Klop: Liverpooli mund të shkojë larg

Një fitore në versionin e një skuadre të madhe. Në “Stamford Bridge”, Liverpooli bëri gjithçka në mënyrë të shkëlqyer. Në pjesën e parë luajti një futboll tërheqës dhe mbi të gjitha u tregua një ekip shumë agresiv në fazën sulmuese duke e vendosur në vështirësi Chelsin. Ndërkohë që në fraksionin e dytë skuadra e Jurgen Klop diti të menaxhonte avantazhin duke u mbrojtur mirë dhe njëkohësisht duke kundërsulmuar rrezikshëm. Iu gëzua këtij fakti në përfundim të sfidës trajneri gjerman i të kuqve.
“Luajtëm një futboll të shpejtë dhe treguam nivel të lartë gjatë gjithë ndeshjes. Vendosja jonë në fushë në pjesën e parë ishte thjesht perfekte. Jam shumë i kënaqur që skuadra tashmë ka më shumë besim në aftësitë e saj. Bëmë një ndeshje të mirë dhe e vendosëm në vështirësi Chelsin edhe pse më duhet ta pranoj se pas minutës së 37-të e ulëm disi ritmin”, u shpreh Klop.
Në 5 javët e para të Premier League-s, Liverpooli ka grumbulluar 10 pikë. Edhe pse përballë ka patur skuadra të rëndësishme si Arsenali, Tottenhami, Leicester-i dhe Chelsi, humbjen e vetme skuadra e Klop e ka pësuar ndaj Burnley-it. Por kanë realisht shanse të kuqtë të luftojnë për fitimin e titullit në këtë sezon, Klop u tregua realist kur u pyet mbi këtë temë.
“Ne kemi 10 pikë dhe kjo është diçka fantastike sepse kemi patur një kalendar shumë të vështirë në këto 5 javë të para. Por sezoni është ende shumë i gjatë dhe ajo që duhet të bëjmë është vetëm të luajmë futboll. Ne kemi shumë kualitete në skuadër dhe duhet të besojmë te forcat tona. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, më pas të shohim se deri ku mund të arrijmë”, përfundoi trajneri i Liverpoolit.