Plehrat si “rilindje” që solli Edi Rama

Nga Pirro GUREMANI

U zbeh e ashtuquajtura “rilindje” muaj pas muaji me reformat që vetëm rilindje nuk sollën, por zi e më zi shkonte gjendja e vendit. Se ku jemi sot pas tre vjet qeverisje, këtë e kanë parë dhe provuar në kurrizin e tyre dhe në xhepat e tyre shqiptarët.
Ajo që quhej “rilindje” solli burg për çdo gjë për popullin dhe liri për bosët e korrupsionit nga ministrat deri tek miqtë dhe mbështetësit e kryeministrit që të vinte në pushtet. Burg për një konsumator energjie që nuk kishte me se ta paguante dhe përkundër këtyre, vjedhje energjie dhe liri për individë në emër të rilindjes. Burg për faturat tatimore dhe çdo mall, qoftë edhe për një fshatare që tregtonte prodhime bio të bahçes së vet në një cep pallati se tregjet u bënë pronë e të fortëve të tregut dhe me taksa të larta dhe hapur sot e kësaj dite në lokale dhe biznese rilindasish nuk jepet faturë. Burg dhe burg për këdo që nuk i përkiste listës së rilindasve të socialistëve.
Por kjo ishte më e pakta se në skenën e madhe të teatrit rilindas alla Edi Rama u shfaq trupa e teatrit të drogmenëve në të gjithë Shqipërinë si një biznes që vetëm Edi dhe Sajmiri i rendit e dinë mirë se si e realizuan rilindjen e drogës dhe të mafiozëve të këtij biznesi që shkatërroi prodhimet të çfarëdollojshme vendase që prodhohen për ushqim popullor dhe u rilind droga si ushqim vrasës për rininë dhe tregun ndërkombëtar, sa po habitet bota me këtë prodhim të bollshëm hashashi, ku asnjë bos i madh i prodhimit të tyre nuk po kapet.
Nuk është e pakta të “rilindësh” me modelin e rrahjes së biznesmenëve të huaj për zonat e influencës si biznese të pista që kërkojnë rilindasit e kryeministrit që nuk dinë të thonë se çfarë ishte ajo shfaqja me investitorin 450 milionë dollarësh që iku me “torbë në kokë” dhe vdekjen në buzë për të kënaqur mafien e territoreve të bregdeteve që rilindi vetë Edi Rama me shpurën e tij mafioze dhe tanimë hesht dhe bën karagjozin e ekraneve me frikën e një hakmarrjeje ndërkombëtare, për atë palo rilindjen që implementoi dhe na solli varfërinë materiale dhe varfërinë intelektuale, që mbolli shpirtin e së keqes në emër të rilindjes së tij të shpifur deri në ekstrem siç është edhe vetë jeta e tij.
“Rilindja” e Ramës erdhi edhe si frytdhënëse e krimit që ka marrë rrugët në çdo cep të Shqipërisë dhe ku ata më të rrezikshit janë edhe deputetë që kanë kriminalizuar edhe politikën që gjithnjë ka si synim kriminalizimin e gjithë jetës publike me veset e mëdha të së keqes. Ky kriminalitet i rilindur tanimë nuk ka të ndalur që nga vrasja e kryebankierit Santo e deri tek vrasjet e vrasësve me pagesë, duke ikur nga kjo botë pa nam e pa nishan.  Profesionalizmi i kriminalitetit ka hyrë në forma dhe metoda të ndryshme me ndihmën e krimeve që po bën vetë qeveria me ministrat e saj, me të ashtuquajtur projektet e vrasjes dhe jo të humanizmit.
Por si qershi e helmatisur mbi tortën e qelbur të qeverisjes, qëndron projekti i riciklimit të plehrave që vret që nga Arditi 17 vjeç e deri tek mashtrimi me projektin e kancerizuar të Edi Ramës, si një kryeministër që me metodën e tij që ndryshe flet, ndryshe mendon dhe ndryshe vepron, po kërkon të ndotë dhe vrasë shqiptarët. Pasi e mbushi Shqipërinë me tregun e drogës si plehrë vrasëse me dëshirën e të droguarve, pasi e kriminalizoi me vrasjet e ndryshme dhe kriminalizimin e Parlamentit, kryeministri Edi Rama  po kërkon të zbatojë projektin e plehrave të rilindjes që do të vrasë edhe shëndetin e një populli që besoi në rilindje dhe po merr si shpërblim kancerizimin e jetës dhe shëndetit të tij.
Boshllëku që po krijohet në Shqipëri me ikjen e trurit të intelektualëve dhe me braktisjen e vendit me çfarëdo çmimi, është vrasja e fundit që po i bën një kryeministër vrastar një populli që shpresoi në rilindje dhe po merr  mbi vete gjithçka të keqe për të kënaqur një kryeministër dhe ministrat e tij hajdutë, vrasës, kancerizues dhe mbi të gjitha kriminalizues të jetës publike me reforma mashtruese të një rilindjeje të zezë për jetën e shqiptarëve.