Mister proçedura si u mor në dorëzim landfilli i Sharrës nga kompania “3R”

426

Edhe pse ka kaluar më shumë se 1 muaj nga vdekja e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që humbi jetën duke punuar në landfillin e Sharrës, Bashkia e Tiranës nuk ka bërë ende publike marrëveshjen që kishte me firmën 3R. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, promovoi aktivitetin e kësaj firme në landfillin e Sharrës, pak ditë përpara vdekjes së Ardit Gjoklajt.
ABC News në datën 20 shtator dorëzoi një kërkesë me shkrim në Bashkinë e kryeqytetit. Vënien në dispozicion të kontratës që kishte Bashkia e Tiranes me firmën 3R, dhe arsyen përse “Eko Tirana”, ndërmarja që menaxhon mbetjet e kryeqytetit nuk ka ende një administrator. Këto do të hidhnin dritë mbi mënyrën se si u administrua landfilli i Sharrës.
Pas vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, landfilli i Sharrës është braktisur dhe aty mund të hyjë kushdo. Bashkia e Tiranës ende nuk ka bërë publike dokumentat dhe proçedurat, sipas të cilave kompania 3R mori në dorëzim landfillin.
Mesditën e të mërkurës u interesuam pranë Bashkisë për të marrë një përgjigje. Ndërkohë që kërkesa për informacion do kohën e saj për t’u përpunuar, landfilli i Sharrës është lënë jashtë vëmendjes administruese të Bashkisë së Tiranës pas tërheqjes së firmës 3R. Siç duket edhe nga pamjet përmes çarjes së rrethimit në Landfillin e Sharrës, hyn e del kushdo që i ka gjetur punë vetes.