PD kërkesë për referendum: Të vendosë populli, jo qeveria

Partia Demokratike ka depozituar dje në Kuvend kërkesën e 28 deputetëve për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm me pyetjen: A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë?
Kërkesa u depozitua dje nga Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka. Përmes kësaj kërkese Grupi i PD vlerëson se lejimi i importit të llojeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë cenon interesin publik, për shkak se, rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm; krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme; bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Ky fakt nënkupton se, lejimi ose jo i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, është çështje me interes publik dhe për pasojë ajo konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë, në kuptim të nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ndaj, Partia Demokratike kërkon që ky vendim të mos i lihet qeverisë, por populli të thotë fjalën e tij përfundimtare për këtë çështje.
“Duke qenë se kërkesa përmbush kushtet e parashikuara në nenin 150 të Kushtetutës, si dhe në nenet 126 dhe 131 të Ligjit nr. 9087/2003, ku theksohet se: ‘5. Kërkesa për fillimin e procedurave për referendum për një çështje të një rëndësie të veçantë duhet të përshkruajë qartë çështjen që shtrohet, rëndësinë e saj, si dhe qëndrimin e nismëtarëve në lidhje me atë çështje. Çështja duhet të formulohet në mënyrë të qartë, të plotë dhe pa ekuivokë dhe në mënyrë të tillë që zgjedhësit të mund të përgjigjen me ‘PO’ ose ‘JO’’, kërkojmë nga Kuvendi që kjo çështje me rëndësi të veçantë të shtrohet për referendum. Gjithashtu, në përputhje me nenin 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që kjo çështje të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare të datës 29 shtator 2016”, thuhet në kërkesën e depozituar nga PD.

Rreziku nga importi i mbetjeve

Është fakt i gjithpranuar se importi i llojeve të caktuara të mbetjeve mund të përdoret si mekanizëm për vënien në jetë të aktivitetit kriminal të importimit të mbetjeve të rrezikshme, një aktivitet gjerësisht i përdorur nga grupet ndërkombëtare kriminale. Gjendja aktuale në Shqipëri, imponon domosdoshmërisht që ndërsa diskutohet çështja e importit të mbetjeve, të mbahet në konsideratë realiteti mbi eficencën e qeverisë për të luftuar veprimtaritë kriminale. Qeveria ka dështuar plotësisht të sigurojë kontrollin efektiv mbi territorin, por ndërkohë pretendon se, mund të kontrollojë importin e llojeve të caktuara të mbetjes. Realiteti tregon se, gjendja në pikat tona të kalimit kufitar, përdoret nga trafikantët shqiptarë dhe ndërkombëtarë për kalim të paligjshëm të lëndëve narkotike, çka krijon bindjen e plotë se në të njëjtën mënyrë do të përdoret edhe nga grupet kriminale ndërkombëtare për futjen në Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme. Trafiku i lartë i lëndëve narkotike, i cili do të ishte i pamundur pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e segmenteve të Policisë së Shtetit të të gjitha niveleve, është një tregues i qartë i pamundësisë dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mos lejuar aktivitete kriminale, siç është edhe importimi i mbetjeve të rrezikshme. Lejimi i llojeve të caktuara të mbetjeve e nxit dhe e lehtëson veprimtarinë kriminale të importimit të mbetjeve të rrezikshme.
Një shtet, ku mafia e drogës arrin të ndërtojë një pistë avionësh që përdoret për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike vetëm disa kilometra larg kryeqytetit, nuk ofron asnjë garanci se do të ndalojë futjen në Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme, nën justifikimin se ato janë “mbetje të parrezikshme”. Niveli i lartë i korrupsionit në vend, është një tjetër faktor që krijon bindjen e nevojshme se, lejimi i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, mund të përdoret nga grupet ndërkombëtare kriminale si mekanizëm për futjen në territorin e Shqipërisë të mbetjeve të rrezikshme. Në kushtet ku qeveria nuk kontrollon dot cilësinë e ushqimeve që futen në vend, ku doganat dhe portet e shqiptarëve janë të hapura për krimin, për armë, për drogë, ku ndërtohen pista për avionë që transportojnë drogë, vlerësojmë se, bën të pamundur të besosh se qeveria është në gjendje për të eliminuar rrezikun e futjes së mbetjeve të rrezikshme.
Nga ana tjetër, vendi ynë nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për kontrollin e monitorimin e importit të mbetjeve, që për karakteristikat që kanë (volum i madh apo paketim në dimensione të mëdha, çka vështirëson hapjen e paketimeve), vështirëson kontrollin dhe mbikëqyrjen e tyre, duke krijuar potencial të lartë për futjen e paligjshme të mbetjeve shumë të rrezikshme dhe ndotësve të tjerë të mjedisit.

Aktualisht, gjenerohen 386 milionë e 728 mijë e 650 kg mbetje në vit

Lejimi i importimit të mbetjeve gjithashtu mund të cenojë eficencën dhe sasinë e riciklimit të mbetjeve të vendit tonë. Deri tani nga të dhënat zyrtare rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386 milionë e 728 mijë e 650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 për qind e tyre riciklohet. Pra, 83 për qind e mbetjeve të vendit tonë është ende në treg e paprekur nga kompanitë e riciklimit. Riciklimi i mbetjeve shqiptare është në radhë të parë, një potencial i madh për industrinë ricikluese shqiptare dhe së dyti, është një përfitim i drejtpërdrejtë i Shqipërisë, e cila sot është edhe më e ndotur se dje.
Ndalimi total i importit të mbetjeve është sot plotësisht i justifikuar edhe sa i përket vizionit për zhvillimin e ekonomisë, ku turizmi, bujqësia, agrobiznesi janë ndër shtyllat më kryesore të zhvillimit ekonomik. Për pasojë, importi i mbetjeve, nuk përputhet me prioritetet kombëtare të zhvillimit ekonomik të vendit, që janë turizmi dhe bujqësia, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.
Nga pikëpamja teknike, përpunimi dhe depozitimi i mbetjeve të importuara në territorin e Republikës së Shqipërisë klasifikohen si veprimtari me shkallë të lartë ndotje dhe që mund të passjellë ndotje masive shtesë, përveç ndotjes së krijuar nga menaxhimi i mbetjeve të gjeneruara brenda vendit. Aktualisht, vendi ynë është i prekur nga një gjendje e rënduar e mbetjeve të brendshme që keqmenaxhohen, si dhe ruhen, digjen apo përpunohen në ambiente të hapura, duke dëmtuar rëndë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, është fakt i provuar shkencërisht që importi i mbetjeve shton në mënyrë të konsiderueshme CO2 dhe gazrat serrë. Nga ana tjetër, një sasi e madhe e mbetjeve, sado i lartë qoftë standardi i menaxhimit të tyre rrit në mënyrë të padiskutueshme rrezikun e ndotjes së mjedisit si rrjedhojë e damarëve ujorë të shumtë të Shqipërisë.
Gjithashtu, importi i mbetjeve nuk përputhet as me objektivin social kushtetues që shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private synon ndër të tjera “një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, si dhe “shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm”. Të dy këto objektiva madhore sociale, rrezikojnë të mos përmbushen, nëse lejohet importimi i mbetjeve të rrezikshme apo jo të rrezikshme, duke cenuar në këtë mënyrë interesin publik.

5 arsyet pse PD është kundër importit të mbetjeve

Së pari dhe mbi të gjitha, lejimi i importit të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, rrezikon seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë, krijon premisë të qartë të shfytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme, bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtar, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.
Së dyti, të gjitha kushtet politike, ekonomike apo sistemi i drejtësisë në Shqipëri, bëjnë që importi të jetë i rrezikshëm dhe lehtësisht të futet në dorë të grupeve kriminale ndërkombëtare të mbetjeve, që kanë interes të importimit të mbetjeve të rrezikshme. Një vend që është shndërruar në prodhuesin masiv të lëndëve narkotike, si dhe ku transportimi i tyre jashtë vendit, bëhet lehtësisht në rrugë automobilistike, ajrore apo detare, në disa raste me mbështetjen dhe mbrojtjen e vetë punonjësve të Policisë së Shtetit.
Së treti, sot në Shqipëri ka një mungesë totale të rendit publik dhe të kontrollit nga qeveria. Shqipëri është evidentuar si një vend që ka korrupsion, kapje dhe kriminalizim të lartë të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Sot në Shqipëri qeveria nuk garanton dot, as cilësinë e produkteve ushqimore që importon, nuk kontrollon dot as pikat e kalimit kufitar, të cilat përdoren lehtësisht nga grupet kriminale për trafikim të lëndëve narkotike. Ky është tregues që vendi ynë nuk është në gjendje për të kontrolluar efektivisht importin e mbetjeve në Shqipëri. Mungesa e kontrollit rrit në mënyrë të arsyeshme bindjen se, mundësia e importit të disa llojeve të mbetjeve mund të përdoret nga grupet kriminale për importimin e mbetjeve të rrezikshme.
Së katërti, shumë vende të huaja, përfshirë vendet fqinjë, kanë një situatë emergjente në lidhje me mbetjet e rrezikshme dhe të parrezikshme dhe ka interesa të mëdha për të larguar ato nga këto vende drejt vendeve të tjera, ku importimi do të ishte më i lehtë. Kjo do të thotë që Shqipëria mund të kthehet drejtpërdrejtë në shënjestër të të gjitha vendeve për të sjellë mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme në vendin tonë, përfshirë këtu edhe shënjestrën e grupeve kriminale ndërkombëtare, asaj që njihet si “mafia ndërkombëtare e plehrave”. Kjo situatë do të bënte Shqipërinë një vend të pajetueshëm, për shkak të dëmtimit të shëndetit nga mbetjet.
Së pesti, rruga e vetme për t’i prerë rrugën një katastrofe kombëtare është ndalimi total i importit të të gjitha llojeve të mbetjeve. Importi i çdo lloji mbetjeje meriton ndalimin me çdo kusht dhe me çdo çmim, për shkak të efekteve shkatërruese dhe helmuese që ka për Shqipërinë, për shqiptarët, për çdo qytetar shqiptar, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë.