Ky vend është në luftë

Bledi KASMI

Ngjarja e djeshme e largimit me barelë dhe të sakatuar nga masakrimi të biznesmenit libanezo-amerikan, Fadi Matri, i cili kishte parashikuar hapjen e 1200 vendeve të reja të punës përmes investimit të 450 milionë dollarëve, ka sjellë reagimin e revoltuar të shoqërisë.
Largimi i biznesmenit risjell edhe një herë në qendër të vëmendjes të opinionit rënien e shtetit dhe të sigurisë në vend. Por, kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Rastet janë të panumërta për ilustrim, duke nisur nga ai i katër ditëve më parë, kur një tjetër avion me drogë ra në Ishëm, duke ekspozuar edhe ekzistencën e një piste fluturimi për avionët e drogës.
Nuk përbën më lajm rënia e sigurisë dhe kapja e shtetit nga mafia, gjë që u demonstrua qartë edhe në grabitjen e miliona eurove në Aeroportin e Rinasit. Lajmi në këtë histori është se ashtu si biznesmenin Matri, kjo organizatë kriminale në pushtet po detyron prej tre vitesh të largohet me hir apo me pahir, jo vetëm bizneset e huaja dhe serioze, por edhe popullsinë.
Banka e Shqipërisë nënvizonte dy ditë më parë se, biznesi kishte transferuar jashtë vendit vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti 90 milionë euro fitime. Matri nuk ishte as i pari dhe as i fundit. Beketi ishte në tjetër investitor që paguante disa miliona euro taksa e siguracione mujore në shtet, por që u detyrua që të largohet dhe sot është në kërkim të të drejtës në Gjykatën Ndërkombëtare.
“GlaxoSmithKline”, një nga gjashtë kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë po ashtu u detyrua të largohej nga Shqipëria, pasi qeveria miratoi ligjin që lejonte importin e barnave false, duke rrëzuar direkt konkurrencën e ndershme. Bankers u largua, pasi kishte paralajmëruar që në muajin mars se kishte marrë një vendim të tillë për shkak të pasigurisë, ndërsa kompania turke Transatlantik u detyrua që biznesin e vet të naftës t’ia dorëzojë klientelës së Ramës në mënyrë në dyshimtë.
Ofensiva e organizatës kriminale është për t’i larguar dhe përvetësuar pasuritë e këtyre bizneseve. Por kjo nuk është një strategji vetëm për bizneset. Ende nuk ka një numër të saktë të eksodit të popullsisë drejt vendeve europiane, ndërsa deri tani janë raportuar zyrtarisht rreth 100 mijë që janë larguar drejt Gjermanisë, 200 mijë që kanë plotësuar lotarinë amerikane, por nuk ka një shifër të saktë sa është numri i atyre që nga Franca kalojnë në Angli në mënyrë ilegale.
Banka e Shqipërisë njoftonte dy dytë më parë se edhe të ardhurat e emigrantëve kanë një rënie si 6-mujor me 15 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Askush nuk e shikon më të ardhmen në këtë vend dhe ky është edhe suksesi më i madh i organizatës kriminale në pushtet. Ata po ja arrijnë të ndërmarrin një spastrim të egër të shtresave të ndryshme të popullisë dhe bizneseve.
Ky vend është në luftë, ndaj dhe njerëzit po ikin njësoj si nga Siria. Matri nuk është viktima e parë e kësaj organizate kriminale.