Memushaj titullar ndaj Torinos

Sinjale negative vijnë nga Pescara në lidhje me ecurinë e sulmuesit shqiptar, Rey Manaj. Bomberi i lindur në Lushnjë që këtë sezon është huazuar nga Interi te skuadra bardhekaltër, nuk po kalon një moment pozitiv, pavarësisht një goli të shënuar në transfertën e Sassuolos. Trajneri Massimo Oddo nuk e shikon si titullar në zgjedhjet e tij dhe kjo u vu re qartë edhe në sfidën e “Olimpicos” kundër Lazios ku Manaj u aktivizua vetëm në pjesën e dytë. Gjatë 45 minutave të dyta në kryeqytet, Manaj nuk la asnjë shenjë, ndërsa Pescara pësoi tri gola që lënë një shije të hidhur në kampin e skuadrës abruceze. Sipas mediave pranë klubit bardhekaltër, sikur të mos mjaftonte kjo, Manaj do të mungojë në sfidën e radhës kundër Torinos. Sulmuesi kuqezi vuan nga disa probleme fizike dhe ai mund ta nisë ndeshjen nga stoli.
Manaj vuan nga problemet muskulare dhe Oddo e ka vlerësuar gjendjen e tij jo optimale. Në këtë mënyrë, është Simone Pepe kandidatura kryesore për të zënë vendin e shqiptarit në sfidën e mesjavës. Ndryshe nga Manaj, Memushaj pritet të luajë që nga minuta e parë për të drejtuar skuadrën në një tjetër 90 minutësh delikat. Kapiteni kërkon të rifitojë besimin e tifozëve dhe skuadrës pas atij 11 metërshi të humbur në “Olimpico” që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit kundër Lazios.