Mbrojtja e konsumatorit, raporti i KLSH zbulon abuzimet me peshën

Abuzimet me peshën dhe matjen nuk janë në nivelin e kërkuar bashkëkohor dhe konsumatori shqiptar është i pambrojtur.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë (DPM), vërehet se ky institucion “vuan” nga mungesa e bashkëpunimit me institucionet e tjera publike për përfshirjen në verifikim të të gjithë subjekteve me instrumente matës në përdorim, nga problematikat e licensimit, monitorimit dhe inspektimit të personave të autorizuar në fushën e matësve të energjisë elektrike dhe të ujit; nga veprimtaria inspektuese jo e qëndrueshme, si dhe nga mangësitë e konstatuara në fushën e kryerjes së investimeve dhe përdorimit të aseteve.
Sipas raportit të KLSH, janë ndëshkuar me gjobë një numër i vogël subjektesh, krahasuar me numrin e madh të inspektimeve dhe parregullsive të konstatuara: vetëm 0.65% e subjekteve; numri më i madh i gjobave (130) është në 2013, si dhe numri më i vogël (10) është në vitin 2012, me prirje rënie nga 2013 e në vazhdim.
Në strukturën e subjekteve të gjobitura gjatë kohës tetor 2013-dhjetor 2015 rezulton se 74 % e tyre u përkasin njësive të tregtimit të karburanteve (në pjesën më të madhe të të cilëve për shkaqe të furnizimit jashtë tolerancave ligjore), 15 % mungesës së peshës sipas etiketimit në subjektet e tregtimit të mallrave të parapaketuara, në vijim furrat e bukës, pikat e tregtimit të gazit etj.
Nga këto të dhëna vërehet se konsumatori goditet pikërisht në ato lloje transaksionesh tregtare të nevojës së parë siç është buka, karburanti, gazi etj. Nga 270 gjobat e vendosura janë nxjerrë titujt ekzekutivë për 186 prej tyre (69 %) dhe rezultojnë të përmbushura plotësisht dhe/ose pjesërisht 91 prej tyre.
Pra për këtë periudhë në çdo 3 gjoba të vendosura, DPM arrin të vjelë pjesërisht ose plotësisht vetëm një prej tyre brenda 5 vitesh. KLSH vëren se, metrologët e autorizuar në DPM nuk janë sipas kërkesave ligjore lidhur me profesionin dhe eksperiencën në punë.