje. Ai ndodhej në lokal sëbashku me shokun e tij me inicialet M.Xh.
R.M mbeti i vetëplagosur nga arma, por shërbimet e policisë që mbërritën në vendngjarje të njoftuar nga qytetarët, nuk gjetën armën në lokal. Dyshimet e Policisë së Tiranës janë që armën ta ketë marrë shoku i të vetëplagosurit, M.Xh i cili është larguar, por më pas ai është vetëdorëzuar në polici.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të paradites dhe fillimisht u tha se, shkak i plagosjes ishte sherri për një celular. Por më pas policia deklaroi, se dyshohet për një vetëplagosje nga pakujdesia. 17-vjeçari i plagosur është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihen rrethanat e plota sesi ka ndodhur ngjarja, ndërsa policia tha se ka nisur hetimet.
Shoku i 17-vjeçarit që u plagos paraditen ka dëshmuar në polici gjithçka ndodhi në lokalin para Parlamentit. M.Xh tregon se ishin duke pirë kafen e mëngjesit, ndërsa shoku i tij R.M ka nxjerrë një armë për tja treguar, por ajo është shkrepur papritur, duke e lënë të plagosur të riun. R. M në momentin që ka kuptuar se është plagosur i ka kërkuar shokut të marrë armën dhe ta fshehë. M.Xh e kishte fshehur armën poshtë një makine te shkolla e mesme “Partizani”. Sipas tij, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme. Burimet me dije se dy të rinjtë janë studentë të vitit të dytë tek Hoteleri ¬Turizmi dhe rrinë bashkë. Ndërkaq, mësohet se po ditën e djeshme në mbrëmje janë dëgjuar disa të shtëna me armë në Levan të Fierit. Burime nga policia thonë se, nuk ka të plagosur apo viktima, por vetëm panik tek qytetarët. Forca të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por në mënyrë zyrtare policia nuk pranon se në Levan pas një zënke ka pasur të shtëna me armë. Nga hetimet paraprake bëhet e ditur, se bëhet fjalë për një konflikt mes tre shtetasve në lagjen rome në Levan. Policia ka bërë shoqërimin e disa personave dhe bëri të ditur se po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin, ndërsa rendi ka dalë jashtë kontrollit të policisë. Njerëz të armatosur lëvizin lirshëm në të gjitha qytetet dhe vrasin dhe kërcënojnë qytetarët pa  patur asnjë problem nga policia.
Para tre ditësh një 18-vjeçar u ekzekutuar me armë zjarri. Vrasja ka ndodhur në ambientet e një lokali në rrugën “Rinia”, duke shkaktuar frikë dhe panik tek qytetarët që kanë qenë në rrugë. Si pasojë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur i vdekur 18-vjeçari Fabio Hila.
Para pak ditësh, një i ri u qëllua me armë dhe ka mbetur i plagosur. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga ana e policisë, ndërsa burimet bënë të ditur se, ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Morinë. Ndërkohë, po para tre ditësh një i ri po ndiqte me armë një person për ta vrarë në mes të Tiranës.

R.POLISI