KLSH: Doganat dështuan në mbledhjen e 4.1 miliardë lekë borxh

Drejtoria e Doganës së Tiranës nuk ka mundur të mbledhë borxhin doganor edhe pse pjesa më e madhe e tij është dhënë për ekzekutim nga vendimet e gjykatave. Në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për auditimin në këtë institucion vihet theksi pikërisht tek ky ngërç.
“Nga auditimi rezulton se 49% e borxhit doganor gjendje në fund të vitit 2015 është mbështetur nga Autoriteti Gjyqësor Tiranë me urdhra ekzekutimi në vlerën 2 miliardë lekë, veprim, i cili deri këtu tregon për punën jo të mirë që ka bërë Zyra e Borxhit Doganor.
Niveli i arkëtimit të borxhit paraqitet shumë i ulët, duke treguar për punën e pamjaftueshme që kanë bërë strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe strukturat e tjera të shtetit, të ngarkuara me ligj për të mbështetur rikuperimin e borxhit doganor”, thuhet në raportin e KLSH.
Lidhur me këtë, rekomandohet që të punohet për të arkëtuar totalin e borxhit që kap nivelin 4.1 miliardë lekë. Në analizën e bërë për punën sipas sektorëve, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë hasur probleme me mënyrën sesi janë bërë kontrollet nga sektori i Akcizës.
“Kontrollet e ushtruara gjatë vitit 2015 nga Sektori i Akcizës, nuk janë kryer në bazë të programeve vjetore të kontrollit, të përgatitura dhe të miratuara nga Kryetari i Degës Doganës, por sipas disa urdhra pune verifikuese të momentit të nënshkruara nga autoriteti doganor kompetent.
Kontrollet doganore të ushtruara nuk ishin të bazuara në analiza risku, ku të ishin zbatuar teknika elektronike të përpunimit të të dhënave me qëllim identifikimin dhe vlerësimin e risqeve, për të përcaktuar më pas masat kundër vepruese të nevojshme”, vlerëson raporti.