Minimumi 20 milionë rrënjë kanabis të mbjella në gjithë vendin

Të paktën 20 milionë rrënjë kanabis janë mbjellë nga veriu në jug, duke e shndërruar vendin në prodhuesin dhe transportuesin kryesor të kanabisit në Europë. Ish-kryeministri Berisha denoncoi dje lidhjet e forta të qeverisë me narkotrafikun, ndërsa dënoi krimin elektoral në Dibër, ku me paratë e drogës dhe krimit u blenë votat e qytetarëve. “Zotërinjtë prapa shpinës sime, që përbëjnë një organizatë kanabiste e kriminale të vërtetë, dalin dhe në një çmenduri dhe paturpësi ekstreme bërtasin e përpiqen të mbulojnë veprën e tyre më kriminale në historinë e këtij vendi pas diktaturës komuniste, kanabizimin dhe vendosjen e diktaturës së krimit në Shqipëri. Përpiqen, në një histeri të papërmbajtur, të çirren, të shpifin, të trillojnë, të citojnë dokumente që nuk ekzistojnë, vetëm e vetëm se mendojnë në këtë mënyrë të lajnë fytyrën e tyre të nxirë me drogë dhe kanabis.
Në këtë sallë sot u fol dhe për Dibrën. Pse unë nuk po ndalem gjerësisht? Më 2 korrik 2015, në këtë platformë kam deklaruar me dhembjen më të madhe se seanca ishte e funeralit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe e kam deklaruar atë me bindjen më të thellë. Po Dibra çfarë ishte? Hapja e njërit prej këtyre varreve të krijuara nga ju, njëri nga varret e kësaj varreze, në të cilën ju keni futur votën e shqiptarëve, në të cilën keni varrosur vullnetin e lirë të shqiptarëve. Prapa çjerrjeve histerike të Sadri Abazit në Dibër qëndrojnë vjedhjet e miliona e miliona eurove së bashku me Edi Ramën, prapa histerisë së tij, njeriu që s’ka folur asnjëherë në Parlament qëndronte frika dhe tmerri i milionave që ka vjedhur, i dhjetëra e dhjetëra ndërtimeve pa leje, i ndërtimit të perandorisë së tij mbi krimin dhe drogën, pengmarrjes etj., etj.
Berisha publikoi të dhëna tronditëse, sipas të cilave, miliona rrënjë kanabis janë mbjellë e po mbillen në çdo cep të vendit. “Pas kësaj histerie e çmendurie të Abazit, qëndrojnë tenderat, në të cilat ka vjedhur me dhjetëra milionë euro së bashku me Edi Ramën. Po pse do të merremi ne me fshatarin e mashtruar që të punësohet? Po pse do të merremi ne me këtë në një kohë kur droga e tëra është në duart e Edi Ramës dhe Saje qorrit? Mësojeni se drogën e lëviz Edi Rama, se drogën e Kurveleshit e lëviz Saimir Tahiri. Vetëm në Kurvelesh janë të mbjella mbi 3.2 milionë rrënjë. Në përllogaritje të raportit të fshehtë, nëse llogarisim sipërfaqen e paralajmëruar në raportin e shërbimeve partnere, në Shqipëri janë mbjellë të paktën, minimumi 20 milionë rrënjë.  100 mijë rrënjë janë në Selishtë, nën kujdesin e Ymer Lalës. A e dini ju sa mesazhe i ka dërguar ky zotëria (Rama) Ymer Lalës dhe se çfarë e porosit në mesazhe ky Edvin Shullazi? Të dalë të thotë nëse s’ka komunikuar. I kontrollojnë shërbimet partnere që të gjitha këto. Le të dalë t’i mohojë nëse do dhe unë dal i jap përmbajtjen e tyre pastaj”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.
Zhvillimet e ditës së dielë, tha Berisha, ishin një dramë e paralajmëruar. “Edi Rama përdori gjithë potencialin kriminal jo vetëm të Dibrës, por dhe falangat e krimit nga një seri qarqesh të vendit. Dibranët janë trima, por ka një moment, që është krimi i veshur me pushtet. Se krimi pa pushtet është i rrezikshëm, në tërësinë e tij, futet në strofull e del nga strofulla, por krejt tjetër është krimi me pushtet. Krimi me pushtet është pushteti më i pakufishëm, sepse ai bën ato që nuk bën dot pushtetari kriminel nga frika e tij. Dhe të gjitha ato që do të realizojë Edi Rama, këtë adhurim që ka për krimin e ka vetëm për një arsye, sepse nëpërmjet tij realizon atë që vetë s’e bën dot. Kjo është arsyeja. Në këtë kontekst qytetari vihet para një alternative; ose të reagojë me forcë ose të nënshtrohet, dhe në tërësi nënshtrohet, duke besuar se një ditë tjetër më e mirë do të vijë. Kjo ishte zgjedhja që bëtë. Çfarë më thoshte një mik i imi në Dibër? “Jemi 15 vota në familje. Më erdhën e më thanë ose 15 votat ose pensionin ta hoqëm. Nuk e dhashë votën për ato lekë që më dhanë, por e dhashë votën për shkak të pensionit”, tha Berisha.