“La Repubblica”: Avioni në Ishëm për drogë dhe armë

Piloti italian, që u ul me avionin e tij në Ishëm është i dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës dhe në trafik armësh. Gazeta italiane “La Repubblica”, duke iu referuar të shkuarës së errët të pilotit shkruan se, avioni që u ul në Ishëm do të trafikonte drogë dhe armë nga Durrësi. Faqet e mediave italiane janë mbushur me shkrime për pilotin Guido Andrea Guidi, fill pasi “ngeci” me avion në Shqipëri.
Guidi, ortak në një shoqëri taksish ajrore, ishte arrestuar dhe në vitin 2006, pasi një nga avionët e shoqërisë u rrëzua, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe bashkëpilotit. Piloti italian i rrëzuar në Ishëm rezulton kështu të ketë një histori të shkuar të errët.
Guido Guidi është arrestuar në vitin 2006 për një aksident ajror të vitit 2003, ku humbën jetën dy pilotë. Në atë kohë, Guido Guidi dhe Edorado Rubini, dy drejtuesit e firmës, kishin falsifikuar dokumentet e kolaudimit të avionit, duke shkaktuar në këtë mënyrë edhe vdekjen e dy pilotëve. Avioni nuk duhej të ngrihej atë ditë dhe kishte nevojë për kontroll teknik, pasi kishte probleme. Mirëpo, Guidi së bashku me Rubinon, kishin paguar 25 mijë euro ryshfet që të bëhej një raport fals për gjendjen teknike të avionit. Për ngjarjen në Ishëm, ai dyshohet se është përfshirë në trafikun e armëve dhe drogës nëpërmjet pistave sekrete për avionët e klaneve të trafikantëve.

“Corriere Della Sera”: Guidi ka folur shumë

Detajet e hetimit matanë Adriatikut i ka pasqyruar edhe e përditshmja “Corriere Della Sera”, sipas së cilës piloti italian, Guido Andrea Guidi, ka folur dhe ka dhënë hollësi mbi veprimtarinë e tij dhe bashkëpunimin me organizatat kriminale shqiptare. “Për të shpëtuar lëkurën e tij, sipërmarrësi 69-vjeçar ka thënë gjithçka, ndoshta ka folur tepër”, shkruan gazeta.
Sipas “Corriere Della Sera”, është pikërisht dëshmia e pilotit perdja më e madhe e dyshimit në këtë ngjarje, pasi ai ka rrëfyer emrat e anëtarëve të organizatës, pistat sekrete të avionëve, sasinë e drogës dhe kontaktet në Itali. Por vetëm nëse do të publikohet lista e plotë e emrave të Guido Guidit mund të hedhë dritë mbi këtë çështje”, shkruan “Corriere Della Sera”.
“Sekretet që rëndojnë këtë hetim varen edhe nga përplasjet në brendësi të Parlamentit shqiptar”, raporton prestigjiozja italiane që risjell në kujtesë rastin e Dritan Zaganit, oficerit të policisë që kërkon azil politik në Itali, pasi rrëfeu se kishte drejtuar një operacion antidrogë që i kishte rrënjët në majat e qeverisë.
“Fillimisht, Guido Guidi tha se u nis nga Bari me destinacion Milanon, por vendosi papritur të bëjë një shëtitje. Mirëpo pistat më të mundshme janë dy, vijon artikulli, italiani është nisur pikërisht nga Milano, jo nga Bari, dhe ka mbërritur në Ishëm për të këqyrur pistën, ku pas pak javësh do të ngarkonte 200 kilogramë marijuanë. Ndërsa pista e dytë është, që ai e ka ngarkuar sasinë e drogës, por ka pasur vështirësi në ngjitje dhe është detyruar të kryejë ulje emergjence”.

Dëshmia e pilotit

Në komunikimin paraprak me grupin e hetimit, piloti ka pranuar se ka ardhur në Shqipëri për çështje droge. Ai ka thënë se në Milano një shtetas italian, i njohur i tij, e ka prezantuar me një emigrant nga Shqipëria. Piloti pretendon se ka marrë porosi për transportim lëndësh narkotike nga një shtetas shqiptar me precedentë penalë për trafik droge. Sipas porosisë, ai do të merrte 20 mijë euro për çdo rrugë të transportit të drogës nga Shqipëria. Piloti pranoi se në dy rastet që ka ardhur në Shqipëri është pritur nga persona që nuk i njihte më parë dhe që nuk i mbante mend tani emrat apo kontaktet e tyre. “Një miku im në Itali, që ka qenë i dënuar për çështje droge, kishte takuar një shqiptar, edhe ai, mesa kam dijeni, i dënuar për të njëjtën çështje. Ata më folën për planin që kishin dhe pranova. Do të paguhesha prej shqiptarit 20 mijë euro për një rrugë, në të cilën do të kaloja në Itali 200 kilogramë kanabis”, ka thënë italiani.
Nuk ka pasur persona që më prisnin në pistën ku bëra uljen ditën e djeshme, më 15 shtator, të paktën në dijeninë time nuk ka qenë kush aty. Kam pranuar të kryej këtë aktivitet për shkak të problemeve ekonomike në Itali. Më thanë se për çdo rrugë që do të kryeja, pagesa do të ishte 20¬-30 mijë euro, në varësi të sasisë së drogës që do të transportoja. Çmimi për të cilin bëmë një ujdi ishte 1 mijë euro për 10 kilogramë kanabis. Kësaj here do të bëhej testimi i pistës dhe do të llogaritej koha e nevojshme për fluturimin nga Italia dhe transportimin e drogës, ndërsa ngarkesa e parë do të merrej, në varësi të kushteve të motit, në fund të muajit shtator.

Prokuroria kërkon zgjerimin e hetimeve në Itali

Hetimi i trafikut të drogës me avionë, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kërkon bashkëpunimin edhe të autoriteteve italiane. Nisur nga kjo situatë, Prokuroria pritet që në ditët në vijim t’i drejtohet Prokurorisë italiane me një letërporosi, ku do kërkojë kryerjen e një sërë veprimesh hetimore. Së pari, sipas prokurorëve, është e nevojshme të kryhen verifikime në disa drejtime, si për shtetasin italian që banon në Itali dhe për shtetasin shqiptar që banon në Itali, ku piloti italian pretendon se i ka takuar.
Do kërkohen numrat e telefonit të tyre, tabulatet dhe kontaktet që kanë në Shqipëri dhe Itali. Më tej hetuesit thonë, se është e nevojshme të lokalizohet lokali në Milano dhe të sekuestrohen pamjet filmike të tij, për të mësuar nëse është realizuar një takim i tillë ose jo. Gjithashtu do kërkohet të verifikohet dhe ngritja e avionit të vogël nga territori italian.
Guido Andrea Guidi, 69-vjeçari që “ngeci” me një avion “Piper” në grykëderdhjen e Ishmit dhe që po hetohet për “Shkelje të rregullave të fluturimit ndërkombëtar” dhe “Kalim të paligjshëm të kufirit”, ka përdorur një “telefon të zgjuar” gjatë gjithë fluturimit, por që nuk është gjendur ende. Burime nga Prokuroria pohojnë se, ka dyshime të arsyeshme se piloti italian ka dorëzuar vetëm një telefon, ku nuk kishte shumë të dhëna, ndërsa tjetrin, atë me të cilin ka patur kontakte dhe ka shkëmbyer mesazhe me trafikantët shqiptarë mendohet se e ka “zhdukur” diku në zonën ku ra avioni.
Një element tjetër që i shton më shumë dyshimet e organit të akuzës është edhe fakti se piloti kishte fikur pajisjen lokalizuese të mjetit fluturues, që kur ishte mbi Detin Adriatik, duke mbetur kështu jashtë monitorimit të radarëve të Rinasit dhe bazave të tjera ajrore në vend. Ndaj edhe për të gjetur lokacionin ku ai duhej të ulej me saktësi, mendohet të ketë përdor pikërisht telefonin që dyshohet se e ka fshehur qëllimisht, me të cilin ka komunikuar me trafikantët shqiptarë.
Pilotit të avionit “Piper” i është ofruar tashmë mundësia e firmosjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi me drejtësinë shqiptare në formën e të penduarit, por nuk dihet ende nëse do ta firmosë.

Pronari i avionit në Ishëm: Piloti na tha se do të shkonte në Leçe

Dy ditë pas uljes në grykëderdhjen e Ishmit të një avioni të vogël italian, ka reaguar presidenti i “Aero Club Savona”, në pronësi të së cilit është mjeti fluturues. Presidenti i “Aero Club Savona”, Mauro Zunino thotë se, piloti italian nuk i kishte kërkuar leje që të vinte në Shqipëri. “Guido s’më ka kërkuar leje që të vinte në Shqipëri. Ai kërkoi mori avionin për të udhëtuar mbi Leçe. Asnjë pilot tjetër i shoqërisë s’ka udhëtuar në Shqipëri”, thotë ai.
“Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me avionin tonë që ishte krenaria e klubit, kishte 800 orë fluturim. Nuk kemi marrë asnjë telefonatë nga organet e policisë, ato diplomatike apo nga vetë piloti që iu bashkua klubit tonë para 3 vitesh”, shton më tej Mauro Zunino.
Mauro Zunino rrëfen se piloti 69-vjeçar Guido Guidi i është bashkuar klubit 3 vite më parë. Ai tregon se avioni tip “Pipper”, ishte krenaria e “Aero Club”, pasi kishte 800 orë fluturim. Ndërsa thekson se, Guidi nuk i kishte marrë leje për të fluturuar drejt Shqipërisë, por për të lëvizur drejt Leçes. Presidenti i klubit, Mauro Zunino thotë se, deri më tani nuk kanë marrë asnjë telefonatë nga policia lidhur me këtë ngjarje, ndonëse kanë nisur hetimet, pas dyshimeve se do të përdorej për trafik droge.
Ndërkaq edhe Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar kanë argumentuar se avioni i rrëzuar në Ishëm nuk kishte leje për të fluturuar në hapësirën ajrore të Shqipërisë.

Dëshmia e pilotit nuk bind prokurorët, kërkohet verifikim nga Interforza

Guido Andrea Guidi, piloti italian i rrëzuar në Ishëm me avionin e tij, për momentin nuk do të dalë para gjykatës për t’u njohur me ndonjë akuzë. Ai mbahet nën mbikëqyrjen e zyrës së dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa burimet janë shumë të rezervuara për të treguar vendndodhjen e tij.
Zyrtarisht nga Prokuroria dhe Policia nuk pranohet se ai është bashkëpunëtor i drejtësisë. Çdo gjë që ka të bëjë me 69-vjeçarin është sekret, pas dëshmisë së tij se kishte ardhur në Shqipëri për të transportuar kanabis. Deri në këto momente, Guidi akuzohet për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkeljen e rregullave të fluturimit. Përveç dëshmisë së pilotit, Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë tjetër që e implikon atë në trafik droge.
Në avion nuk janë gjetur gjurmë kanabisi apo edhe në zonën afër pistës së improvizuar. Pavarësisht kësaj, grupi hetimor dyshon se kemi të bëjmë me një rast të pastër trafiku. Emrat, të cilët ka përmendur piloti janë të njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë italiane, si të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Zona ku u ul avioni është një zonë me prodhueshmëri të lartë kanabisi. Në Polici dhe Prokurori ka një numër të lartë procedimesh për kultivimin e lëndëve dhe për disa persona ka patur dhe procedime.
Hetuesit nuk bëjnë të ditur emrat që ka përmendur piloti, por mësohet se Interforcës i është kërkuar informacion i detajuar për një shtetas italian dhe aktivitetin e tij. Ndërkohë, Prokuroria do të ripyesë përsëri italianin, pasi në deklarimet e para ai ka thënë se do merrte 200 kilogramë kanabis në rrugën e parë në këmbim të 20 mijë eurove.
Por nga këqyrja e avionit, pesha që mund të mbajë ai është gati 1 ton e 500 kilogramë. Kjo i bën prokurorët të dyshojnë se ai kishte ardhur për të marrë një sasi më të madhe kanabisi.
Gjatë marrjes në pyetje 69-vjeçari ka nxjerrë emra bashkëpunëtorësh shqiptarë dhe italianë, të cilët e kishin kontaktuar për të transportuar sasi të mëdha droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Personat e përmendur prej tij janë vënë tashmë nën hetim. Krimet e Rënda mësohet se kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e autoriteteve italiane për të thelluar hetimet.
Në rrëfimin e tij, Guidi ka bërë të ditur se ky ishte fluturimi i tij i parë në brigjet shqiptare. Sipas koordinatave, ai i është afruar zonës së Ishmit, ku narko-trafikantët i kishin thënë se do të gjente një pistë të improvizuar.
Mëngjesin e të enjtes, rreth orës 8:30 ai e ka parë pistën dhe ka tentuar të ulet. Gjatë manovrave për të parë nga afër vendin ka humbur kontrollin. Ka tentuar të ringrihet, por avioni ka prekur në tokë dhe ka përfunduar në një zonë me shkurre.

R.POLISI