Ku ka ngecur rrjedha e parasë?

Në ditët e sotme, debati mbi pabarazinë fokusohet shpesh në grumbullimin e pabarabartë të të ardhurave dhe pasurisë tek një përqindje shumë e vogël familjesh në Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të avancuara. Por e lënë në hije është prirja e rënies apo ngecjes në vend të të ardhurave për shumicën e familjeve.
Për pjesën më të madhe të periudhës së pasLuftës së Dytë Botërore e deri në vitin 2000, PBB-ja e fortë dhe rritja e punësimit në ekonomitë e zhvilluara, nënkuptonte se thuajse të gjitha familjet përjetonin rritjen e të adhurave, si para dhe pas taksave dhe transferimeve. Për rrjedhojë, brezat u rritën njëri pas tjerit duke pritur të kenë një jetë, më të mirë se ajo e prindërve të tyre. Por, sipas një studimi të ri nga Instituti Global Mekinsej, kjo shpresë s’mund të garantohet më.
Gjatë dekadës së fundit, rritja e të ardhurave pësoi një stanjacion të papritur për shumicën e familjeve në vendet e zhvilluara, teksa ato që drejtohen nga gratë beqare apo të përbëra nga punëtorët e rinj dhe më pak të arsimuar, janë më fort të goditurat.
Të ardhurat reale nga pagat dhe kapitali për familjet në të njëjtën fashë të shpërndarjes së të ardhurave ishte më e ulët në vitin 2014 krahasuar me 2005-ën, për rreth dy të tretat e familjeve në 25 vendet e zhvilluara – më shumë se 500 milionë njerëz. Nga ana tjetër, gjatë viteve 1993-2005, më pak se 2 për qind e familjeve në këto ekonomi, patën të ardhura të njëjta apo rënie të tyre.
Rritja e transfertave qeveritare dhe normat më të ulëta tatimore, reduktuan efektin e stanjacionit apo rënien e të ardhurave të tregut mbi të ardhurat e disponueshme. E megjithatë, 20-25 për qind e familjeve u përballën me një ngecje apo rënie të të ardhurave të disponueshme gjatë viteve 2005-2014, krahasuar me më pak se 2 për qind në 12 vitet e mëparshme.
Një element negativ pas këtij ndryshimi është recesioni i thellë dhe rimëkëmbja e ngadaltë pas krizës ekonomike të vitit 2008 në vendet e zhvilluara. Gjatë viteve 1993-2005, rritja e PBB-së ka kontribuar mesatarisht me rreth 18 pikë përqindjeje, në rritjen mesatare vjetore të të ardhurave familjare në SHBA dhe Evropë; kjo shifër ra në vetëm 4 pikë përqindje në vitet 2005-2014.
Por rënia e rritjes ekonomike pas krizës, është larg nga të qenit problemi i vetëm. (Nëse do të qe kështu, dekada e fundit mund të ishte thjesht një anomali.) Faktorët afatgjatë si investimet e dobëta, ngadalësimi i rritjes së fuqisë punëtore dhe një ngadalësim i theksuar në rritjen e produktivitetit, e kanë reduktuar rritjen e të ardhurave për familjet mesatare tek vendet më të përparuara, në krahasim me periudhën 1993-2005.
Ndryshimet demografike – duke përfshirë ndryshimin në strukturën e familjes, normën e ulët të fertilitetit dhe plakjen e popullsisë – kanë çuar në uljen, si të madhësisë së përgjithshme të familjeve, ashtu edhe të numrit të njerëzve në moshë pune për familje. Dhe ndryshimet në tregun e punës – të diktuara nga ndryshimet teknologjike, globalizimi i punëve që kërkojnë aftësi të ulëta dhe të mesme, si dhe mbizotërimi në rritje i punëve me kohë të pjesshme dhe punësimi i përkohshëm – kanë shkaktuar rënien e shpërndarjes së të ardhurave kombëtare nëpërmjet pagave dhe shpërndarjen e të ardhurave në mesin e familjeve, në mënyrë gjithnjë e më të pabarabartë. Asnjë nga këto prirje nuk pritet të ndryshojë së afërmi. Përkundrazi, disa kanë të ngjarë të forcohen.
Studimi i Mekinsej, konfirmon rolin e faktorëve të tillë afatgjatë në uljen e të ardhurave për shumicën e familjeve. Ai tregon se të ardhurat reale nga tregu për shumicën e familjeve, mbetën në vend apo ranë, edhe pse rritja agregate mbeti pozitive në periudhën 2005-2014. Në veçanti në SHBA, aftësia e punës për të mbrojtur pjesën e saj të të ardhurave kombëtare dhe ajo e familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të mbrojtur pjesën e tyre të pagave, është zbehur ndjeshëm. Për pasojë, rritja reale e të ardhurave mesatare të disponueshme u ngadalësua me 9 për qind nga viti 1993 më 2005-ën, dhe me 7 për qind në vitet 2005-2014.
Suedia, ku familjet mesatare morën një pjesë më të madhe të fitimeve nga rritja e prodhimit në periudhën 2005-2014, e ka thyer këtë prirje negative. Në përgjigje të ngadalësimit të rritjes ekonomike gjatë dekadës së fundit, qeveria suedeze bashkëpunoi me punëdhënësit dhe sindikatat për të reduktuar orët e punës dhe ruajtur vendet e punës. Falë këtyre ndërhyrjeve, të ardhurat e tregut ngecën në vend, ose u reduktuan për vetëm 20 për qind të familjeve.
Dhe transfertat neto bujare, do të thonë se të ardhurat e disponueshme janë rritur për thuajse të gjitha familjet. Sigurisht, edhe Shtetet e Bashkuara ndërhynë pas krizës, duke vënë në zbatim një paketë fiskale stimuluese në vitin 2009, e cila bashkë me transfertat e tjera, rriti me 5 për qind të ardhurat e disponueshme mesatare. Një rënie me 4 pikë përqindje e të ardhurave mesatare nga tregu, u shndërrua kësisoj në një fitim me 1 pikë përqindje të të ardhurave mesatare të disponueshme.
Por kjo nuk e ndryshon faktin, se nga viti 2005 e deri në fund të vitit 2013, të ardhurat e tregut ranë për 81 për qind të familjeve amerikane. Ngjashëm, kërkimet më të fundit nga Emanuel Saez nga Universiteti i Berklit, dëshmuan se të ardhurat reale nga tregu për 99 për qind të shtresës më të ulët në SHBA, u rritën si më 2014 ashtu edhe më 2015-ën, me ritme të papara që nga viti 1999. Megjithatë, në fund të vitit 2015, të ardhurat reale nga tregu për këtë grup e kishin marrë veten me vetëm rreth dy të tretat, nga humbjet që përjetuan gjatë recesionit të viteve 2007-2009.
Me fjalë të tjera, ndërsa të ardhurat e disponueshme nuk ranë as në Suedi apo SHBA, qasja e Shteteve të Bashkuara ishte kompensimi i rënies së të ardhurave nga tregu, të cilën Suedia ia doli të kryejë si duhet. Pasojat e dështimeve të tilla janë shumë të gjera. Stopimi apo rënia e të ardhurave reale, nuk vepron vetëm si një frenues i kërkesës për konsum dhe rritjes së PBB-së; por ajo ushqen pakënaqësinë sociale dhe politike, teksa qytetarët humbasin besimin tek strukturat ekzistuese ekonomike.
Sondazhet nga kompania MGI në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, kanë zbuluar se njerëzit, të ardhurat e të cilëve nuk janë në rritje dhe që nuk presin ndonjë përmirësim, kanë prirjen ta shohin tregtinë dhe emigracionin shumë më tepër negativisht, se sa ata që janë duke përjetuar apo parashikojnë fitime. Vota pro Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe opozita dypalëshe ndaj marrëveshjes së tregtisë me SHBA, janë shenja të qarta të kësaj dukurie.
Debati i fundit mbi pabarazinë e të ardhurave në SHBA dhe vendet e tjera të zhvilluara, është fokusuar tek rritja e shpejtë e të ardhurave për një pakicë. Por mbetja në vend apo rënia e të ardhurave për shumë të tjerë, i shton një dimension tjetër debatit – dhe kërkon lloje të ndryshme zgjidhjesh, të cilat nënvizojnë nevojën e rritjes së pagave për shumicën e shpërndarjes së të ardhurave. Me shumicën e familjeve që vazhdon të përballet me stanjacionin apo rënien e të ardhurave – dhe me brezat e rinj që janë drejt rrugës për të qenë edhe më të varfër se prindërit e tyre – zgjidhje të tilla janë urgjentisht të nevojshme.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI