Merkato kuqezi

Miqësorja me Marokun ishte testi i parë pas ëndrrës së përjetuar në europian, një sfidë që vlejti shumë për trajnerin Giani De Biasi, pikërisht në ditën e fundit të merkatos së verës. Vihet re që sezoni i ri për kuqezinjtë do të nisë me ndryshime të shumta, pasi janë disa futbollistë, të cilët kanë preferuar të ndryshojnë ambient. Objektivi i vetëm në këto lëvizje nuk duket të jetë përfitimi financiar, por dëshira për t’u aktivizuar sa më shumë në klubet respektive dhe për të qenë të gatshëm edhe për përfaqësuesen. Në ditën e fundit të lëvizjeve të futbollistëve është mësuar destinacioni i ri për portierin Etrit Berisha, që ka lënë Lacion për t’iu bashkuar Atalantës, aty ku mundësitë e aktivizimit si titullar janë të mëdha, edhe pse duhet fituar më parë konkurenca me portierin aktual Sportiello.
Po në Itali, ai që ka ndryshuar ambient në ditën e fundit të merkatos është Berat Gjimshiti, që ka lënë pikërisht zikaltërit e Bergamos për t’u transferuar në serinë B tek Avellino, aty ku pritet të ketë më shumë hapësirë në dispozicion. Mërgim Mavraj ishte një nga objektivat në merkato të disa prej klubeve të mëdha, si p.sh. Sampdoria, por kapiteni i ri i kuqezinjve qëndroi në Këln, aty ku është titullar i padiskutueshëm dhe vlerësohet si një lider i skuadrës së Bundesligës. Elseid Hysaj vlerësohet maksimalisht në Napoli dhe për të është gati kontrata e re, me përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare, por edhe një klauzolë të çmendur në merkato.
Pas europianit lëvizje të tjera pozitive kanë ndodhur në gjirin e kuqezinjve, pasi Migjen Basha është bashkuar me Barin, ku ka nisur si titullar kampionatin. Emir Lenjani është rikthyer tek Rene pas një viti huazimi tek Nante, Ergys Kaçe ka lënë Paokun për Viktoria Plzen, Frederik Veseli hodhi hapin e madh, duke kaluar në Serinë A tek Empoli, Bekim Balaj dhe Odise Roshi kaluan nga Kroacia në kampionatin rus tek Terek Grozny, ndërsa Rei Manaj la Interin për të gjetur më shumë minuta tek Pescara. Ndërkohë një formë të mirë tek skuadrat e tyre po kalojnë Jahmir Hyka, Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku. Shumë lëvizje kuqezi në këtë merkato vere, por që të gjitha për një objektiv, sa më shumë minuta në dispozicion të lojtarëve çka më pas detyrimisht do të jetë një bonus i madh edhe për kombëtaren shqiptare.
Armando Sadiku dhe Berat Gjimshiti ishin dy prej kuqezinjtë, të cilët u përfolën më tepër në merkaton e verës. Pas golit historik në Kampionatin Europian, sulmuesi tërhoqi vëmendjen e klubeve nga ligat më të mëdha europiane. Por, Zurich e vlerësoi 9 milionë euro kartonin e Sadikut, duke e cilësuar praktikisht të pashitshëm. Në situatën e krijuar, bomberi kuqezi u detyrua të luajë në ligën e dytë zvicerane, por gjithsesi ka shansin të luajë në grupet e Europa League.
Një tjetër lojtar i përfolur në merkato ishte Berat Gjimshiti. Në orët e fundit të afatit të transferimeve, mbrojtësi u huazua nga Atalanta te Avellino. Pas rikthimit në Kombëtare dhe zhgënjimit për mungesën në Kampionatin Europian, mbrojtësi zbuloi prapaskenat e transferimit në Serinë B.