Përse nuk mbahen mend librat dixhitalë?

Nëse ju dhurojnë një libër elektronik për ditëlindje dhe nëse ju pëlqen leximi artistik përveç atij shkencor që mund t’ju duhet për shkollë apo punë, do të zbuloni se të lexosh një libër në një ekran kompjuteri nuk është edhe aq keq. Mund ta mbushni atë plot me libra nga autorët tuaj të preferuar dhe ta mbani kudo me vete dhe të lexoni sapo keni pesë minuta të lira. Por, shumë shpejt do të kuptoni se do të keni vështirësi të kujtoni emrat e karaktereve të librit kur kaloni nga një kapitull në tjetrin. Fillimisht mund t’ja vini fajin kujtesës së dobët ose ndoshta edhe moshës, por shumë shpejt do të vëreni se kjo nuk është diçka që ndodh kur lexoni një libër normal.
Shumë njerëz këtë fenomen e kanë quajtur “momentet e-book”, pamundësi për të kujtuar shumë detaje gjatë leximit të një libri elektronik. Vetë Larry Page i Google-it ka shprehur shqetësime të mëdha lidhur me studime të shumta që kanë treguar se, leximi elektronik është shumë herë më i ngadaltë dhe me rendiment më të ulët se sa leximi i një libri me fletë letre.
Duket se ky fenomen është shumë shqetësues për akademikët, të cilët lexojnë për të mësuar dhe për të fiksuar në kokë detaje të rëndësishme të librave. Ndërkohë, librat dixhitalë janë duke pushtuar tregun e librave të rëndë, që jemi mësuar të mbajmë në duar gjatë gjithë jetës. Në shumë aspekte, librat elektronikë janë alternativë më e mirë se sa tekstet. Mund të përditësohen me formate gjithnjë e më të reja, duke i lejuar lexuesit që të ndërveprojnë me shumë e shumë materiale njëkohësisht si kuice, video, audio dhe shumë formate të tjera multimediale për të përsosur studimin. Por, nga ana tjetër disa studime kanë treguar se librat e shkruar kanë avantazhe shumë herë më të mëdha nëse ke për qëllim të mbash mend për një periudhë afatgjatë atë që lexon.
Kate Garland, një lektore e psikologjisë në Universitetin Leicester të Anglisë, është një nga shkencëtaret e pakta që ka studiuar këtë çështje dhe ka analizuar të gjitha të dhënat. Ajo arriti të zbulonte se kur i njëjti material paraqitet për studentët në të dyja versionet, nuk kishte ndonjë diferencë të konsiderueshme në performancën e tyre.
Megjithatë, ka disa ndryshime thelbësore që favorizojnë librat e printuar dhe që janë të rëndësishme në formimin afatgjatë të studentëve. Në një studim të kryer mbi studentët e psikologjisë, mënyra se si lexonin duket se kishte rëndësi të madhe. “Ne bombarduam studentët e psikologjisë me libra ekonomikë, nga të cilat nuk kishin asnjë njohuri”, thotë Garland. Dy ndryshime rrënjësore dolën në sipërfaqe. Së pari, për të kujtuar të njëjtin informacion duhej më shumë përsëritje kur lexoje një libër dixhital.
Së dyti, studentët që lexonin libra të printuar e absorbonin materialin të plotë dhe e mbanin mend më lehtë. Garland shpjegon se kur të duhet të kujtosh diçka ka dy mënyra për ta bërë: ose “e di” dhe të vjen ndërmend pa patur nevojë që në mënyrë të ndërgjegjshme të rikujtosh kontekstin ekzakt në të cilin e ke mësuar, ose “e kujton” duke iu bazuar kontekstit për të nxjerrë një përgjigje të saktë. “Të dish” është më mirë pasi në këtë rast je në gjendje të kujtosh fakte të rëndësishme në mënyrë më të shpejtë dhe pa shumë mundim, madje duke e vënë një informacion edhe në një kontekst të ndryshëm nga ai në të cilin e ke mësuar.
“Ajo çfarë zbuluam është që personat, të cilët lexonin libra të printuar filluan ta njihnin materialin, pra të gjithë lëndën, me kalimin e kohës”, thotë Garland. “Iu desh më tepër kohë dhe përsëritje studentëve që lexonin libra dixhitalë për të arritur në të njëjtin nivel me të tjerët”.
Konteksti dhe pikat e referimit janë shumë të rëndësishme për të kaluar nga “kujtesa” tek “dija”. Sa më shumë pika referimi të ketë një informacion aq më me lehtësi mund të kujtohet dhe përvetësohet. Në këtë mënyrë, faktorët që në dukje mund të jenë të parëndësishëm, si për shembull të kujtosh një fjali në fillim apo në fund të faqes, në faqen e majtë apo të djathtë të librit, mund të ndihmojnë që ta ngulisësh materialin më shumë në kokë.
Kjo në pamje të parë duket e parëndësishme, por konteksti hapësinor, pra në bazë të vendit ekzakt ku e ke lexuar, mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për shkak të evolucionit që ka marrë mendja jonë për të kujtuar gjëra nëpërmjet vendndodhjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye shkencëtarët më të mëdhenj që në Antikitet kanë përdorur marifetin e quajtur “metoda e vendit”, për t’i shoqëruar faktet që duan të mbajnë mend me vendet që ato zënë në një hapësirë të njohur prej tyre, si për shembull dhoma e tyre e gjumit. Më pas ata e vizualizonin veten e tyre duke u endur nëpër dhomë për të kërkuar një send që lidhej me një fakt të caktuar shkencor.
Neuroshkencëtari Mark Changizi ka thënë: “Në natyrë informacioni vjen me një adresë fizike tek e cila mund të arrish nëpërmjet kujtesës. Ngastrat e tokës të mbjella me luleshtrydhe që gjetëm vitin e kaluar ndodheshin mbi kodër pasi kaloje mespërmes pemëve dhe aty gjenden përsëri”.
Librat dixhitalë japin shumë më pak pika referimi hapësinore në krahasim me ato të printuara, veçanërisht modelet e reja të librave dixhitalë si Kindle, të cilët lëvizin tekstin lart dhe poshtë pa paraqitur as numrat e faqeve vetëm se sa për qind e librit është lexuar. Në njëfarë mënyre ke para një faqe të madhe pa mbarim, gjë që të bën me dhembje koke. Librat e printuar nga ana tjetër të japin një pikë reference fizike dhe një pjesë e kujtesës lidhet ngushtë me numrin e faqeve që kemi lexuar.
Jakob Nielsen, një ekspert i “përdorshmërisë” së web-it dhe kreu i Nielsen Norman Group, mendon se leximi dixhital po na çon drejt një lloji të ri kujtese. “Jam i bindur që nga leximi dixhital mbahet mend më pak”, thotë ai. “Kjo nuk është diçka e matur me saktësi, por kemi arritur në konkluzione duke u bazuar në shumë studime që kemi bërë lidhur me kujtesën nga leximi i tabletëve dhe librave dixhitalë apo kompjuterave”.
Ai thotë se studimet kanë treguar se sa më i vogël të jetë ekrani aq më pak mbahet mend materiali i lexuar. “Sa i më i madh të jetë ekrani aq më shumë mbahet mend teksti, sa i më i vogël aq më pak”, thotë ai. “Shembulli dramatik është leximi nga telefonët celularë. Humbet pothuajse të gjithë kontekstin e materialit”.
Kërkimi nëpërmjet fjalëve apo kthimi mbrapsht i tekstit në një libër dixhital mund të jetë shumë herë më shpërqendrues se sa kthimi i disa faqeve për të rilexuar një detaj të rëndësishëm, thekson ai. “Kujtesa afatshkurtër e njeriut është tepër e dobët dhe e paqëndrueshme”, thotë Nielsen. “Kjo është arsyeja përse është aq e rëndësishme të kesh mundësi të hedhësh një shikim në dy faqe dhe të shohësh gjithçka në mënyrë simultane. Edhe pse syri mund të shikojë vetëm një gjë në një kohë të caktuar, ai lëviz shumë shpejt për t’i ardhur në ndihmë të gjitha qëllimeve praktike dhe mund të shohë të dyja faqet dhe ta kuptojë më shumë materialin në mënyrë instinktive”.
Shfletimi i librit është gjithashtu më pak sforcues për trurin. “Sa më shumë të duhet ta lodhësh trurin e vogël për të kryer shumë gjëra njëkohësisht aq më pak hapësirë i lë të mësuarit”.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që librat dixhitalë apo kurset e kompjuterizuara janë të padobishme. Si Nielsen ashtu edhe Garland nuk janë absolutisht kundër interferimit të mediave të reja në mësimdhënie. Në fakt, që të dy besojnë se ekzistojnë shumë situata në të cilat dixhitalizimi sjell avantazhe të mëdha. Por nga ana tjetër, mediat e ndryshme kanë edhe fuqi të ndryshme. Ndoshta librat e printuar janë më të mirë kur të duhet të studiosh një lëndë komplekse dhe koncepte që të duhet t’i integrosh thellë në kujtesë. Studimet e mëtejshme ndoshta do të arrijnë të përcaktojnë se cilat materiale i përshtaten më shumë formatit dixhital dhe cilat formate tradicionale të librave të printuar. Megjithatë, diçka ngelet e pandryshuar, kënaqësia e të lexuarit qëndron tek shfletimi.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI