Mazhoranca tërhiqet nga neni që rikthente censurën në media

Mazhoranca tërhiqet nga neni 13 i projektligjit të SPAK dhe nenit 6 i projektligjit për Prokurorinë që rikthente censurën në media dhe parashikonte burg për gazetarët që mund të ushtrojnë influencë ndaj prokurorëve për çështje të caktuara. Në bazë të variantit final të të rënë dakord mes shoqatave të gazetarëve me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, hiqet termi ndalim apo dënim, duke garantuar me ligj pavarësinë në marrjen e vendimeve nga prokurorët, pavarësisht çdo ndikimi.
Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, konfirmon se ky variant do të jetë i njëjtë në të dy nenet e ligjeve përkatëse në nenin 13 të SPAK dhe në nenin 6 pika 3 e ligjit për Prokurorinë raporton “reporttv”.
Ligji garanton pavarësinë dhe autonominë e nevojshme për marrjen e vendimeve gjatë ushtrimit nga prokurorët të funksionit të tyre kushtetues e ligjorë, pavarësisht ndikimit të paligjshëm të brendshëm apo të jashtëm nga çdo autoritet publik a privat.
Në nenin 13 të ligjit të SPAK , thuhej se: “Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.
Ndërkaq në nenin 6 të Ligjit për Prokurorinë thuhej që: “Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cenon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit”.
Këto dy nene tashmë bien, por fillimisht sollën reagim të ashpër jo vetëm të shoqatave të gazetarëve, por edhe të politikës.
Në këto kushte, Shoqata e Gazetarëve dorëzoi një memo Kuvendit ku propozonte tre zgjidhje për këtë nen. Në takimin e kësaj të enjte me kryetarin e komisionit është rënë dakort pikërisht për pikën e tretë të saj.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Unionit të Gazetarëve, Institutit Shqiptar të Medias, Qendrës (BIRN ALBANIA), Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, si dhe Shoqatës së Mediave Elektronike.
Variant final
Ligji garanton pavarësinë dhe autonominë e nevojshme për marrjen e vendimeve gjatë ushtrimit nga prokurorët të funksionit të tyre kushtetues e ligjorë, pavarësisht ndikimit të paligjshëm të brendshëm apo të jashtëm nga çdo autoritet publik a privat”.
Formulimi i mëparshëm i dy neneve
Neni 13 i SPAK
“Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.
Neni 6. pika 3 i ligjit për Prokurorinë
Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cenon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.