Media greke: Plantacionet me kanabis me mbulim të policisë

Pas Italisë, kultivimi masiv i kanabisit në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen për të distatën herë edhe të medieve greke. Këtë herë përmes një artikulli portali i lajmeve në Greqinë Veriore, “EpirusPost”, duke iu referuar edhe të dhënave nga Italia dhe akuzave të opozitës ndaj qeverisë, shkruan se Shqipëria sot është e mbuluar me kanabis. Në shkrim nënvizohet se: “Për vite Europa ka folur në lidhje me Lazaratin. Ai ishte burimi kryesor i prodhimit të hashashit dhe nga aty filloi për t’u shpërndarë në Greqi dhe Itali, dhe më pas në vendet e tjera. Gradualisht, brenda tre viteve në vend të një Lazarati, Shqipëria ka dhjetëra sot. Mijëra hektarë me hashash, kanabis në Shqipëri. Në muajt e fundit, kultivimi ka marrë dimensione shpërthyese. Dhe ankesat e vazhdueshme se kultivimi dhe tregtia është bërë tani me mbulim të plotë të policisë, ndonjëherë edhe me mbrojtjen e tyre”, shkruan portal.
“EpirusPost” përmend edhe të dhënat e publikuara nga ‘Corriere Della Sera’ bazuar në raportin e policisë italiane, se këtë vit tokat e kultivuara me kanabis janë rritur me 25% në 363 zona të Shqipërisë.
Portali shkruan edhe se, ka akuza për politikanë të korruptuar e që kanë lidhje me qarqet ekstremiste me bandat e kultivuesve në Shqipëri. Opozita shqiptare ka argumentuar vazhdimisht se 30% e fitimeve nga kanabisi i prodhuar në vend shkojnë në llogaritë e Kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas Partisë Demokratike, do t’i përdorë ato për të blerë zgjedhjet e ardhshme.

“L’Espresso”: Sacra  Korona Unita te droga nga Shqipëria

Një ditë më parë, mediat publikuan një shkrim të revistës italiane “L’Espresso”, e cila kishte bërë një investigim për kanabisin dhe për trafikun e drogës nga Shqipëria. Gjatë investigimit, gazetari Giovanni Tizian ka biseduar edhe me Kolonelin Maurizio Muscarà, që bashkë me njerëzit e tij është ndër më të zotët në luftën ndaj drogës. Koloneli Muscarà ka treguar se sa lekë blihet një kilogramë kanabis në Shqipëri dhe sa shitet në Itali ky produkt “Made in Shqipëria”.
Gjithashtu, ai tregon edhe se si i kapin trafikantët shqiptarë në det. “Një kg e blerë direkt nga plantacionet në Shqipëri kushton maksimumi 200 euro dhe shitet në Itali për 10 mijë euro. Kjo do të thotë se me një ton, banda fiton 10 milionë”, shkruan “L’Espresso”.
“Në tre vitet e fundit, ne kemi sekuestruar me këto operacione më shumë se 11 ton drogë”, tregon Muscarà, i cili jep disa shifra të rëndësishme: “Një kg i siguruar direkt nga plantacionet shqiptare kushton maksimumi 200 euro. Në Itali, shitet 10 mijë euro. Kjo do të thotë se me një ton, klani ka fituar 10 milionë”.
Reparti i drejtuar nga koloneli ka vlerësuar biznesin vjetor në 4-5 milionë euro. Prodhimi, për më tepër, në Shqipëri është shumë i lartë: 900 ton çdo vit. “Grupet shqiptare kanë baza italiane dhe janë të lidhur, kanë zbuluar hetimet, me bandat e Salentos të Sacra Corona Unita. Gjithmonë e më shpesh ndodh të zbulohen edhe karabinierë të vjetër, e marinarë ekspert, të ricikluar me këtë trafik”.

Die Welt: Shqipëria e mbuluar me drogë, regjimi merr miliarda lekë

Po ashtu edhe mediat gjermane i kanë kushtuar vëmendje kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Gazeta shumë e njohur, “Die Welt” publikoi para pak ditësh një shkrim për plantacionet me kanabis në Shqipëri. Në shkrim thuhet ndër të tjera se, Shqipëria, një nga vendet më të varfëra në Europë, është mbuluar me drogë. “Ky vend në Veri të Ballkanit kultivon drogën më të madhe në Europë. Varfëria i detyron njerëzit të mbjellin më shumë drogë. Vetëm këtë vit, regjimi ka marrë miliarda lekë”, shkruhet në artikull.
Shkrimi ilustrohet edhe me foto nga plantacionet me drogë si dhe operacione të policisë për shkatërrimin e kanabisit në Fushë-Krujë, ku në komentin e tij gazetari shprehet se është një betejë e pa shpresë e policisë shqiptare. “Betejë e pa shpresë e policisë shqiptare. Qeveria shqiptare gënjen kur deklaron se, tanimë plantancionet e drogës janë shkatërruar”, shkruhet në artikullin e gazetës së njohur gjermane, “Die Welt”.
Në artikullin e “Die Welt” shkruhet se, i gjithë terrotori shqiptar është mbuluar me kanabais, ndërsa bima narkotike është në fazën e pjekjes dhe të trafikimit. “Në këtë fund viti janë shkatërruar 1.7 milionë kanabis, po ta krahasosh me vitin e kaluar është dyfishuar prodhimi”, shkruhet në artikull ku përmenden edhe plantacionet me drogë në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Korçë, Krujë, Shkodër. Në shkrim përmenden edhe disa raste të sekuestrimit të kanabisit në Itali dhe Greqi, ndërsa komentohet se ky trafik zhvillohet nën hundën e policisë shqiptare.