Konkurrenca hap hetimin e thelluar për furnizimin me karburant të avionëve

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e furnizimit të avionëve me karburant në zonën gjeografike të aeroportit ndërkombëtar “Tirana International Aeroport”. Hetimi është hapur pasi Konkurrenca ka konstatuar se tregu i karburantit për avionë JET A-1 karosene në aeroportin “Tirana International Aeroport”, ndodhet në kushte monopoli ku një ndërmarrje e vetme, AIR BP ALBANIA ofron karburant për mjetet e transportit ajror. Që prej 31 dhjetorit 2014, kjo ndërmarrje nuk ka ekskluzivitet në këtë zonë gjeografike.
Nga vlerësimi i bilanceve financiare të ndërmarrjes AIR BP ALBANIA rezulton se gjatë vitit 2015, fitimi pas tatimit janë të konsiderueshme nëse krahasohen me tregun e karburanteve në vend. Sipas raportit të Autoritetit, “Tirana International Aeroport”, në kontratën koncesionare të lidhur me qeverinë shqiptare është zotëruesi i vetëm i hapësirës ku mund të realizohet aktiviteti i depozitim/aksesit me karburant të avionëve. Kjo ndërmarrje është në kushtet e monopolit për sa i përket tregut të aeroporteve në vend dhe në të tilla kushte, transferimi i shërbimeve siç është ai i furnizimit me karburant për avionët sërish vetëm te një ndërmarrje rrit koston e operimit të kompanive ajrore.
Në kushtet kur, referuar kontratave stacioni i depozitim/aksesit në këtë aeroport është realizuar nga ana e ndërmarrjes AIR BP ALBANIA dhe kjo e fundit zotëron të drejtat mbi këtë impiant, kjo infrastrukturë vlerësohet si një facilitet esencial. Pra, bazuar në terminologjinë e facilitetit esencial, është vetëm kjo infrastrukturë prej së cilës mund të realizohet depozitimi dhe furnizimi me karburant i avionëve.
Dhënia e aksesit për depozitim dhe furnizim nga ana e ndërmarrjes AIR BP ALBANIA, sipas kontratës së vënë në dispozicion të këtij hetimi, kundrejt një pale të interesuar realizohet në kushtet e çmimeve të parregulluara. Pra, ndërmarrja AIR BP ALBANIA zotëron një facilitet esencial për kryerjen e këtij aktiviteti në zonën e “Tirana International Aeroport” dhe në kushtet aktuale konkurrentët potencialë janë të detyruar që të përdorin facilitetin esencial që ajo zotëron kundrejt kushteve të caktuara.
Dhënia e aksesit nga ana e “Tirana International Aeroport”, për mundësinë e furnizimit me karburant të operatorëve të tjerë, të cilët plotësojnë kriteret e nevojshme për të operuar në këtë treg dhe kanë kontrata furnizimi me kompanitë ajrore, është mundësia e vetme për rritjen e konkurrencës dhe uljen e çmimeve të karburantit JET A-1 karosene.
Për këtë arsye, Autoriteti vendosi Hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e produktit karburant avionësh JET A-1 mbi ekzistencën ose jo të kufizimeve, shtrembërimeve apo pengimeve të konkurrencës. Periudha hetimore është janar 2014 – qershor 2016.