Interi në “tunel”

Gjithmonë të njëjtat probleme, Frank de Boer është sërish në shënjestrën e kritikëve pas zhgënjimit të dytë radhazi në Europa League. Euforia pas tri fitoreve të njëpasnjëshme në Serinë A, ku përfshihet edhe suksesi ndaj Juventusit, u zhduk brenda katër ditësh. Nga barazimi me Bolonjën në “San Siro” te mbrëmja e hidhur e Pragës, zikaltërit gjenden sërish në pikën zero. Shumë futbollistë ishin pasivë në fushë, ndërsa ndëshkimi i Brosoviç nuk shërbeu si mësim për askënd.
Nga mbrojtja në sulm, nuk shpëton nga kritikat asnjë futbollist i Interit. Ranocchia që u duk sikur rilindi, bashkë me Murillo ishin më të dobëtit ndaj Spartës së Pragës. Notën negative për mbrojtësin italian e vulosi kartoni i kuq në pjesës e dytë. Një mbrëmje edhe më e keqe se ajo e “San Siros” ndaj izraelitëve të Beer Sheva. Disfata erdhi edhe nga problemet në mesfushë, ku mungesa e Joao Marios gjithmonë sjell shqetësime, por që De Boer ende nuk e ka zgjidhur.
Eder e Palacio kanë lëvizur shumë, por nuk i kanë dhënë peshë sulmit. Në drejtim të sulmuesve shkuan shumë pak topa, pasi mungonte regjisori i lojës. Tani Interin e pret Roma, që i shfrytëzoi ndeshjet e saj në Europa League si trampolinë për t’u ringritur. De Boer shpreson të rikuperojë Joao Marion dhe të shkundë futbollistët, që sikurse është shprehur vetë pas ndeshjes së Pragës luajtën si amatorë.
Një tjetër mbrëmje e errët europiane për Interin e De Boer. Skuadra italiane pësoi disfatën e dytë në po kaq ndeshje, duke bërë një figurë të shëmtuar në Europa League ku mban vendin e fundit të Grupit K me asnjë pikë. Ishte Sparta e Pragës që kaloi zikaltërit në Çeki me rezultatin 3-1, duke i dhënë një leksion futbolli ekipit zikaltër që nuk kishte reflektuar aspak nga disfata e takimit të parë në “San Siro” ndaj Hapoel Beer Sheva. Dy golat e Kadlec në pjesën e parë mbyllën praktikisht historinë sepse pavarësisht rrjetës së Palacios, Holek vulosi fitoren e çekëve. Në takimin tjetër të këtij grupi, Hapoel Beer Sheva dhe Southampton u ndanë në barazim pa gola.
Në Toskanë, Fiorentina shkatërroi 5-1 Karabakun e Ansi Agllit, i cili luajti gjatë gjithë sfidës. Vendasit dominuan në çdo aspekt azerët duke marrë drejtimin e Grupit J me 4 pikë, po aq sa PAOK që fitoi 2-1 në fushën e Slovan Liberec. Fitore shumë të rëndësishme regjistroi Zurich ndaj Osmanlispor me rezultatin 2-1. Burim Kukeli u aktivizua për 90 minuta në sfidën ku Sadiku mungoi për shkak të një dëmtimi. Nuk pati fitues në Bukuresht ku Steaua dhe Villarreal nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 me të dy golat e shënuar në pjesën e parë.