Noka: Për avionin me drogë më informuan oficerë të policisë

Ish ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaroi dje se ishte informuar nga oficerë të policisë në lidhje me rënien e avionit në Ishëm. Noka denoncoi i pari në Parlament, pak minuta pasi ndodhi ngjarja në Ishëm rrëzimin e avionit si dhe lidhjet e tij me trafikun e drogës.

– Zoti Noka kishit dijeni më parë për këtë pistë apo edhe për pista të tjera?
Ju, besoj por edhe mbarë opinioni publik është në dijeni vjet për pista të tjera, që ka patur pistë në Gjadër, pistë në Vlorë, pistë në Gjirokastër. Ja ku është edhe pista e Ishmit. Shqipëria, pra siç e thashë, ka shumë pista. Ka një pistë për transportin e qytetarëve, ndërsa ka shumë pista që i disponon karteli për transportin e drogës.

-A keni besim se do të dalin emrat bashkëpunëtorë të pilotit italian?
Unë sigurisht që besoj shumë. Pavarësisht që ministri i Brendshëm, siç jeni edhe ju në dijeni dekonspiroi operacionin, dekonspiroi hetimin, bëri çmos që të paralajmërojë trafikantët. Kjo është një shenjë që tregon se qeveria e kartelit kontrollon gjithë trafikun vetë dhe u tentua të shpëtohen ortakët e ministrit dhe të kryeministrit.

-Ai ruhet tashmë nga Policia. Fakti që ai është i lirë ju bën ju të dyshoni se jeta e tij është në rrezik edhe tani që ka pranuar të bashkëpunojë?
Të ruhesh nga Policia në ditët e sotme do të thotë të jesh në mëshirën e krimit. Më vjen keq që e them këtë gjë, sepse kam konsideratë maksimale edhe si ish-ministër, si nënkryetar i Komisionit Paramentar të Sigurisë edhe si deputet, për Policinë e Shtetit. Por kupola tradhëton, kupola dekonspiron, kupola pret në besë policët. Kështu që në këtë vend gjithçka mund të ndodhë.

-Zoti Noka, dëshmia….
Dëshmia… Ajo që thashë dje në konferencë shtypi ishte dëshmia më e qartë. Kur ministri tradhëton operacionet policore, dekonspiron hetimin. Siç ndodhi më herët me operacionin e të ashtuquajturit të Durrësit, ku u arrestuan një grup trafikantësh dhe që e dekonspiroi ministri. Më pas u tha se nuk ua kam bërë unë, ua kanë bërë shërbimet e huaja. Ky është rasti i dytë. Pra, a ka nevojë që të ketë dëshmi më të madhe dhe më të qartë se ministri vetë është i përfshirë kokë e këmbë, edhe kryeministri?! Pra, karteli ka kokën e tyre dhe për fat të keq koka e kartelit përkon me kokën e qeverisë.

-Zoti Noka, a nuk mendoni se po ndiqni të njëjtën taktikë si Tahiri, i cili dërgon videot teksa korr kanabisin, ndërsa ju denonconi pasi kanë rënë?
Siç jeni në dijeni nuk ka asnjë lidhje dhe ngjashmëri. Ne kemi ardhur të shqetësuar së bashku me kolegët. Edhe atë ditë, unë e kam denoncuar i shqetësuar, për të mos thënë se jemi të traumatizuar për situatën që po shohim. Siç mbani mend ju, ministri i Brendshëm bënte selfie duke qeshur, a thua se kishte dalë në një guidë turistike dhe jo sikur kishte përpara gjëmën e këtij vendi, që ishte droga.

-Zoti Noka, ju ishit i pari që e denoncuat a mund të thoni se nga e morët informacionin?
Sigurisht, isha i pari që e denoncova sepse oficerët e ndershëm dhe policët e ndershëm të këtij shteti nuk besojnë më tek qeveria e kartelit.