Ish-pronarët ankesë në Komisionin e Venecias për ligjin e pronave

Pas rrëzimit të pezullimit të ligjit për trajtimin dhe kompesimin e pronave nga Gjykata Kushtetuese, Shoqata Pronësi me Drejtësi do t’i drejtojë shqetësimet në Komisionin e Venecias. Sipas tyre është e domosdoshme pezullimi i efekteve të ligjit deri në shqyrtimin përfundimtar të Kërkesave nga Gjykata Kushtetuese. Të drejtat pasurore të pronarëve sipas shoqatës po pësojnë ndryshime të pakontrolluara gjatë kësaj periudhe, korrigjimi i të cilave, nëse ligji shpallet antikushtetues bëhet i vështirë dhe ezaurues për këtë shtresë. Në letrën nisur Komisionit të Venecias shoqata kërkon që Gjykata Kushtetuese të jetë më transparente në lidhje me rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ligjit “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave.
Sipas pronarëve, Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar se, vendimi është marrë me justifikimin se ligji, i cili tashmë është në zbatim nuk sjell pasoja të pariparueshme”, në një kohë që ky pretendim në aspektin e jurisprudencës lidhet me mbrojtjen e të drejtave kapitale njerëzore, duke krijuar kështu probleme për të drejtën e pronësisë. Në mbyllje Shoqata gjen rastin të ritheksojë, se në stadin aktual regjimi pronësor në vendin tonë është i deformuar, dhe se qytetarët kanë humbur jo vetëm konceptin ligjor, por edhe atë logjik të asaj çfarë konsiderohet “e drejtë” e pronës. Ky ankim vjen, pasi Gjykata Kushtetuese ka kërkuar një mendim për ligjin e trajtimit dhe kompensimit të pronave nga Komisioni i Venecias disa muaj më parë dhe pritet një përgjigje gjatë muajit tetor.

5 pikat antikushtetuese të ligjit të pronave

Së pari, ligji i ri nuk e njeh më konceptin e “kthimit të pronës”, por e trajton atë si një nga format e kompensimit. Konkretisht, “kompensim” është shpërblimi i drejtë, sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Format e kompensimit janë: “kompensim financiar”, “kompensim fizik nga fondi i tokës” dhe “kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar”. “Kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar” është sipërfaqja e pasurisë që është vendosur t’u jepet subjekteve të shpronësuara me vendim përfundimtar.
Së dyti, sipas ligjit të ri, për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë: a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; b) prona e kthyer vlerësohet, duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.
Vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim.
Së treti, ligji parashikon se në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas rregullave të ligjit të ri. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së. Të gjitha vendimet përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit dhe ato që do të merren deri në përfundim të procesit, do të zbatohen sipas parashikimeve të ligjit të ri.
Së katërti, kërkesat e bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, do t’i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes së të drejtës së subjekteve të shpronësuara me vendim të ATP-së dhe kompensimit të tyre sipas këtij ligji. Në çdo rast, aty ku është e mundur, i jepet përparësi kompensimit fizik në pronën që i njihet subjektit me vendim të ATP-së.
Së pesti, kundër vendimit të ATP-së për njohjen e së drejtës, palët e interesuara dhe Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi, pranë Gjykatës së Apelit, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë.