Hiqet fotoja e vëlla Olsit dhe rikthehet koncesioni për Spitallën

Një tjetër aferë e re po gatuhet zonën e lirë të Spitallës. Pas zbulimit të aferës që ishte përgatitur për këtë zonë nga Olsi Rama dhe disa investitorë kinezë pranë tij, qeveria është tërhequr për ti hapur rrugë një afere të re ndërsa ka rikthyer koncesionin për Spitallën.
Ministria e Ekonomisë ka çelur sërish garën për operimin e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë. Sipas njoftimit ofertat do të hapen më 23 dhjetor të këtij viti.
Nëpërmjet këtij tenderi, synohet të thithen mbi 1 miliard dollarë investime.
Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.
Lloji i procedurës është konkurruese.
“Në kriterët e vlerësimit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës do të vlerësohet me  25 pikë, ndikimi në mjedis me 10  pikë, ndikimi social me 15 pikë, koha e përfundimit të investimit me 10 pikë dhe  kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë”, raporton “Monitor”.
Tenderi për zonën e lirë të Spitallës në një sipërfaqe prej 500 hektarësh për 99 vjet dështoi në fillim të këtij viti kur qeveria shqiptare shpalli fituese kompaninë kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”.
Ministri i atëhershëm i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vendosi anulimin e tenderit.
“Oferta e tyre është skualifikuar për shkak të mangësive të shumta në dokumentet teknike dhe paraqitje dokumentesh të panoterizuara”, tha Ahmetaj.
Por Kryeministri Rama kishte dhënë një tjetër version për anulimin e këtij tenderi.
Në një intervistë televizive, Rama tregoi se urdhrin për anulimin e tenderit e kishte dhënë ai, pasi vëllai i tij doli në fotografi duke negociuar me përfaqësuesit e kompanisë kineze.
“Im vëlla shoqëroi drejt Kinës një biznesmen shqiptar që e ka shok fëmijërie. Por unë do të them diçka këtu, meqenëse u përfol në media unë i kam kërkuar ministrit Arben Ahmetaj që të anulojë garën për këtë koncesion”, u shpreh Rama.
Ndryshe nga sa tha Kryeministri, i vëllai i tij nuk është përfolur, por ka rezultuar i implikuar me aktorët e këtij koncesioni.