Mou kërkon kthesën

Jose Mourinho nuk ka aspak dëshirë që emri i tij të vendoset në diskutim. Pas një sezoni të tmerrshëm që përfundoi përpara kohe me shkarkimin nga stoli i Chelsea-it, trajneri portugez i Manchester United paraqitet në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Ëatford-it e vlefshme për javën e 5-t të Premier League-s, me dy humbje në 2 ndeshjet e fundit. Disfata në derbin e Manchester-it ndaj City-it u pasua me humbjen ndaj Feynoord-it në Europa League. Dy disfata që djegin në kampin e Djajëve të Kuq, por Special One u përpoq të zhdramtizonte disi situatën.
“A nuk ishit ju gazetarët që më çuat në hënë, kur fituam Supekupën e Anglisë dhe 3 ndeshjet e para të kampionatit. Kemi pësuar thjeshtë dy humbje dhe nuk mendoj se tifozët duhet të dëshpërohen. Është e vërtetë që nuk kemi zhvilluar një futboll shumë të bukur ndaj City-it dhe Feynoord-it, por ndoshta nuk kemi marrë atë që kemi merituar në këto dy takime. Kam në skuadër futbollistë që kanë eksperiencën e mjaftueshme për të rinisur gjithçka nga e para”, u shpreh Murinjo.
Sot në mesditë, Manchester United do të sfidojë Watford-in e Walter Mazzarit. Special One ka besim se skuadra e tij do të dijë të marrë tre pikët në këtë ndeshje. “Do të jetë një ndeshje tjetër që nuk ka të bëjë fare me sfidat e mëparshme mes United dhe Watford, gjithçka do të nisë nga rezultati 0-0. Normalisht kur vjen nga një moment me rezultate jo pozitive, morali i skuadrës nuk mund të jetë i njëjtë”, tha trajneri i United.
Për të kuptuar që Jose Mourinho nuk po kalon momentin e tij më të mirë si trajner mjafton t’u hedhësh një sy statistikave. Portugezi ka humbur 13 nga 31 ndeshjet e fundit diçka që nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë në karrierë. Në fund, Mourinho foli edhe për mesfushorin francez Paul Pogba, rendimenti i të cilit në këtë fillim sezoni nuk ka qenë shumë i mirë.
“Ajo që unë i sugjeroj Pogba-së është që ai nuk duhet të mendojë që është blerë për më shumë se 100 milionë. Nuk ka zhvilluar fazë përgatitore me ne pas Europianit dhe madje nuk ka bërë fare pushime, kështu që e prisja që Paul do të haste vështirësi në fillim”, përfundoi Murinjo.