Nisin hetimet për korrupsion në tregun e sigurimeve

Prokuroria e Tiranës ka çelur hetimet për korrupsion në tregun e sigurimeve duke thirrur për të dëshmuar të gjithë drejtuesit e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Syri.net ka mësuar se e para që do të merret në pyetje është drejtoresha ekzekutive e AMF. Por pas saj do të thirren për të dëshmuar edhe të gjithë anëtarët e bordit drejtues të AMF-së, në atë që përbën hetimin më të madh në tregun financiar të vendit. Fokusi i hetimit janë dyshimet për abuzime me Fondin e Kompensimit, mekanizmi i ngritur për të shlyer 14 milionë dollarë detyrime të vjetra, që shoqëritë e sigurimit kanë ndaj qytetarëve për aksidentet e shkaktuara në vite nga automjetet e pasiguruara. Sipas ligjit, edhe pse janë aksidente të shkaktuara nga automjete të pasiguruara, qytetarët duhet të kompensohen nga shoqëritë e sigurimeve, përmes Byrosë së Sigurimeve. Kjo pasi në tarifën e siguracionit që qytetarët paguajnë për automjetet, një pjesë shkon pikërisht për Fondin e Kompensimit për të paguar dëmet e aksidenteve nga mjetet e pasiguruara.
Në vitin 2014, nën presionin e Bankës Botërore u miratua një plan shlyerje, i cili detyronte shoqëritë e sigurimeve të kompensonin qytetarët e dëmtuar brenda tre viteve, sipas një grafiku të paracaktuar. Në këmbim, shlyerja e borxheve u përdor si justifikim në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe AMF për të trefishuar çmimin e siguracionit të detyrueshme për automjetet në kurriz të qytetarëve.

Si mashtroi AMF

Sipas planit, shlyerja duhet të përfundonte në fund të këtij viti dhe gjithë procesi do të mbikëqyrej nga AMF. Por menjëherë pas raportimit rezultoi se AMF kishte deklaruar shifër të rreme të borxhit. Verifikimet e mëvonshme treguan se borxhet që shoqëritë e sigurimeve kishin ndaj qytetarëve ishin jo 14 milionë dollarë, por mbi 21 milionë dollarë.
Por deklarimi i shifrës së pasaktë të borxheve ishte vetëm fillimi i historisë. Në fillim të vitit 2015, u bë e qartë se AMF braktisi planin e shlyerjes. Në 12 mars të 2015-ës në krye të bordit drejtues të AMF, emërohet Pajtim Melani. Vetëm tetë ditë më vonë, Bordi miraton një vendim i cili ndryshon planin e shlyerjes së detyrimeve duke legalizuar shkeljen e ligjit dhe rezolutës së miratuar nga Kuvendi. Përmes dy vendimeve të koordinuara të datës 20 dhe 24 mars, u ndryshua radha e shlyerjes së detyrimeve dhe u shty verifikimi i shumës së përgjithshme të borxhit. Si rezultat qytetarët, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në aksidente nga mjetet e pasiguruara ose kanë mbetur të paralizuar nga këto aksidente vazhdojnë të sorrollaten pa marrë dëmshpërblim.

Hetimi

Prokuroria dyshon se mashtrimi me shifrën e borxheve në Fondin e Kompensimit dhe shkelja e planit të shlyerjes së tyre janë bërë qëllimisht për të favorizuar shoqëritë e sigurimeve. Burime i thanë Syri.net se prokurorët e Tiranës kanë rënë në dijeni të këtyre fakteve gjatë një hetimi për pastrim parash. Pas marrjes së dijenisë, dy javë më parë, prokuroria e Tiranës ka dërguar një shkresë zyrtare në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare ku ka kërkuar informacione për Fondin e Kompensimeve. Dy javë më vonë e gjithë struktura drejtuese e AMF është thirrur për t’u marrë në pyetje për këtë çështje. Nga ana e tij, vet Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorrik ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme). Autoriteti sqaron se nisur nga artikujt në median e shkruar, në lidhje me një rritje të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorrik ndaj palëve të treta (MTPL) nga të gjitha kompanitë e sigurimeve me rreth 25%, më datë 24.08.2016, Inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës realizuan një monitorim pranë agjentëve të shitjes së policave të sigurimit.
Nga monitorimi i realizuar pranë agjentëve të shitjes së policave të sigurimit, si dhe nga deklarimet e këtyre të fundit, konstatohet se më datë 24.08.2016, është realizuar rritja e çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorrik ndaj palëve të treta (MTPL) për të gjitha kategoritë dhe nga të gjitha kompanitë e sigurimit në masën prej 20%. Kjo rritje është reflektuar në sistemin online të prerjes së policave të sigurimit (MTPL) të agjënteve të sigurimeve të të gjitha kompanive të sigurimit më datë 24.08.2016, dhe vërehet se këto prime shitje ndryshojnë në mënyrë simetrike nga njëra kompani sigurimi tek tjetra, me të njëjtën masë prej 12 lekë, sjellje kjo e cila mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar sipas përcaktimeve të nenit 4 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për këto arsyet, Autoriteti ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorrik ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme).