Hije dyshimi në gjyqin e Tetovës ndaj 29 “terroristëve shqiptarë”

Gjyqi i 29 personave të armatosur dhe tetë bashkëpunëtorët e tyre të dyshuar, të akuzuar si pjesë ose se kanë ndihmuar një grup terrorist që luftoi me forcat e sigurisë gjatë një shkëmbimi dyditor zjarri në qytetin verior maqedonas të Kumanovës në maj të vitit të kaluar, është goditur nga pretendimet e mbrojtjes se dëshmitarët e Prokurorisë janë trajnuar që të gënjejnë në gjykatë.
Gjyqi ka vazhduar me dyer të mbyllura, por Artene Ademi Iseini, avokatja e 11 të pandehurve, pohoi se dëshmitarët e mbrojtur që kanë dhënë dëshmi janë trajnuar nga prokurorët të përsërisin versionin e autoriteteve në lidhje me atë që ndodhi në Kumanovë.
“Dëshmitarët e Prokurorisë po përshkruajnë në mënyrë shumë cinike gjëra që ndoshta vetë Prokuroria i ka mësuar ata se çfarë të thonë. Dëshmia e tyre është kontradiktore, konfuze dhe nuk e mbështet padinë. Në disa raste ajo është komprometuese për policinë dhe Prokurorinë”, tha për Iseini për “BIRN”.
Më shumë se një vit pas shkëmbimit të zjarrit në Kumanovë, i cili ndodhi në maj 2015 dhe që la pas 18 të vdekur, Iseini tha se e vërteta për atë që ndodhi në shkëmbimin dyditor të zjarrit mbetet ende e paqartë.
Prokuroria thotë se grupi hartoi një plan për të krijuar një grup terrorist dhe siguroi para, armë, municione dhe furnizime mjekësore. Sipas Prokurorisë, ata fillimisht sulmuan dhe grabitën një stacion policie në fshatin malor të Goshincës, pranë kufirit me Kosovën më 21 prill dhe 22 prill 2015.
Është pohuar se ata vodhën armë nga stacioni policor, të cilat i përdorën për sulmin ndaj forcave të sigurisë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj.
Shtatëmbëdhjetë nga të pandehurit nuk janë nga Maqedonia, por nga Kosova. Njëri ka nënshtetësi kosovare dhe gjermane.
Të gjithë i dënojnë akuzat dhe thonë se shkëmbimi dyditor i zjarrit ishte rezultat i tyre që mbronin veten nga policia.
Avokatja Iseini tha se Prokuroria s’ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e saj.
“Nuk jam dakord me akuzat për terrorizëm, sepse më 9 dhe 10 maj, këta njerëz nuk sulmuan. Përkundrazi, forcat e policisë sulmuan grupin. Nuk ka viktima civile, rrëmbime dhe ata u dorëzuan me ndërmjetësimin e OSBE-së”, tha ajo.
Iseini tha se ajo besonte se akuzat për terrorizëm do të rrëzoheshin dhe se akuza të reja do të ngriheshin kundër tyre.
“Ata do të akuzohen për sulm me armë, qëndrim të paligjshëm në territorin maqedonas dhe vrasje për vetëmbrojtje”, sugjeroi ajo.
Iseini sugjeroi gjithashtu se burrat mund të jenë futur në kurth nga autoritetet.
“Ne, avokatët, kemi kuptuar se dikush i futi në kurth dhe manipuloi këta burra duke përdorur ndjenjat e tyre patriotike ose donte të merrte hak kundër disa prej pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur të vitit 2001”, u shpreh ajo.
Në vitin 2001, Maqedonia kaloi një konflikt të shkurtër të armatosur midis rebelëve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.
Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, e cila garantoi më shumë të drejta për shqiptarët që përbëjnë çerekun e popullsisë prej 2.1 milion banorësh të vendit.