Kryebashkiaku i Pukës i akuzuar për vrasje e kontrabandë

Gjon Gjonaj, kryetar i Bashkisë së Pukës, njëherësh biznesmen dhe pronar i Hotel Turizmit në këtë qytet, akuzohet sot nga PD se ka kryer disa krime që Edi Rama përpiqet t’i fshehë. Akuzat vijnë vetëm pak ditë pas vizitës së Kryeministrit Rama në Pukë ku përgëzoi kryetarin për punën e bërë në zonë.
Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji, në një deklaratë nga selia e partisë deklaroi se sot ky inkriminim i pushtetit, kjo mbrojtje e krimit, ky kanabizim i vendit, është armiku më i madh i policisë dhe i shqiptarëve.
“Ne kemi disa pyetje sot, që i kanë të gjithë banorët e asaj zone në fakt;
A ka qenë kryetari i tij i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj i akuzuar për tentativë vrasje ndaj shtetasit, Gj.N, në vitin 1997?
A ka qenë po ky kryetar i Ramës, i dënuar për kontrabandë në Lezhë?
A ka dijeni Rama që zona Luf-Qerret, ku Edi Rama ishte bujtës në kafen e Arben Frrokut, është e mbushur me kanabis dhe ruhet nga shoferi i kryetarit të Bashkisë?
A ka dijeni Rama, që e gjitha kjo bëhet nën kujdesin e nën mbrojtjen e shefit të Komisariatit Hamdi Shullani?
Ndërkohë që Edi Rama luante këtë teatër me policinë e të rënët në krye të detyrës, mediat raportonin se, eskobari i Ballkanit siç e cilësoi CNN, Klement Balili festonte në një dasëm në Sarandë.
Feston i kërkuari nga policia e gjysmës së Europës dhe DEA amerikane, se ka mbrojtjen e Edi Ramës.
Eshtë koha që shqiptarët të bashkohen e të mbrojnë vendin, të mbrojnë të ardhmen e tyre nga krimi, nga bandat, nga trafikantët, nga karteli i drogës së Edi Ramës”, u shpreh Salianji.