Lubonja: Shpëtimi i vendit nga shqiptarët, Dibra tregoi se s’ka më rrotacion politik

-Situata aktuale në vend…
Përveç avionit shikoj dhe pistën, sepse është më e rëndësishme pista se ku do ulej avioni. 1 km e gjysmë për të ulur avionin që bën lidhjen e gjërave, të avionit, pilotit. Pista është më e rëndë se avioni vetë. Avioni dhe mund të ulej diku dhe të thuhet që ishte për turizëm. Por që të ndërtosh një pistë për një avion, të vendosësh makineri dhe njerëz për ndërtimin e saj nën hundën e shtetit dhe jo në malet e Kukësit, por afër Tiranës, është provë që këtu kemi një provë të vazhduar për të transportuar drogë me avionë. Nuk është hera e parë, ajo që ngrihet në opinionin publik sot, duke ballafaquar akuzat e PD-së sot dhe mbrojtjen e qeverisë nga ana tjetër, është fakti që Shqipëria paska qenë e mbushur me drogë, por ishte përqendruar te Lazarati dhe këto parcelat kanë qenë aty edhe në kohën e PD-së. PD thotë që jemi në një shtim të kësaj industrie. Ku është e vërteta? Është e vështirë të përcaktohet, por të gjitha të dhënat, avioni e pista tregojnë rritje. Dhe akuza tjetër është që kjo s’bëhet dot pa shtetin. Por kur vjen puna për avion e pista, padyshim shteti është i përfshirë. Këtej na ndërhyn në ndërtime pa leje për një kat më shumë, dhe këtej u ndërtoka një pistë 1 km e gjysmë dhe nuk ditke gjë. S’paske informatorë atëherë ke mbaruar si shtet”.

– Kur thoni shtet, kujt i referoheni?
Kur themi shteti janë dy gjëra që ne i ngatërrojmë. Themi shteti dhe në vend që të kemi parasysh të gjitha ato struktura që janë mbipartiake. Nënkuptojmë mazhorancën e radhës, qeverinë e radhës, dhe ky ngatërrim nuk është i rastësishëm. Në vend që të ndërtohet shteti i së drejtës, ndërtohet shteti i partisë, partia-shtet, që ndërron një herë në 8 vjet, dhe që tani është koalicioni PS-LSI dhe përmendin strukturat kryesore që janë Policia dhe një problem shumë i madh tjetër si Drejtësia që duhet t’i kontrollojë këto. Njëkohësisht është problemi që shteti që ndërhyri për të ndërprerë Lazaratin ka vazhduar këtë lloj fryme, që nënkupton që duhet të investonte ndryshe në ekonomi. Edhe nëse themi që shteti nuk ka dorë fare në këtë lloj industrie, shteti është fajtor se nuk ka investuar ndryshe në kuptimin e politikave për të zhvilluar bujqësinë dhe varfërimi i njerëzve ka bërë që ose të largohen ose të kultivojnë drogën. Nuk është deri këtu. Është më keq. Sot kam bërë një shkrim, rreziku i putinizmit ku kam idenë, putinizëm do të thotë një sistem ku ka zgjedhje, por nuk ka rotacion. Dhe rreziku është që kjo mazhorancë, duke forcuar instrumentet e sundimit, duke degraduar njerëzit në krim dhe bashkëpunim me krimin, mund të sundojë. Ishte e dukshme në Dibër, se nuk mundesh që brenda një viti të fitosh me aq shumë vota. Në Dibër nuk ka asgjë tjetër përveç se një lloj komprometimi të njerëzve, pra të mos kemi më rotacion. Një nga faktorët që e mban putinizmin në këmbë është ekonomia. Këta kanë gjetur drogën. Kjo është katastrofike për të ardhmen e Shqipërisë”.

– Kreu i LSI-së nga Korça para disa ditësh tha se duhet reaguar përballë kësaj situate të rëndë në kultivimin e kanabisit. Duke u distancuar nga qeveria që në mënyrë të përsëritur ka mohuar të gjitha akuzat?
Kur shikojmë këtë koalicion, i njohim dritëhijet e tij. Ka shumë zëra që tregojnë, se Meta ka dashur të dalë nga ky koalicion dhe të ndërtojë një qeveri teknike. Por mazhoranca ja bleu aq deputetë sa ju deshën, bleu dhe partinë e Idrizit. Meta pati një tërheqje në këtë drejtim, por mbetet konflikti. Sa do përpiqet Rama a Tahiri ta mbulojnë diellin me shoshë, nuk munden dhe Metës i duhet të tërhiqet nga kjo të thotë, që s’ka lidhje, sepse s’i dihet si shkojnë gjërat nesër. I duhet të bëjë një distancim nga kjo pjesë.

– Meta kërkoi dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe nënvizoi faktin që ata kanë qenë aktivë për shumë çështje në Shqipëri, ndërsa për drogën kanë qëndruar në heshtje?
Meta i kujton Lu-së e Vlahutin se, këtej keni folur për drejtësinë, keni akuzuar njerëz dhe nga ana tjetër nuk thonë një fjalë për këto krime që janë evidente, që duken sheshit. Ndërkombëtarët duhet të reagojnë, por mendoj se ata e njohin problemin, por historikisht duhet të dimë, ndërkombëtarët kanë qenë me mazhorancat. Kujtoj rastin më flagrant të vitit 1996-1997, kur ranë piramidat që nuk thanë asnjë fjalë. Ishin me Berishën. Janë përgjithësisht me mazhorancat. Kanë interesat e tyre. Stabiliteti është më i rëndësishëm se demokracia për ndërkombëtarët. Nuk duhet të presim ndonjë shpëtim nga ndërkombëtarët. Shqiptarët ta kërkojnë shpëtimin nga vetja.

– Çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo situatë?
Unë e kam thënë që këtu ka një strategji të mazhorancës për të tharë çdo lloj proteste. Ne kemi pasur protesta, që janë mbështetur nga partitë politike dhe ka pasur momentin kur partitë politike dhe interesi i publikut kanë shkuar bashkë për një çështje të caktuar. E vetmja protestë që tregoi ekzistencën e një Shoqërie Civile përtej partive politike, ka qenë ajo e plehrave kimike. Por ky nuk mësoi nga kjo që ta lërë Shoqërinë Civile që të zhvillohet, e të mësojë, por përkundrazi strategjia e mazhorancës ishte të korruptonin, t’i thajnë këto protesta. Shpirtin e protestës ose e ndihmon, duke e respektuar, se po e respektove ai do protestojë prapë, po e dhunove dhe e korruptove siç bëjnë këta, njerëzit do ikin. Çështja që nuk ka protesta është një mungesë që e kanë vetë, por është dhe një strategji për të tharë çdo ndjenjë proteste tek njeriu.

– Me gjithë skepticizmin, opozita mbetet një shpresë ….
Meqë më pyete cila është zgjidhja, unë mendoj kështu: të përfaqësohen të papërfaqësuarit. Duhet një lëvizje që të përfaqësojë të papërfaqësuarit. Kur kam parasysh të papërfaqësuarit, them për ata që janë të zhgënjyer nga këto parti oligarkësh që kanë parë vetëm interesat e tyre dhe një pakice. Siç ishte në Dibër, nuk votohet më PD-ja se ka qeverisur për shumë kohë keq atje. Përfaqësimi  i të papërfaqësuarve është një lëvizje e re. Është e brishtë. Mund të bashkëpunojë me ndonjë opozitë që heq dorë nga politikat e ‘të presim sa të degradojnë këta e ta marrim ne’ apo ‘mbështetuni te banda jonë’. Duhet hequr dorë nga kjo politikë që bën opozita. Kjo lëvizje e re në një koalicion mundet të na shpëtojë nga rreziku i putinizmit që nuk lë rotacion, duke përdorur paratë e drogës si instrument pushteti.

– Komenti juaj për ligjin e importit të mbetjeve. Ju e vutë në dukje ndryshimin e protestave që ishin dikur kur në qeveri ishte e djathta dhe tani…
E para, Në atë kohë opozita ishte kundra ligjit dhe qytetarët ishin kundra ligjit, në momentin kur opozita vjen në pushtet dhe bën ligjin kundra qytetarëve është humbja e besimit që vazhdon te politika, e dyta, unë ngulmoj që boll plehra kemi në Shqipëri që të sjellim dhe plehrat e të tjerëve. Ne duhet të djegim aq plehra sa prodhojmë si shqiptarë. Nëse duam një Shqipëri të pastër, ekologjike, turistike. E dyta, që është shumë e rëndësishme është që lidhet me ligjin: Çfarë lloj mbetjesh do vijnë? Ose do vijnë mbetje që do përpunohen alumin ose plastikë ose mund të digjen mbetjet dhe merr para se po digjen, unë jam kundër kësaj. Aspekti kryesor që unë mendoj se duhet të ndalohet ky ligj është tjetër: është fakti që sot ne po na hyjnë avionët me drogë, po na hapen pista për to. Ne nuk kemi shtet që të kontrollojë, kush më garanton mua që me ndotjet e parrezikshme nuk do hyjnë dhe ato ndotjet që mafia i fut dhe paguhet aq shumë për t’i pastruar. Duke shkaktuar katastrofë ekologjike.

ora news