Përkeqësimi i korrupsionit

Jorida TABAKU

Nëse dëgjon apo edhe lexon me kujdes atë çfarë shpërndahet në media apo që ligjërohet nga deputetët, si dhe ministrat e qeverisë, të duket se Shqipëria sot jeton në begati dhe prosperitet.  Në fjalimet e tyre nuk ka as papunësi, as krizë, as ulje investimesh, as mosrritje pagash, as dështime buxhetore, as ulje të kredisë, as rritje të azilkërkuesve në vendet e BE-së, as kanabis, as blerje votash, as riciklim deputetësh apo plehrash. Në fakt, kjo ndodh sepse rilindja përpiqet të riciklojë dështimet në makinerinë e PR që përherë zbulon personazhe të rinj që i japin zë justifikimeve të tyre. Por sado që është një përpjekje titanike nuk mundet të zhbëjnë një të vërtetë të qartë për të gjithë brenda dhe jashtë kësaj salle: Rilindja është në botën e çudirave!
Ndoshta kjo vjen sepse ekonomia sot, falë projekteve edhe vizionit rilindas, është strukturuar në dy nënndarje a. Oligarkët e pushtetit që përfitojnë pafund nga tokat e përbashkëta dhe ato private, nga fondet e taksave tona të rritura nga 2013 progresive dhe b. Kanabistët që kanë “punësuar” sipas premtimit rilindas zonën rurale të Shqipërisë nga Vermoshi në Konispol. Për rrjedhojë, hallet e përditshme të një ekonomie ku norma e interesit për bonot e thesarit ka shkuar negative nuk mund t’i zgjidhë askush në qeveri. Siç edhe nuk kemi asnjë përgjigje për kreditë e këqija ku në një hark prej 18-muajsh, siç raportohet nga BSH, është fshirë shuma e 32 mld lekëve nga bankat e nivelit të dytë si kredi e keqe, fundja sa më sipër nuk është problemi i oborrit rilindas.
Që për detyrë ka të raportojë për një ekonomi që ka qenë e keqe dikur, por sot ajo është duke u zhvilluar dita-ditës, por pa dhënë asnjë përgjigje se si ka mundësi që kjo ekonomi në rritje nuk ka kreditim? Ku i gjejnë paratë këto sipërmarrës për të zhvilluar biznesin e tyre kur bankat e nivelit të dytë, sipas raporteve të BSH, vazhdojnë të kenë kreditimin më të ulët?
Ku totali i kredisë për korrikun 2016 është -0.5% më i ulët se qershori 2016. Kur trendi i kredidhënies si për bizneset edhe për individët ka qenë përgjithësisht negativ duke dëshmuar një ekonomi që nuk gjen frymëmarrjen.
Ndërkohë që bankat kanë dhënë rreth 59.9 mld lekë kredi për sipërmarrës jashtë vendit, shumë e barabartë sa 4% e PBB të Shqipërisë. Për këtë Shqipëri, rilindja në botën e çudirave nuk jep llogari dhe as nuk shqetësohet nga rehatia në pallatin magjik duke e lënë Shqipërinë e rritjes ekonomike rilindase vetëm me investimet e para viteve 2013.
Megjithëse ironia e kësaj mazhorance është se përdor shifrat e investimeve para 2013 për të fryrë e mbushur fjalimet boshe.
Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kam dëgjuar asnjë ministër apo ligjërues të mazhorancës apo qeverisë, të flasë për numrin e lartë të azilkërkuesve. Padyshim, kemi dëgjuar tellallë nga pallati magjik rilindas të flasin për gjithfarësoj haluçinacionesh, por nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë për investimet në rënie.
Fjala vjen, asnjë ministër apo profesionist i propagandës zyrtare apo jozyrtare nga lëmi i oborrtarëve nuk na ka shpjeguar se si ka mundësi që mrekullia e kësaj qeverie me ekonominë dhe investimet e huaja në tremujorin e dytë të këtij viti është 31 mln lekë më pak se sa tremujori i dytë i vitit 2013?
Por sado që rilindja hesht në gjithë këtë realitet që po e përjetojmë prej saj a ka ndonjë arsye se përse shqiptarët jashtë pallatit magjik të rilindjes, pra Shqipëria e Rilindjes, nuk gëzon investime?
Një shkak, të cilin e përmenda më sipër, është gjendja e mjeruar e kredidhënies dhe mosbesimi i biznesit tek klima ekonomike. Kësaj i duhet shtuar edhe impakti negativ që vendi ka si pasojë e korrupsionit që sipas Forumit Ekonomik Global ka shënuar një rritje me 10% në vitin aktual.
Dhe unë, nuk jam nga ato deputetë që duan të nxijnë çdo gjë, madje më ka intriguar beteja kundër korrupsionit që kulmoi me vendosjen e sloganit “Korrpsion” m’u në lulishten e Kryeministrisë kohë më parë. Por të shohësh Shqipërinë që përkeqësohet dita-ditës dhe shkak ka korrupsionin të humbet dhe ajo shpresë që dikur lindi.
Ç’është më e keqja, nuk është vetëm korrupsioni, por edhe sistemi fiskal që është tejet i pafavorshëm jo vetëm në raport me rajonin, por edhe për vetë bizneset brenda vendit. Atëherë për çfarë ligjërohet sot në fjalimet të mbushura me eufemizma rilindase për rritje ekonomike?
Padyshim jo për ekonominë e Shqipërisë në kohën e Rilindjes!
Shqipëria e rilindjes gëzohet kur qeveria nuk po rrit taksat, por nuk pret të dëgjojë nga oborrtarët dhe koncesionarët e rilindjes për të!
Askush prej shqiptarëve nuk pret më të dëgjojë nga makineria e rëndë propagandistike në pallatin magjik të rilindjes, sa i takon administratës magjike të doganave dhe tatimeve.
Sepse e dimë se askush nuk do të përgjigjet pse arkës së shtetit i mungojnë 22 mln USD për periudhën 8-mujore. Ku vetëm në muajin gusht mosrealizimi ishte 25 mln USD, ndërsa interesant është fakti se TVSH dhe mbledhja e saj regjistron një rënie gjithashtu duke mos u realizuar me 23 mln USD.
Siç nuk presin të dëgjojnë ndonjë argument të shëndoshë prej asnjë rilindësi në botën e çudirave që të shpjegojë se përse qeveria nuk investon në shërbime dhe infrastrukturë. Në botën e tyre, ky vend s’ka nevojë për këto investime, por për fasada dhe palma sepse janë ato çfarë u japin jetë investimeve dhe thithjes së investitorëve të huaj.
Kemi hyrë në vitin e fundit qeverisës të një mazhorance që rilindi vetveten dhe privilegjet për një pjesë të saj dhe varfëroi shqiptarët.
Të një qeverie që prodhoi inflacion skandalesh, por shqiptarëve u dhuroi deflacionin ekonomik.
Prodhoi ekonominë e kanabisit deri edhe administratën e kanabisit dhe shqiptarëve i dhuroi largimin nga vendi.
Prodhoi Parlamentin e inkriminuar, që vrapon nga shtëpia për të votuar reformën në drejtësi.
Largoi investitorët e huaj dhe krijoi oligarkët e pallatit magjik.
Premtoi reformë në arsimin e lartë dhe prodhoi reformën e universiteteve të oborrit.
Në një mandat theu rekordin e premtimeve të pambajtura me refrenin “fajin e ka Saliu”.
Dhe në fund, por jo nga rëndësia… mos u habisni Rilindjes në Pallatin Magjik do të vazhdojë të prodhojë ngjarje jo në shërbim të shqiptarëve dhe as Shqipërisë, të cilat në fund do të kenë citatin më të dashur të Kryeministrit rilindas “Mos u habisni… nuk keni parë asgjë akoma!”.

Replikë me z. Rama:
Se sa bosh mund të jenë fjalët ndonjëherë vetëm sot e kuptova.
Që jeni të prirur të keqcitoni e kuptoj, po a nuk doni a nuk kuptoni këtë s’e marr vesh.
Unë thashë dhe i qëndroj asaj që thashë: më vjen mirë sa herë që Shqipëria përmendet mirë sidomos tani që i keni nxirë faqen Shqipërisë me drogën e kanabis, dhe po pati një vlerësim në rritje tek WEF, por pati një përkeqësim drastik në indexin e korrupsionit e mbas 2013 dhe të taksave e këto duhet të jenë kambana alarmi për qeverinë.
Që jetoni në një realitet paralel e kuptoj shumë mirë që kur thoni janë rritur pagat e pensionet, kur sipas INSTAT për herë të parë në 15 vite paga ka pësuar rënie reale me minus 1%.
Ndonëse buxheti u rishikua, të ardhurat ranë në 8-mujor me 22 mln USD, këto janë shifrat e ky është realiteti.
Unë as kam sharë, as kam përbaltur askënd asnjëherë se mënyra ime e të bërit politikë është shumë ndryshe nga ajo që praktikoni ju, por që raporti i BSH thotë që bankat e nivelit të dytë njohin si rrezikun real më të madh përkeqësimin e ekonomisë apo dhe bankat e nivelit të dytë janë armik për ekonominë siç është PD?!
E në lidhje me punësimin, për ata që i kuptojnë shifrat sigurisht, jo për ata që bëjnë propagandën tënde, rritje në punësim ka pasur bujqësia, keni marrë forcën joaktive në bujqësi e keni kategorizuar si të punësuar. Se sa është rritur punësimi këtë e dinë të rinjtë që sot enden rrugëve. Kjo sigurisht për ata që kuptojnë e merren me shifrat, jo për ata që nuk dinë e kuptojnë!