Oficeri i policisë dhe prokurori merrin 18 mijë euro për një firmë

Një rast flagrant korrupsioni është zbuluar nga emisioni investigativ “Stop”, në televizionin “Klan”. Bëhet fjalë për një prokuror, të Prokurorisë së Tiranës, i cili është kapur me zë dhe me figurë duke marrë plot 18 mijë euro nga një qytetar. Bëhet fjalë për prokurorin Ardian Braho.
Por si nis e gjithë historia? Denoncuesit, i cili trokiti në emisionin investigativ “Stop”, i transferuan me bankë nga jashtë shtetit drejt Shqipërisë 120 mijë euro. Pas një indicie nga Krimi Ekonomik kjo shumë iu bllokua. Dhe për të marrë atë që i takonte, pasi me dokumente ai kishte vërtetuar se ishin “para të pastra”, iu desh të paguante plot 18 mijë euro për prokurorin. Ky i fundit, prokurori Ardian Braho, i merr lekët (siç duket në video) nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore, Fatosit.
Ndërkohë, menjëherë pas publikimit në emisionin “Stop” të rastit të korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës ku oficeri i Policisë Gjyqësore Fatos Lusha dhe prokurori Ardian Braho morën 18 mijë euro ryshfet për lirimin e një shume parash të bllokuara pas ardhjes nga jashtë ka reaguar kryeprokurori Llalla. Burime zyrtare pranë Prokurorisë thanë se, Lusha dhe Braho janë pezulluar menjëherë nga detyra. Mësohet gjithashtu se në ngarkim të tyre ka nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga pamjet e publikuara në televizion, oficeri Lusha del garant, duke marrë 18 mijë euro që prokurori Braho do të mbyllë hetimet.