Pamjet me drogë nga helikopterët e Mimit hedhin poshtë deklaratat e Ramës

Pa dashje, Mimi Kodheli ka hedhur poshtë deklaratat e Edi Ramës se në Shqipëri nuk ka drogë. Ajo ka ftuar gazetarë të televizioneve për të ndjekur një stërvitje ushtarake në Bize të Martaneshit dhe sapo helikopteri është ngritur, para përfaqësuesve të medias janë shfaqur parcelat me kanabis anekënd malësisë së Tiranës. Partia Demokratike i cilësoi këto pamje dje si provat e fundit me pamje, me video e me foto, që kanabisi ka pushtuar vendin. Përmes një deklarate për mediat, kreu i departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj  deklaroi se se kjo është dëshmia e radhës që tregon se si Shqipëria është shndërruar në hambar droge.
“Mjafton një ngritje rutinë në ajër, për të parë si lulëzon alternativa e Edi Ramës për vendin, droga.
Pamjet e filmuara janë publikuar në media, e megjithatë, sërish Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë.
Droga ka pushtuar vendin, ka zënë shtëpitë, magazinat, trafikohet nga toka, ajri, nga deti, mediat italiane dhe më gjerë raportojnë çdo ditë për këtë alarm që sjell kanabisi shqiptar, ndërsa Edi Rama thotë se Shqipëria është e pastër.
Shqiptarët e dinë se droga i ka rrënjët në qeveri.
Shqiptarët e dinë se droga po rrënon vendin, po sjell krime dhe vrasje dhe po pasuron një grusht trafikantësh dhe qeveritarët e lidhur me ta.
Droga dhe plehrat janë alternativa e vetme e Edi Ramës për Shqipërinë.
Ndaj dhe Shqipëria pa Edi Ramën është një Shqipëri pa plehra dhe pa drogë” u shpreh Alibeaj në një reagim të tij.