Kosovë, votat për marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi

????????????????????????????????????

Shefi i ri i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti është i sigurt se partnerët e koalicionit do t’i kenë votat për ta kaluar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ai tha për KALLXO.com se Kuvendi gjithmonë ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për çështje të tilla. “Kuvendi i Kosovës i ka pasur gjithmonë votat për t’i trajtuar çështjet e rëndësishme për vendin. Nuk e dimë saktësisht se si do të jenë votat, por sa herë që është dashtë të votohen çështje të rëndësishme për vendin, Kuvendi i Kosovës i ka bërë punët e tij”, tha Pajaziti për KALLXO.com . Ai shtoi se nuk ka pasur takim me Listën Serbe për të diskutuar në lidhje me demarkacionin. “S’kemi debatuar me Listën Serbe, mirëpo në mbledhjen e fundit të Kryesisë se Kuvendit kemi qenë të gjithë bashkë, kanë qenë edhe partitë opozitare që është një gjë e mirë. Ne nuk kemi biseduar për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, por jam i sigurt se ata do të jenë pjesë përbërëse e rëndësishme e institucioneve të Kosovës,” tha Pajaziti. Edhe pse në seancën që pritet të mbahet më 22 shtator, nuk është në rend të ditës ratifikimi i marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi, Pajaziti thotë që qeveria do ta risjellë atë marrëveshje, e pastaj Kuvendi do të merret me të. Më 1 shtator ishte mbajtur seanca që në rend të ditës kishte ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi të nënshkruar më 26 gusht 2015, mirëpo qeveria e kishte tërhequr atë. Kryeministri Mustafa kishte thënë atë ditë se tërheqjen po e bën për shkak të presionit ndaj deputetëve dhe koncesioneve që po i kërkon një grup parlamentar. Mirëpo shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq e kishte përgënjeshtruar Mustafën. “Dua të them që është shumë e papjekur që cilido lider politik në Kosovë përgjegjësinë për mossuksesin ta hedhë mbi deputetët e Listës Serbe për shkak të tërheqjes së ndonjë ligji, ose marrëveshjeje nga procedura e votimit,” kishte deklaruar Simiq. Më pas Mustafa kishte thënë që nuk kishte veçuar ndonjë grup të caktuar parlamentar në lidhje me përmendjen e koncesioneve për votim të demarkacionit.