Kosovë, Qeveria e angazhuar në luftën kundër pastrimit të parave

Ministria e Financave mbajti tryezën me palët e interesit për prezantimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, në të cilën morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Lulzim Ismajli, këshilltari për Çështje të Sigurisë në Zyrën e Kryeministrit Edon Myftari, drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare Dardan Nuhiu, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të diskutohen me palët e interesit ndryshimet ligjore dhe modalitetet e zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ligj i cili ka hyrë në fuqi me datë 15 qershor 2016 dhe i cili është i rëndësisë së veçantë për luftimin e pastrimit të parave, veprave të ndërlidhura penale dhe financimin e terrorizmit, si dhe funksionimin e rregullt të masave parandaluese nga subjektet raportuese siç janë të përcaktuara me këtë ligj të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në luftimin e këtyre dukurive.
Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për implementimin e standardeve ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Andaj, për këtë arsye, ne kemi bërë ndryshimet ligjore me qëllim që të jeni në hap me vendet e tjera në luftën kundër këtyre fenomeneve.
“Për atë që më përket mua si Kryetar i Bordit të NJIF-K, unë do të vazhdojë të përkrah punën e Njësisë për Inteligjencë Financiare dhe së bashku me anëtarët e tjerë të bordit do të punojmë pa rezervë në përcaktimin dhe orientimin e politikave shtetërore sa i përket pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit bazuar në rreziqet e identifikuara, si dhe për ngritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional” tha Ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit përcakton masat, autoritetet kompetente dhe procedurat për zbulimin, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe po ashtu përcakton dispozitat të cilat janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të tyre si dhe për të gjithë subjektet jo publike që i nënshtrohen aktiviteteve që mund të ndërlidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
“Për shkak të rëndësisë që ky ligj të aprovohet brenda një periudhe të caktuar kohore me qëllim që të reflektojnë kërkesat e domosdoshme për të siguruar që NJIF-K t’i bashkohet grupit ndërkombëtar “Egmont Grup” të Njësive të Inteligjencës Financiare në të cilin NJIF-K ka aplikuar për anëtarësim ne kemi qenë të zotuar që këtë ligj ta procedojmë sa më parë dhe kemi bërë përpjekje maksimale që të adresojmë të gjitha çështjet me interes dhe nevojat për ndryshime që ka pasur për këtë ligj. Vlen të theksohet se të gjitha institucionet për zbatimin e këtij ligji kanë qenë të përfshira gjatë hartimit të tij si dhe gjithashtu edhe subjektet private që kanë obligime për zbatim të këtij ligj kanë qenë të përfshira në konsultime publike”, shtoi ministri i Financave Avdullah Hoti.
Sipas tij, me anë të këtij Ligji është bërë sistematizimi i dispozitave ligjore në fuqi, harmonizimi i mëtejmë i legjislacionit me standardet ndërkombëtare dhe evropiane si dhe evitimi i pengesave në zbatimin e legjislacionit me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në fushën e parandalimit dhe luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit i cili është edhe prioritet i Qeverisë.